Kërko

Papa: Kisha, si në kohët e hershme, duhet t'ua predikojë Ungjillin gjithë njerëzve

Sot, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa ia kushtoi katekizmin devotshmërisë Mariane dhe lidhjes "unike, përjetësisht të pathyeshme" të Zojës me Shpirtin Shenjt. Nga Papa, ftesa për të imituar "po"-në e Marisë sa herë gjendemi përballë një detyre për t'u zbatuar a të një prove, për t’u kapërcyer.

R.SH. / Vatikan

Në audiencën e sotme të përgjithshme,  mbajtur paradite në Vatikan, duke ia kushtuar katekizmin figurës së Marisë, Papa Françesku kujtoi se “Zoja është nënë, që na merr për dore e na çon drejt të Birit” e se “nuk flet kurrë për vetveten, po gjithnjë për Jezusin”. Fliste kështu Papa nën një qiell të ngarkuar me re ngjyrë hiri, duke përshëndetur besimtarët e pranishmën në audiencën e sotme në Sheshin e Shën Pjetrit. Në Romë ndjehet i ftohti i dimrit. Por kjo sigurisht nuk e ndalon Papën Françesku për rrotullimin e zakonshëm me papamobil në shesh, ku e presin me padurim edhe shumë fëmijë të pranishëm në audiencë të përgjithshme. Papa i merr katër prej tyre në makinën e tij. Është e mërkurë, 13 nëntor, dita e pritjes së audiencës së përgjithshme.

Françesku rifillon ciklin e katekizmit titulluar “Shpirti e Nusja”, duke kujtuar se Shpirti Shenjt i prin popullit të Zotit drejt takimit me Jezusin, shpresën tonë". E sot e përqendron meditimin e tij tek tema "Një letër e shkruar me Shpirtin e Zotit të gjallë: Maria dhe Shpirti Shenjt”. Leximi që i paraprin meditimit të Papës Françesku, është fragment i shkëputur nga Veprat e Apostujve (1, 12-14):

“Në traditën katolike ekziston një lutje, që thotë: Jezusit, përmes Marisë”. Papa e kujtoi këtë duke folur lirisht në katekizmin e audiencës së sotme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, dhe kushtuar lidhjes së Marisë me Shpirtin Shenjt Zot. Zoja Mari na tregon Jezusin dhe na i hap gjithnjë dyert,” vazhdoi Françesku duke folur jashtë tekstit të përgatitur. Zoja Mari është nëna që na çon për dore drejt Jezusit, që nuk e vlerëson kurrë vetveten, e kjo është devotshmëria Mariane: ‘Ad Iesum, per Mariam’, domethënë ‘Tek Jezusi, përmes Marisë’. Maria, si dishepulle dhe figura e parë e Kishës, është një letër e shkruar me Shpirtin e Zotit të gjallë.

“Ndër mjetet e ndryshme me të cilat Shpirti Shenjt kryen veprën e tij të shenjtërimit në Kishë - Fjala e Zotit, Sakramentet, lutja – është edhe një vepër shumë e veçantë, mëshira Mariane. Sot teologët katolikë priren t'i japin kuptim të ri dhe më të saktë shprehjes tradicionale "Ad Iesum per Mariam", domethënë "tek Jezusi përmes Marisë". Ndërmjetësi i vërtetë dhe i vetëm ndërmjet nesh dhe Krishtit, i treguar si i tillë nga vetë Jezusi, është Shpirti Shenjt Zot. Maria është një nga mjetet që përdor Shpirti Shenjt për të na çuar te Jezusi”. Pikërisht me këto fjalë e nisi meditimin e audiencës së sotme Papa Françesku, duke kujtuar më pas Shën Palin, i cili e pati quajtur bashkësinë e krishterë "letër e Krishtit e krijuar nga ne, e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Zotit të gjallë, jo mbi pllaka guri, por mbi pllaka zemrash njerëzore".

Dhe pikërisht në këtë vegim, Maria - vazhdoi Papa - bëhet “edhe ajo letër e shkruar me Shpirtin e Zotit të gjallë.

Pikërisht për këtë arsye, mund të njihet dhe të lexohet nga të gjithë njerëzit, edhe nga ata që nuk dinë të lexojnë libra teologjie, nga ata "të vegjëlit" të cilëve Jezusi u thotë se misteret e Mbretërisë së Hyjit, të fshehura nga të mençurit, u zbuluan".

 Maria është, pra, "një letër", "një faqe bosh" në të cilën Zoti "mund të shkruajë gjithçka dëshiron".

Për këto arsye, “Nëna e Zotit është mjet i Shpirtit Shenjt në veprën e tij të shenjtërimit. Në mes të vërshimit të pafund të fjalëve të folura dhe të shkruara për Zotin, Kishën dhe shenjtërinë (të cilat shumë pak, nëse ka, janë në gjendje t'i lexojnë dhe t’i kuptojnë plotësisht) Maria na kujton vetëm dy fjalë, madje edhe më të thjeshtat, që mund t'i shqiptojnë të gjithë, në çdo rast: “Ja ku jam” dhe “fiat”. E vazhdon: Maria është ajo që i tha "po" Zotit dhe me shembullin e saj e me ndërmjetësimin e saj na shtyn edhe ne t'i themi "po"-në Atij, sa herë që gjendemi përballë një dëgjese për t'u zbatuar ose të një prove, për t’u kapërcyer".

Shikimi kthehet nga e tashmja: “Në këtë çast, Kisha gjendet në situatën në të cilën ndodhej bashkësia e krishterë pas Ngjitjes së Jezusit në qiell. Duhet t'u predikojë Ungjillin të gjithë njerëzve, por është në pritje të "fuqisë nga lart", që të jetë në gjendje ta bëjë këtë". Atëhere tema e Shpirtit Shenjt shpërthen në meditim: është marrëdhënia ndërmjet Shpirtit dhe Marisë, që i intereson veçanërisht Papës.

“Ndërmjet Marisë dhe Shpirtit Shenjt  - përfundon Papa Françesku - ekziston një lidhje unike dhe përjetësisht e pathyeshme: Vetja e Krishtit. Pra, Virgjëra Mari është nusja e Shpirtit Shenjt "por, më parë akoma, dishepulle e Shpirtit Shenjt".

13 nëntor 2024, 12:00