Papa: Acutis e Frassati shenjtorë gjatë Jubileut. Në Vatikan, veprimtari për të drejtat e fëmijëve
R.SH. – Vatikan
Dy të rinj do të shpallen shenjtorë gjatë Jubileut. Janë Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati, model dhe pikë referimi për fenë e mijëra bashkëmoshatarëve në mbarë botën: Acutis në Ditën e Fëmijëve dhe të Adoleshentëve; Frassati në Ditën e Rinisë. Këtë njoftoi Papa sot, më 20 nëntor, në fund të audiencës së përgjithshme, duke shkaktuar duartrokitje të fuqishme në Sheshin e Shën Pjetrit, mbushur me mijëra besimtarë, pavarësisht nga shiu. Ndërmjet tyre, edhe disa fëmijë nga Komiteti organizativ i një veprimtarie të madhe, që do të mbahet në Vatikan më 3 shkurt:
Takimi Botëror për të Drejtat e Fëmijëve, me temë "T'i duam dhe t'i mbrojmë", ku do të marrin pjesë ekspertë dhe personalitete nga vende të ndryshme. Papa e dha këtë njoftim pikërisht sot, kur në të gjithë botën kremtohet Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Adoleshentëve. Sapo përfundoi të fliste shpërthyen duartrokitjet dhe një grup fëmijësh vrapuan nga rreshti i parë drejt Papës për ta përshëndetur dhe falënderuar. Papa qeshi me ta, duke i quajtur “të guximshëm” dhe bëri disa fotografi. Pastaj, duke folur për veprimtarinë e 3 shkurtit, theksoi:
“Do të jetë një mundësi për të gjetur mënyra të reja ndihme dhe mbrojtjeje për miliona fëmijë ende pa të drejta, që jetojnë në kushte të pasigurta, të shfrytëzuar dhe të abuzuar, duke vuajtur nga pasojat dramatike të luftërave”.
Dy shenjtorë "të rinj"
Më 23 majin e kaluar, Papa Françesku pati miratuar dekretin për kanonizimin e Carlo Acutis, të riut laik të dashuruar me Eukaristinë, me pasion për informatikën, i quajtur nga shumë vetë “influencer i shenjtërisë". Frassati, student i ri nga Torino, terciar domenikan dhe anëtar i vinçencianëve, Fuci-t (Federata Universitare Katolike Italiane) dhe Veprimit Katolik, konsiderohet një nga shenjtorët "shoqërorë" italianë. Nga familje e pasur, ai iu kushtua lutjes dhe të pambrojturve, por ishte edhe sportist i mirë: "Një alpinist... i jashtëzakonshëm", e pati quajtur Gjon Pali II, i cili e shpalli të Lum këtë "djalosh të tetë lumnive" në vitin 1990. Tani Papa Françesku do t’i shpallë të dy shenjtorë.
“Dua të them – pohoi Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme - se vitin e ardhshëm në Ditën e Fëmijëve dhe të Adoleshentëve do të shenjtëroj të Lumin Carlo Acutis dhe në Ditën e Rinisë, vitin e ardhshëm, do të shenjtëroj të Lumin Pier Giorgio Frassati”.