Kërko

2024.11.16 Partecipanti al Convegno promosso dalla Biblioteca Apostolica Vaticana 2024.11.16 Partecipanti al Convegno promosso dalla Biblioteca Apostolica Vaticana

Papa: Bibliotekat duhet të jenë vende paqeje

Françesku u takua me përfaqësues të institucioneve kryesore të sektorit në botë, të cilët mbërritën në Romë për të marrë pjesë në një takim ndërkombëtar organizuar nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. "Ne i përgjigjemi kolonializmit ideologjik dhe fshirjes së kujtesës - nënvizon Papa - me kujdes për kulturën"

R.SH. / Vatikan

“Rreziku më i keq është se lufta botërore pjesë-pjesë do ta ngadalësojë përparimin, që ju vetë po e dëshmoni, domethënë se armët shumë të shtrenjta i grabisin kulturës mjetet e nevojshme për t'u përhapur; se konfliktet i pengojnë studentët të mësojnë dhe të hulumtojnë, duke shkatërruar shkollat, universitetet dhe projektet arsimore”. Papa Françesku flet për këtë kosto dramatike, të shkaktuar nga konfliktet e ndezura në botë, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në konferencën e organizuar nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit, me titull: “Conservata et perlecta aliis tradere. Bibliotekat në dialog”:

Mos kini frikë nga ndërlikimi i botës, në të cilën jeni thirrur të punoni! Çka e ndani bashkë, do t’ju  ndihmojë për të rritur, në bibliotekat tuaja, "skribët" e mençur, të lavdëruar nga Zoti Jezus, të cilët dinë të nxjerrin gjëra të reja dhe të lashta nga thesari i tyre, për të mirën e të gjithëve.

Bibliotekat janë oaze takimi

Duke takuar përfaqësues të organizatave prestigjioze nga vende të ndryshme, të cilët ishin mbledhur në Vatikan për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga biblioteka e lindur në zemër të Rilindjes, Papa nënvizon se shumë institucione kulturore, siç ka ndodhur tashmë në të kaluarën,“janë të pambrojtura përballë dhunës së luftërave dhe plaçkitjeve”:

 Të punojmë shumë, që kjo të mos ndodhë më: ​​përplasjes së qytetërimeve, kolonializmit ideologjik dhe fshirjes së kujtesës t’u përgjigjemi me kujdesin për kulturën. Do të ishte tejet e rëndë nëse përveç barrierave të shumta mes shteteve, do të ndërtoheshin edhe mure virtuale. Në këtë drejtim, ju bibliotekarët keni një rol të rëndësishëm jo ​​vetëm për mbrojtjen e trashëgimisë historike, por edhe për nxitjen e dijes. Ju inkurajoj të vazhdoni të punoni në mënyrë që institucionet tuaja të jenë vende paqeje, oaze takimesh dhe diskutimesh të lira.

Një figurë referuese

Duke kujtuar se bibliotekat janë "të thirrura për të transmetuar trashëgiminë e së kaluarës" në mënyra domethënëse për brezat e rinj, gjithnjë e më "të zhytura në një kulturë të lëngshme", Papa tregon si figurë shembullore, atë të një Pape. Është Papa Piu XI, Achile Ratti, të cilin disa studiues e quajnë “Papa biblitekar”, që udhëhoqi një herë Bibliotekën Ambroziane të Mialanos e më pas edhe Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Ky Papë, kujtoi Françesku, vlerësoi rëndësinë e bibliotekave "në një çast historik jashtëzakonisht të vështirë, ndërmjet dy luftërave botërore":

Ndërsa kultura evropiane degjeneronte në ideologji të kundërta, Papa i krijoi Bibliotekës së Vatikanit hapësira të reja; favorizoi katalogimin sistematik; hapi një shkollë praktike për bibliotekarët. E mbrojtur prej tij, Biblioteka u bë vend i sigurt për shumë studiues, madje edhe të persekutuarit nga regjimet totalitare, të cilat Papa i kundërshtonte gjithmonë me vendosmëri. Piu XI na bën të reflektojmë për shkathtësinë, guximin dhe konkretësinë e punës që kreu. Sot përballemi me sfida po aq vendimtare kulturore dhe sociale, të cilat duhen përballuar me përditësimin e nevojshëm.

Katër kritere

Papa Françesku kujton se i kishte kërkuar Imzot V. Angelo Zani-t, në fillim të shërbimit të tij si arkivist dhe bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake, të "hapte" Bibliotekën Apostolike. E ta mbështesë angazhimin për t'i bërë bibliotekat vende paqeje e takimesh, Papa thekson, në veçanti, katër kritere të propozuara në Nxitjen Apostolike "Evangelii gaudium".

I pari na kujton "që koha është më e lartë se hapësira". Depozitat e pafundme të njohurive mund të bëhen "vende ku jepet kohë për të reflektuar, duke u hapur drejt përmasës shpirtërore dhe transcendente". Në këtë mënyrë “mund të ndiqen studimet afatgjata, pa pritur rezultate të menjëhershme, duke favorizuar rritjen e një humanizmi të ri në heshtje dhe meditim”.

Kriteri i dytë kërkon "që uniteti të mbizotërojë mbi konfliktin": bibliotekat duhet të jenë të hapura "për të gjitha fushat e dijes, duke dëshmuar për një bashkësi synimi ndërmjet këndvështrimeve të ndryshme".

Kriteri i tretë hamendëson "se realiteti është më i rëndësishëm se ideja". "Ekziston një përparësi e realitetit, që reflektimi duhet ta nderojë gjithmonë, nëse dëshiron të kërkojë sinqerisht të vërtetën”.

Kriteri i katërt kërkon "që e tëra të jetë superiore ndaj pjesës". “Ne jemi thirrur - përfundon Françesku - të harmonizojmë tensionin mes lokales dhe globales, duke kujtuar se askush nuk është individ i izoluar, por secili person, që jeton në lidhje e rrjete sociale, ku duhet marrë pjesë me përgjegjësi”.

16 nëntor 2024, 14:01