Françesku: urgjente, paqja në Tokën Shenjte, dialogu është e vetmja rrugë e mundshme
R.SH. – Vatikan
Një shtëpi mbi të cilën sillen "retë e errëta të konfliktit". Papa Françesku e përshkruan kështu Tokën Shenjte, shtëpinë e të rinjve të feve të ndryshme, që i përkasin organizatës së Këshillit Universal të Paqes, e impenjuar për të promovuar paqen në atë zonë. “Një tokë – pohon Françesku – që gjatë shekujve ka qenë dëshmitare e kaq shumë dhune dhe vuajtjeje” dhe fatkeqësisht, edhe sot përjeton luftën. Prandaj, paqja bëhet urgjente dhe impenjimi i kësaj organizate është shprehje e dëshirës së qartë, që banon në zemrën e çdo njeriu, e vetmja e aftë të bashkojë, pavarësisht nga ndryshimet.
“Dialogu është rruga e vetme drejt paqes. Të rinjtë mund të jenë artizanë të mëdhenj të paqes përmes dialogut”.
Të përgatitet rruga për paqen
Papa u ndal në faktin se janë të rinjtë ata, që e sjellin paqen, sepse jetojnë me ideale të larta, entuziazëm dhe shpresë. E, sidomos, janë në gjendje të heqin dorë nga plagët e së shkuarës, të cilat e bëjnë të përjetshme "spiralen e konfliktit dhe të përçarjes".
“Të rinjtë mund t'i ndihmojnë të tjerët të zbulojnë elementet themelore, që e përgatisin rrugën drejt paqes, siç janë falja dhe gatishmëria për t’i lënë mënjanë paragjykimet dhe plagët e së kaluarës. Të rinjtë janë krijues, por s’është mirë kur takojmë të rinj të “ideologjizuar”, tek të cilët ideologjia u zë vendin mendimeve dhe vullnetit për të bërë mirë”.
Dialogu, hapi i parë për paqen
Të afrohemi, të dëgjojmë njëri-tjetrin, të njihemi dhe të kërkojmë pika të përbashkëta: ky është dialogu, “mjeti kryesor që kemi në dispozicion”, nënvizoi Ati i Shenjtë.
“Dialogu është rruga e vetme drejt paqes”.
Pasojat shkatërrimtare të luftërave
Françesku e di se përballë dhimbjes së shkaktuar nga luftërat, njerëzit ka rrezik ta humbasin shpresën, por vetëm kjo e fundit "nuk zhgënjen".
“Është kaq e lehtë të shkurajohemi, kur shohim pasojat shkatërrimtare të luftës dhe pasojat shkatërrimtare të urrejtjes, për të mos përmendur varfërinë, urinë, diskriminimin dhe realitete të tjera të ndryshme, që e kërcënojnë perspektivën e paqes. Këto realitete janë rezultat i luftërave”.
Mos e humbisni gëzimin
Papa Françesku u bën thirrje të rinjve të mos shkurajohen, por të vijojnë punën për çështjen e paqes, pavarësisht nga vështirësitë e sakrificat, me “vullnet për t'u impenjuar çdo ditë, veçanërisht kur gjërat duket se nuk shkojnë ashtu siç do të donim”.
“Jemi të gjithë vëllezër dhe motra dhe përpjekjet për të arritur pajtimin, harmoninë dhe paqen do t’ia vlejnë gjithmonë kohën dhe përpjekjet tona. E natyrisht, mos e humbisni kurrë ndjenjën e humorit: atë gëzimin e shëndoshë... Kjo është shumë e rëndësishme! Mos e humbisni aftësinë për t’u gëzuar, që ju ndihmon të shihni gjërat më të mira”.