Kërko

Papa me pjesëmarrësit në asamblenë e parë të përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin Papa me pjesëmarrësit në asamblenë e parë të përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin

Françesku: pabarazitë dhe braktisja e shkollës janë gjenocid kulturor

Papa u bën thirrje pjesëmarrësve në asamblenë e përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin të impenjohen në modele arsimimi, që nuk janë thjesht "fabrika rezultatesh", por hapësira ku i jepet rëndësi cilësisë së pritshmërive, ëndrrave, etjes për dije, gjallërisë së brendshme. Nihilizmi, që e zhduk shpresën, është sot ndër plagët më të rrezikshme; të lëmë mënjanë pesimizmin e të përveshim mëngët, kërkon Françesku

R.SH. – Vatikan

Fjalët, që u tha Papa pjesëmarrësve në asamblenë e parë të përgjithshme të Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, të cilët i priti sot në audiencë, kanë vlerë të madhe shoqërore. Françesku nënvizoi se bashkimi i dy fushave (kulturës dhe edukimit) në një strukturë të vetme të Vatikanit ka për qëllim promovimin e dialogut, të sinergjive dhe të risive, si edhe i këshilloi të pranishmit të çlirohen nga frika e nga skemat e vjetra.

Bota nuk ka nevojë për somnambula

“Patologjitë e botës së sotme nuk janë ndonjë fatalitet, që duhet pranuar pasivisht”, theksoi Ati i Shenjtë, që kërkoi një limfë të re në shkolla, universitete dhe qendra kulturore. Këto vende të dijes duhet t’u mësojnë të rinjve të dëshirojnë, të kenë etje, të kenë ëndrra.

“Bota nuk ka nevojë për njerëz, që përsërisin përgjumshëm gjithçka ekziston tashmë; ka nevojë për koreografë të rinj, për interpretues të rinj të pasurive, që mbartin brenda vetes qeniet njerëzore, për poetë të rinj shoqërorë. Në fakt, nuk shërbejnë për asgjë ato modele arsimimi, që janë thjesht "fabrika rezultatesh", pa një projekt kulturor, që bën të mundur formimin e njerëzve të aftë për ta ndihmuar botën të ndryshojë faqen, duke zhdukur pabarazinë, varfërinë endemike dhe përjashtimin”.

Jo thjesht për suksesin në sytë e botës

Papa i nxiti anëtarët e Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin t’u hapin dyert zbulimeve të reja, pa u kujdesur thjesht për suksesin në sytë e botës, për renditjen në listat ndërkombëtare të universiteteve më të mira, për ruajtjen e institucioneve arsimore kishtare. Kjo, nënvizoi ai, “do të ishte shumë pak”. Françesku përmendi gjithë bagazhin katolik, nga i cili mund të frymëzohen universitetet kishtare edhe sot: nga Shën Agustini tek Shën Toma, nga Edit Shtajn tek Moxarti, Rothko e Paskal.

“Ju këshilloj: ta kuptoni misionin tuaj në fushën edukative dhe kulturore si thirrje për t’i zgjeruar horizontet, për t’u mbushur plot me gjallëri të brendshme, për t'u dhënë hapësirë mundësive të papara, për të vënë në jetë mënyrat e atij dhurimi të vetvetes, që bëhet më i gjerë vetëm kur ndahet me të tjerët. E kemi për detyrë t’i themi një edukatori dhe një artisti: "Shumëfishohuni!" Nuk kemi arsye për ta lejuar frikën të na pushtojë”.

Të mos jemi pesimistë

Pastaj, Papa, duke pasur parasysh Jubileun 2025, kërkoi që të gjithë ta bëjnë të dukshme shpresën, madje, ta ngrenë lart zërin për të. Duhen përveshur mëngët, nënvizoi, pasi ka shumë për të bërë.

“Ta heqim qafe çdo barrë pesimizmi. Të bashkëpunojmë me të gjitha forcat për t’i larguar njerëzit nga hija e nihilizmit, që është ndoshta plaga më e rrezikshme e kulturës së sotme, sepse pretendon të zhdukë shpresën”.

Privimi i të rinjve nga e ardhmja është gjenocid kulturor

Duke pasur parasysh braktisjen e shkollës në botë, shoqëruar me pabarazinë e theksuar në mundësinë për ndjekjen e shkollës, Françesku ftoi të punohet për ta ndryshuar këtë gjendje.

“Është detyrë morale ta ndryshojmë këtë situatë. Sepse gjenocidet kulturore nuk ndodhin vetëm me shkatërrimin e një trashëgimie; është gjenocid kulturor kur u vjedhim të ardhmen fëmijëve, kur nuk u japim kushte për t'u bërë ata që mund të bëhen. Kur shohim fëmijët, që në shumë vende, kërkojnë në plehra gjëra për të shitur, që kështu të mund të hanë, le të mendojmë për të ardhmen e njerëzimit me këta fëmijë”.

21 nëntor 2024, 10:36