Françesku, Papa i parë që shkel në Korsikë: udhëtimi apostolik, më 15 dhjetor
R.SH. / Vatikan
Dy ditë para ditëlindjes së tij të 88-të, pak më shumë se një javë para festimit të Krishtlindjeve dhe hapjes së Jubileut, Papa Françesku e përfundon vitin me një udhëtim gati dymbëdhjetë orësh në Korsikë. Papa i parë që udhëton në ishull, i katërti më i madh në Mesdhe, pas Siçilisë, Sardenjës dhe Qipros, vendlindja e Napoleonit, me një sfond bukurie natyrore mes pyjeve, plazheve dhe maleve. Vizita - e parashikuar ditët e fundit nga shtypi frëngjishtfolës dhe nga vetë ipeshkvi i kryeqytetit Ajaccio, kardinali François-Xavier Bustillo - u konfirmua sot, më 23 nëntor, nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni.
“Duke mirëpritur ftesën e autoriteteve civile dhe kishtare të vendit, Papa Françesku do të bëjë një udhëtim apostolik në Ajaccio më 15 dhjetor, me rastin e përfundimit të Kongresit "La religiosité populaire en Méditerranée".
Kongresi për devocionin popullor
Udhëtimi i 47-të i Jorge Mario Bergoglio në këtë tokë, vetëm 180 milje nga Roma, i treti i vitit 2024 pas atyre të shtatorit në Azinë Juglindore dhe Oqeani dhe më pas në Luksemburg dhe Belgjikë, do të zgjasë për këtë arsye vetëm të dielën, 15 dhjetor. Rasti i vizitës, siç thuhet në deklaratën e Vatikanit, është kongresi në Dioqezën e Ajaccio-s me temë "Devocioni popullor në Mesdhe", ku do të jenë të pranishëm ipeshkvijtë nga Italia, Franca dhe Spanja si dhe vendet e tjera fqinje. Një temë, ajo e traditave fetare popullore, shumë e dashur për Papën argjentinas, që nga koha e shërbesës së tij në Buenos Aires, qendrore edhe në konferencën historike të Ipeshkvnisë së Amerikës Latine dhe Karaibeve të Aparecida-s, së cilës Papa i kushtoi hapësirë të bollshme në nxitjen Evangelii Gaudium. Një temë shumë e pranishme edhe në Korsikë, ku çdo vit besimtarët katolikë, rreth 90% e 355 mijë banorëve përjetojnë rite, shtegtime në rrugë dhe demonstrime devotshmërie, veçanërisht për festën e Zojës së Mëshirës, e njohur më mirë si "Madunnuccia", Pajtore e Ajaccio.
Programi
Françesku do të marrë pjesë në seancën përfundimtare të kongresit, siç thuhet në programin e publikuar sot. Më konkretisht, Papa do të niset nga aeroporti Romë-Fiumicino në orën 07:45 për të mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Ajaccio në orën 09:00, ku do të bëhet edhe pritja zyrtare. Në orën 10.15 do të jetë në "Palais des Congrès et d'Exposition d'Ajaccio" për kongresin, pjesëmarrësve të të cilit do t'u drejtojë një fjalim. Rreth një orë më vonë, Papa do të shkojë në Katedralen e Santa Maria Assunta për të takuar ipeshkvijtë, priftërinjtë, djakonët, rregulltarët dhe seminaristët dhe për të kremtuar Engjëllin me ta. Me këtë rast pritet edhe një fjalim i Papës.
Pasdite, në orën 15.30 do të kremtohet Mesha në “Place d’Austerlitz”, parku i madh i quajtur “U Casone” në kujtim të një ndërtese të vjetër, vend ku sipas traditës Napoleoni shkonte kur ishte fëmijë. Dhe pikërisht në Place d'Austerlitz lartohet një shtatore e madhe kushtuar Bonapartit. Kremtimi Eukaristik do të pasohet në orën 17:30 nga takimi i Papës me presidentin francez Emmanuel Macron, në aeroportin e Ajaccio. Atje, pasi të përfundojë ceremonia e lamtumirës, fluturimi për në Romë është planifikuar në orën 18:15 me ulje në Fiumicino në orën 19:05.
I mirëpritur nga Kardinali Bustillo
Siç u përmend, është vizita e parë e një Pape në Korsikë; i treti në Francë për Papën Françesku, pas ndalesave të shkurtra në Strasburg në 2014 dhe Marsejë në 2023. Papa do të mirëpritet nga Kardinali Bustillo, 56 vjeç, françeskan konventual, spanjoll nga Pamplona, por nënshtetas francez.
[ Photo Embed: Logoja dhe motoja e udhëtimit të Papës]
Logoja dhe motoja
Pikërisht Kardinali Bustillo mbajti një konferencë shtypi mëngjesin e së enjtes, 21 nëntor, në oborrin e ipeshkvnisë së Ajaccio, në të cilën, në pritje të konfirmimit zyrtar të udhëtimit, tregoi logon zyrtare, titulluar "Papa Francesku në Korsikë", me datë 15 dhjetor 2024.
Sfondi i logos është tërësisht jeshil-blu për të përfaqësuar detin; Korsika stilizohet në pjesën e sipërme majtas duke përdorur vija vertikale blu. Vija më e lartë arrin kulmin në formën e një kryqi, që simbolizon besimin në Krishtin dhe është e lidhur me një vijë të verdhë që zbret nga lart, një aluzion për Shpirtin Shenjt. Në të djathtë të ishullit të stilizuar mund të shihni, në të njëjtën të verdhë, ngjyrë e dritës dhe të Selisë së Shenjtë, titullin në gjuhën korsike “Papa Francesku në Korsikë” dhe poshtë, në të bardhë, moton e udhëtim apostolik “Jésus passa en faisant le bien” (Vepra 10,38), një shprehje e Veprave të Apostujve, e cila, zbatuar për këtë ngjarje, kujton se Papa viziton Kishën në Korsikë si bariu që kalon mes popullit të tij. Në pjesën e poshtme, në të njëjtën ngjyrë blu si ishulli i stilizuar, silueta e Zojës, Mbretëreshë e Korsikës, e paraqitur nga ijet lart me fytyrën dhe duart lartuar drejt qiellit. Nisur nga sfondi, duket sikur është zhytur në det.
Thirrje vullnetarëve
Bustillo paraqiti edhe faqen zyrtare, www.lepapeencorse.corsica, ku do të komunikohen të gjitha hollësirat dhe ku "të gjitha kurset do të kenë mundësinë të kontribuojnë". E u bëri edhe një thirrje të gjithë qytetarëve, sepse nevojiten vullnetarë, mbasi koha ikën. Ngjarja është historike, ne kemi nevojë për burime të jashtëzakonshme!