Papa: "në Ukrainë e Palestinë mbizotëron arroganca e pushtuesit mbi dialogun"
R.SH. -Vatikan
Në Vatikan, ceremonia e 40-vjetorit të Traktatit të Paqes dhe Miqësisë mes Argjentinës dhe Kilit për sovranitet mbi zonën e jugut, rezultat i ndërmjetësimit të Gjon Palit II. Françesku e tregon negocimin si një "model për t'u imituar" për kohët e sotme të karakterizuara nga hipokrizia e vendeve që flasin për paqen, por fitojnë para me armë. Papa denoncon "dështimin e njerëzimit" në Ukrainë dhe Palestinë "ku arroganca e pushtuesit mbizotëron mbi dialogun".
“Citoj dy dështime të njerëzimit sot: Ukrainën dhe Palestinën, ku njerëzit vuajnë, ku arroganca e pushtuesit mbizotëron mbi dialogun”. Kështu tha Papa, duke folur me rastin e Aktit Përkujtimor të 40-vjetorit të Traktatit të Paqes dhe Miqësisë mes Argjentinës e Kilit.
Në fjalën e tij, në spanjisht, Papa Françesku iu referua "konflikteve të shumta të armatosura aktuale, të cilat ende nuk mund të shuhen, pavarësisht se ato përbëjnë një plagë jashtëzakonisht të dhimbshme për vendet në luftë dhe për të gjithë familjen njerëzore".
“Ftoj Komunitetin ndërkombëtar të bëjë në mënyrë që forca e ligjit të mbizotërojë përmes dialogut, sepse dialogu duhet të jetë shpirti i komunitetit ndërkombëtar”, kjo shpresa që Papa shprehu gjatë ngjarjes në të cilën kujtohet, 40 vjet më vonë, ndërmjetësimi i Papës Gjon Palit II që pengoi shpërthimin e luftës midis Kilit dhe Argjentinës, ndërhyrje që çoi në një traktat paqeje dhe miqësie midis dy vendeve.