2024.11.04 Membri della Fondazione "Mensajeros de la Paz" 2024.11.04 Membri della Fondazione "Mensajeros de la Paz"

Françesku: të ndihmosh të pambrojturit, privilegj: e tyre është Mbretëria e Qiellit

“Do të doja t'ju them disa fjalë, që ju ndihmojnë të reflektoni mbi punën tuaj në Kishë në emër të më të varfërve dhe më të braktisurve. Faleminderit që jeni këtu”. Kështu Papa në përshëndetjen drejtuar sot pjesëmarrësve në takimin II të Spitalit Iglesias de Campaña.

R.SH. / Vatikan

Papa e nisi takimin e sotëm me miqtë e Spitalit Iglesias de Campaña, duke diskutuar me ta rreth tre aspekteve të përmendura kohët e fundit: të kumtosh Krishtin, të ndreqësh pabarazitë e strukturës shoqërore dhe të mbjellësh shpresë. E u kujtoi se, të ndihmuar nga hiri i Shpirtit Shenjt Zot, duhet të angazhohen që  kishat të jenë si spital fushor dhe t’i çojnë përpara këto tre parime.

Inkurajim, duke parë fytyrën e Krishtit

Para së gjithash - vijoi Ati i Shenjtë Bergoglio - ju inkurajoj ju, që dëshmoni mirëpritjen tuaj ndaj këtyre vëllezërve më shumë me gjeste, sesa me fjalë, të vazhdoni të shihni në secilin prej tyre, të pambrojturve, fytyrën e Krishtit. Në këtë mënyrë,  shpalleni Krishtin si ai që ecën gjithmonë me ta, pasi është ai që i pari u varfërua duke u zhveshur nga gjithçka (shih Fil 2,6-11).

Fundi i pabarazive

Aspekti i dytë është fundi i pabarazive. Me apostullimin tuaj ju denonconi para shoqërisë se pabarazia ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, ndonjëherë shumë e madhe, nuk është ajo që Zoti do për njerëzimin dhe, kjo pabarazi duhet të zgjidhet me drejtësi. Ne duhet të rivendosim strukturën sociale duke i ndrequr pabarazitë; askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj vuajtjeve të të tjerëve (shih Zanafilla 4,9).

 Të mbillni shpresë!

Dhe së fundi, është e nevojshme të mbillni shpresë. Në çdo person që mirëprisni, sepse nuk ka shtëpi, sepse është refugjat, sepse është pjesë e një familjeje në gjendje të vështirë, sepse është viktimë e luftës ose për ndonjë arsye tjetër, që e përjashton nga shoqëria, mbillni shpresë! Ndonëse këta vëllezër tanë shpesh ndihen të shtypur kur përballen me një panoramë që mund t'ju duket si "shteg i verbër", kujtojuni se shpresa e krishterë është më e madhe se çdo situatë, sepse e ka themelin te Zoti dhe jo te njeriu. Ajo që u duket e pamundur njerëzve, nuk është e pamundur për Hyjin (shih Mt 19,26).

Do të dëshiroja që të gjithë ju, në punën që bëni në Kishë, të mos ndaloni kurrë së zbuluari se të ndihmosh të pambrojturit është gjithmonë  privilegj, sepse e tyre është Mbretëria e Qiellit (shih Mt 5,3). Sa herë që kemi mundësi t'u afrohemi dhe t'u ofrojmë ndihmën tonë, është mundësi që të prekim Korpin e Krishtit, sepse sjellja e Ungjillit nuk është një gjë abstrakte që mund të reduktohet në indoktrinim, por materializohet atje, në përkushtimin e krishterë ndaj atyre që kanë më shumë nevojë; këtu qëndron ungjillizimi i vërtetë!

 Vëllezër dhe motra, ju falënderoj për dëshminë tuaj të jetës së krishterë. Vazhdoni të transmetoni shpresën, mëshirën dhe dashurinë te njerëzit e tjerë, në mënyrë që, të bindur për këtë të vërtetë, të bashkohen për të bashkëpunuar në shërbim të më të varfërve.

“Jezusi ju bekoftë dhe Virgjëresha e Shenjtë ju ruajt dhe ju lutem mos harroni të luteni për mua”.

04 nëntor 2024, 14:29