Kërko

Papa priti kryeministren e Barbados

Papa Françesku priti sot paradite në Vatikan Mia Amor Mottley, e cila gjendet në Romë për të marrë pjesë në veprimtarinë e Akademisë Papnore për Jetën me temë "E mira e përbashkët: teori dhe praktikë"

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti në audiencë, sot paradite, 14 nëntor, në Vatikan, Znj. Mia Amor Mottley, Kryeministre e Barbados, e cila gjendet në Romë për të marrë pjesë në veprimtarinë e Akademisë Papnore për Jetën me temë "E mira e përbashkët: teori dhe praktikë", promovuar dhe organizuar pikërisht nga Akademia Papnore për Jetën, sot pasdite në Palazzo San Calisto. Biseda e përzemërt me Papën zgjati rreth njëzet minuta.

Kujdesi për shtëpinë e përbashkët dhe ndryshimet klimatike

Pas audiencës te Papa, - sipas një shënimi nga Zyra e Shtypit e Vatikanit - kryeministrja e Barbados pati një bisedë, në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, me kardinalin Pietro Parolin dhe imzot Mirosław Wachowski, nënsekretar për marrëdhëniet me shtetet. Gjatë këtij takimi, përveç "kënaqësisë së shprehur për marrëdhëniet e mira midis Barbados dhe Selisë së Shenjtë”, thuhet në deklaratë, “u trajtuan disa çështje me interes të ndërsjellë si është kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe efektet e ndryshimeve klimatike”, si dhe pati një shkëmbim mendimesh për aktualitetin shoqëroro-politik të vendit dhe rajonit. “Takimi – saktëson Zyra e Shtypit e Vatikanit – përfundoi me konfirmimin e angazhimit t[ ndërsjellë për të promovuar të mirën e përbashkët të popullit të Barbados”.

Dhuratat

Në fund të audiencës, Papa i dhuroi Kryeministres Mesazhin për Paqe 2024, vëllimet e dokumenteve papnore dhe një vepër bronzi të titulluar "Dashuria Sociale", e cila përshkruan një fëmijë duke ndihmuar një tjetër të ngrihet, me shkrimin "Të duash Të ndihmosh". Mottley iu përgjigj duke i dhuruar Papës një skulpturë prej druri, vepër e një artisti nga Barbados.

14 nëntor 2024, 10:51