Papa: lutja është themeli i kumtimit të shpresës
R.SH. - Vatikan
Sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës Mari në tempull, Kisha katolike kremton edhe Ditën vjetore ‘Pro orantibus’, kushtuar lutjes për rregulltarët dhe rregulltaret e klauzurës, duke kujtuar se kuvendet murgare të jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit dhe u bëjnë mirë të gjithëve.
Papa në platformën sociale X
“Lutja është baza e kumtimit të shpresës që #Jubileu2025 synon të bëjë jehonë në këtë kohë të trazuar. Sa i çmuar është kontributi i njerëzve të përkushtuar, veçanërisht i komuniteteve të jetës soditëse, për këtë arsye!#ProOrantibus”.
Dita Pro Orantibus u themelua më 1953 nga Piu XII
Gjatë Ditës kushtuar Lutjes për rregulltaret e klauzurës, themeluar nga Papa Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët i luten Zotit për ata persona që ia kushtojnë gjithë jetën murgare kundruese, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Që atëherë, çdo 21 nëntor, besimtarët e krishterë ftohen ta falënderojnë Zotin për dhuratën e jetës kundruese e në veçanti, për të gjithë ata, që në kuvendet e manastiret e botës, i lartojnë Zotit lutjen për ardhjen e Mbretërisë së Tij
Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar. Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qendër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre.