Papa, rregulltareve: “Një shenjt i trishtuar është një lloj i trishtë shenjtori”
R.SH – Vatikan
“Shenjtëria është gjithmonë e gëzueshme… Të keni buzëqeshjen, që vjen nga zemra – jo të rreme, por të sinqertë dhe të plotë”. Këtë u kujtoi sot Papa Françesku rregulltareve augustiniane spanjolle të Talavera de la Reina, në audiencë me rastin e 450-vjetorit të kuvendit të tyre, që e kanë festuar edhe me një shtegtim në Romë.
Meqenëse murgeshat vijnë nga Spanja, Papa e përsëriti lutjen e tij për banorët e Valencias që "po vuajnë shumë" nga përmbytjet, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e mbi 200 njerëzve.
“Këto ditë, ndihem shumë afër Spanjës, për shkak të tragjedisë në Valencia”, vërejti Ati i Shenjtë.
Të jetojmë gëzimin e krishterë
Duke reflektuar mbi jetën rregulltare, Papa Françesku i ftoi murgeshat të japin shembull për jetën shpirtërore, duke u bërë “mjeshtre në artin e lutjes”.
"Shpresoj që shkolla juaj të nxjerrë në pah, ndërmjet gjithë njohurive që u jepni fëmijëve, aftësinë për të folur me Zotin, për ta dëgjuar Atë, për ta ndjerë praninë e Tij në çdo çast të jetës dhe për t’i pranuar me bindje frymëzimet, që vijnë prej Tij”.
Papa i ftoi të gjitha rregulltaret e të gjithë meshtarët të mos e humbin kurrë gëzimin, ose sensin e humorit, përndryshe “thartohen” si të ishin “diçka e ruajtur në uthull".
"Kërkojini Zotit sensin e humorit, i cili na mban të freskët në shërbimin ndaj Zotit", nënvizoi Françesku. "Po e përsëris: një shenjt i trishtuar është një lloj i trishtë shenjtori".
Të vlerësohen hiret e jetës fetare
Murgeshat dhe rregulltarët, vijoi më tej Papa Françesku, duhet të kenë parasysh nevojat e të tjerëve dhe sigurinë relative, që gëzojnë si pjesë e një bashkësie rregulltare.
“Kur ndokush ankohet se ka shumë punë, të mendojë për ata që nuk kanë”, theksoi. “Kur hyni në kuvend apo në famulli, kujtohuni se u sigurohet gjithçka”.
Në ditët me borë a me shi, rregulltaret duhet t’i kenë parasysh njerëzit, që flenë jashtë, shtoi ai.
Lutja e shën Tomas Morit për humor të mirë
Në përfundim, Papa Françesku i ftoi motrat spanjolle augustiniane të thonë çdo ditë lutjen e Shën Tomas Morit për humorin e mirë:
Ma fal, o Zot të lutem, një stomak
që nuk të trazon e s’ankohet aspak,
pse e di që ia jep diçka për ta mbushë
e kurrë nuk e len krejt bosh me u përpushë.
Më jep një shpirt të butë e të mirë,
E mbushe përlot me gaz e me hir,
edhe me forcë, që të mos mëkatojë më kot
por të bëjë çka do, ti o i lumi im Zot!
Më jep një shpirt, që nuk mërzitet kurrë
po i bën ballë së keqes me forcë, porsi burrë
që s’ rri gjithnjë veç duke u ankuar
pse do veç vetveten e shumëdashuruar.
Më jep ti, o Zot, dëshirën të qesh,
ndihmomë që krahët për ditë t’i përvesh,
edhe pak gëzim, jo vetëm për mua,
por dhe për miqtë, ma jep, që i dua!
(Përkthim krejt i lirshëm)