Papa: Bazilika e Shën Pjetrit, shtëpi e madhe, të gjithë të mirëpritur

Françesku pret në audiencë teknikë dhe partnerë nga Fabrika e Shën Pjetrit e, duke vlerësuar punën e kryer përmes projekteve dhe bashkëpunimeve të reja, këshillon përdorimin e teknologjive të reja dhe mjeteve të fundit "me stil misionar, jo turistik", pa kërkuar "efekte speciale", por duke treguar fenë e Kishës. Ftesë për rrëfyesit: "Jepni bekimin gjithnjë, të gjithëve dhe falini të gjithë"

R.SH. - Vatikan

"Të gjithë, absolutisht të gjithë, duhet të ndjehen të mirëpritur" në “shtëpinë e madhe”, që është Bazilika e Shën Pjetrit. Ata që kanë fe, ata “që kërkojnë fe”, edhe “ata që vijnë për të soditur bukuritë artistike të Romës, ashtu edhe ata që janë në kërkim të meshtarëve, për t’u rrëfyer.  Është një nga porositë e Papës në fjalimin e tij të drejtuar partnerëve dhe teknikëve të Fabrikës së Shën Pjetrit, të cilët i priti sot në mëngjes, 11 nëntor, në Pallatin Apostolik të Vatikanit.

Papa i falënderoi për "punën" e bërë për realizimin e "projekteve të reja në dobi të Bazilikës së Shën Pjetrit". Disa iu paraqiten Papës përmes një ekrani në Sallën Koncistorit. "Shkova dje për të parë, është e mrekullueshme ajo që bëni", tha Papa duke folur lirisht e duke kujtuar se Bazilika është "shtëpi lutjeje për të gjithë popujt" dhe se "na u besua ne nga ata që na paraprinë  në fe e në misionin apostolik”. 

Drejtoni teknikën

Mjetet që përdorni kërkojnë "frymë krijuese" dhe "përgjegjësi". “Nga ne - nënvizoi Françesku - varet përdorimi  i drejtë e konstruktiv i një potenciali që është i nevojshëm, por ambivalent”. Varet nga ne - nënvizoi Papa Françesku - që "instrumenti të shërbejë si duhet: është sikur korniza të bëhet më e rëndësishme se sa piktura". “Prandaj është e nevojshme të qeveriset teknologjia - rekomandoi Papa - duke kujtuar se produktet e saj janë të mira jo vetëm kur funksionojnë mirë, por mbi të gjitha, kur na ndihmojnë të rritemi”.

Papa gjatë audiencës me partnerët dhe teknikët e Fabrikës së Shën Pjetrit
Papa gjatë audiencës me partnerët dhe teknikët e Fabrikës së Shën Pjetrit

Shtëpi mikpritëse për këdo që vjen nga mbarë bota

Ky parim vlen edhe më shumë për Bazilikën e Shën Pjetrit dhe për arsyet e ndryshme që kërkon, në mënyrë që "për të gjithë vizitorët të jetë vend i gjallë feje dhe historie, shtëpi mikpritëse, tempull takimi me Zotin dhe me vëllezërit, që vijnë në Romë nga mbarë bota”.

Të gjithë, absolutisht të gjithë, duhet të jenë të mirëpritur në këtë shtëpi të madhe: ata që kanë fe dhe ata që e kërkojnë fenë; kush vjen të sodisë bukuritë artistike të Romës e kush vjen të deshifrojë kodet e saj kulturore.

Tre kritere

 Meqë ra fjala, Papa kujton se qendra e origjinës së Bazilikës është varri i Pjetrit, siç dëshmohet nga mbishkrimet gjigante greke dhe latine që i shoqërojnë besimtarët nga lart, mbi altarin e Katedrës. “Punimet e duhura duhet të kenë të njëjtin qëllim: të shoqërojnë burrat dhe gratë e sotme; të mbështesin shtegtimin si dishepujt, duke ndjekur shembullin e Simon Pjetrit”. Janë tre kritere, pra, që Papa ua beson teknikëve dhe partnerëve të Familjes për udhëheqjen e tyre: "Dëgjimi i lutjes, vështrimi i fesë, prekja e shtegtarit".

Një çast nga audienca
Një çast nga audienca

Stili misionar

Françesku, pikësëpari, nxit "impenjimin e Fabrikës dhe të bashkëpunëtorëve të saj në adoptimin e teknologjive që inkurajojnë jo vetëm pjesëmarrjen interaktive të njerëzve, por mbi të gjitha, ndërgjegjësimin e tyre për vendin e shenjtë, hapësirë ​​për meditim". Së dyti, vështrimi i fesë, "për të përdorur mjete moderne me një stil misionar, joturistik - nënvizon Papa – jo duke kërkuar tërheqjen e efekteve speciale, por përkundrazi, duke përdorur mjete të reja, për të treguar besimin e Kishës dhe kulturën e formuar”. Së fundi, prekja e shtegtarit: "Në shekuj, arti skulpturor, piktural dhe arkitektonik është vënë në shërbim të popullit të Zotit duke përdorur teknologjitë më të mira të kohës". Paraardhësit tanë bënë mrekulli! Çdo projekt i ri duhet të jetë në vazhdimësi me të njëjtin qëllim baritor.

Foto me pjesëmarrësit në audiencë
Foto me pjesëmarrësit në audiencë

Misioni i rrëfyesve

Gjithnjë duke parë Bazilikën, Papa Françesku ndalohet tek "një vepër tjetër arti" fshehur në të: rrëfyesit. "Ju lutem, të ketë gjithmonë rrëfyes" porosit. “Njerëzit shkojnë, dëgjojnë diçka, madje edhe jo të krishterët afrohen për të kërkuar një bekim… Në këtë botë kaq artistike dhe të bukur, ekziston edhe arti i komunikimit personal”. Dhe "ju lutem", këmbëngul Papa, "porositini rrëfyesit të falin gjithçka, gjithçka!" Të gjithë duhet të falen. Këtë do Zoti, jo fjalime: “Duhet...”. Jo, jo "duhet". Unë të fal dhe vazhdoj, me Zotin. Falja, jo aq shumë predikimi; duhen thënë disa fjalë, por falni; askush të mos dalë [pa bekim]. Edhe ata që nuk janë të krishterë: më thonë rrëfyesit se janë shpesh myslimanë ose të feve të tjera, e vijnë të kërkojnë një bekim. Jepini gjithmonë bekimin të gjithëve, dhe ata që duan të rrëfehen, falini të gjithë, të gjithë, të gjithë!

11 nëntor 2024, 13:52