Françesku në Engjëllin e Tënzot: të varfërit nuk mund të presin

Pas lutjes mariane, Papa kujtoi sërish Ditën e sotme Botërore të të Varfërve me temë "Lutja e të varfërve lartohet tek Zoti" dhe falënderoi ata që kanë promovuar nisma solidariteti në dioqeza dhe famulli. Kërkoi impenjim për parandalimin e aksidenteve në Ditën Botërore të Viktimave Rrugore. Më pas, shkoi në Sallën Pali VI për të ngrënë drekë me 1300 të varfër

R.SH. – Vatikan

         Një falënderim për ata, që kanë organizuar nisma solidariteti me më të pafavorizuarit, me rastin e Ditës Botërore të të Varfërve, e cila ka si temë "Lutja e të varfërve lartohet tek Zoti". Papa Françesku e shqiptoi pas lutjes mariane të Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit mbushur me besimtarë nga e gjithë bota. Por, pati parasysh edhe Ditën Botërore të Viktimave Rrugore.

         “E në këtë ditë kujtojmë të gjitha viktimat e rrugës: të lutemi për ta, për familjet e tyre dhe të angazhohemi për të parandaluar aksidentet. Po bëj një pyetje, secili mund t'ia bëjë vetes këtë pyetje: a e privoj veten nga diçka për t'ua dhënë të varfërve? …Vëllezër dhe motra, të mos harrojmë se të varfërit nuk mund të presin!”

Pas Engjëllit të Tënzot, Papa drekoi në Sallën Pali VI së bashku me 1300 të varfër. Dreka e organizuar nga Dikasteri i Shërbimit të Bamirësisë u ofrua këtë vit nga Kryqi i Kuq Italian dhe u gjallërua nga Fanfara e tij Kombëtare. Në fund të drekës, çdo personi iu dha një çantë shpine e ofruar nga Etërit Vinçencianë (Kongregata e Misionit), që përmban ushqime dhe produkte të higjienës personale.

17 nëntor 2024, 13:01