Kërko

2024.11.04 Cappella Papale in suffragio di Cardinali e Vescovi defunti 2024.11.04 Cappella Papale in suffragio di Cardinali e Vescovi defunti

Papa: dashuria e Zotit e çliron lirinë nga vdekja

Papa në Meshën kremtuar në Shën Pjetër për shpirt të kardinajve dhe prelatëve, barinjë dhe modele të grigjës së Zotit, të vdekur dymbëdhjetë muajt e fundit, ndalohet tek dialogu ndërmjet Jezusit dhe hajdutit të mirë të kryqëzuar pranë tij mbi Kryq dhe thekson se Zoti i dëgjon gjithmonë fjalët e mëkatarit. Lutje, deri në fund. Zemra e Krishtit hapet për të shpëtuar botën. "Ai vdes me ne, sepse vdes për ne"

Në Meshën e kryesuar në Shën Pjetër, në Vatikan, për shpirt të kardinajve dhe prelatëve të vdekur, rinjë dhe modele të grigjës së Zotit, të vdekur dymbëdhjetë muajt e fundit, Papa Françesku ndalohet tek dialogu ndërmjet Jezusit dhe hajdutit të mirë të kryqëzuar pranë tij dhe thekson se Zoti i dëgjon gjithmonë fjalët e mëkatarit. Lutje, deri në fund. Zemra e Krishtit hapet për të shpëtuar botën. "Ai vdes me ne, sepse vdes për ne" - shpjegon Papa.

“Jezus, më kujto kur të hysh në mbretërinë tënde” (Lk 23,42). Këto janë fjalët e fundit drejtuar Zotit nga njëri prej dy të kryqëzuarve me Të. Nuk i shqipton një dishepull, një nga ata që ndoqën Jezusin nëpër rrugët e Galilesë dhe ndanë bukën me Të në Darkën e Mbrame. Njeriu që i drejtohet Zotit është, përkundrazi, kriminel. Ai që e takon vetëm në fund të jetës! Një, të cilit nuk ia dimë as emrin.

Frymëmarrjet e fundit të këtij të huaji, megjithatë, në Ungjill bëhen dialog plot me të vërtetën. Ndërsa Jezusi "numërohet ndërmjet të mbrapshtëve" (Is 53,12), siç kish profetizuar Isaia, ndjehet një zë i papritur, që thotë: “Po marrim çka meritonim për veprimet tona; ndërsa ky nuk ka bërë asgjë të keqe” (Lk 23,41). Kjo është e drejtë. E ky i dënuar na përfaqëson të gjithëve, mund t'ia themi emrin, mund t'i japim emrin tonë. Mbi të gjitha, lutjen e tij mund ta bëjmë tonën: “Jezus, kujtoju për mua”. Më kujto! Mos më harro!".

Jezusi vdes me ne, sepse ai vdes për ne

Ta meditojmë këtë akt: kujtoju, të kujtosh! Të kujtosh do të thotë "ta kesh ende në zemër" - ri - cordare - rikthim në zemër. Ai burrë, i kryqëzuar me Jezusin, e shndërron dhimbjen e pafundme në lutje: "Më merr në zemrën tënde, Jezus!". Dhe nuk e pyet me zërin e zemërthyerit, atë të një njeriu të mundur, por me ton plot shpresë. E kjo është gjithçka që kërkon krimineli, i cili vdes si dishepull i orës së fundit: ai kërkon një zemër mikpritëse. E kjo është gjithçka që ka rëndësi për të, tani që është lakuriq para vdekjes: “E Zoti e dëgjon lutjen e mëkatarit, deri në fund, si gjithmonë. E shporuar nga dhimbja, zemra e Krishtit hapet për të shpëtuar botën - zemër e hapur, jo e mbyllur; që mirëpret, duke vdekur, zërin e atyre që vdesin. Jezusi vdes me ne, sepse ai vdes për ne. Ai vdes me ne, sepse ai vdes për ne”.

Thirrjes së të kryqëzuarit fajtor, i përgjigjet i Kryqëzuari i pafajshëm, Jezusi: "Në të vërtetë po të them se sot do të jesh me mua në parajsë" (Lk 23,43). Kujtimi i Jezusit është i fortë, kujtimi i Jezusit është i fuqishëm, sepse  i pasur në mëshirë dhe, për këtë arsye, efektiv.

Pyetje jetike

“Ndërsa jeta e njeriut dështon, dashuria e Zotit çliron lirinë nga vdekja. Atëherë i dënuari shpengohet; i huaji bëhet shok; një takim i shkurtër në kryq do të zgjasë përgjithmonë në paqe. Kjo na bën të mendojmë pak. Si ta takoj Jezusin? Ose më mirë akoma, si mund ta lejoj Jezusin të më takojë? A e lë veten të takohem apo mbyllem në egoizmin tim, në dhimbjen time, në vetveten time? Ndjehem si mëkatar që e lashë veten të takohesha nga Zoti, ose ndihem i drejtë dhe them: “Ti nuk më duhesh! Shko përpara!".

Gjykoj, apo mirëpres?

Jezusi kujton të kryqëzuarit pranë Tij. E kujdesi i Tij, deri në frymën e  fundit, na bën të reflektojmë: ka mënyrë e mënyrë për të kujtuar njerëzit dhe gjërat. Ju mund të mbani mend gabimet, të mbani mend punët e papërfunduara, të mbani mend miqtë dhe kundërshtarët - vijoi Papa:

“Vëllezër dhe motra, le të pyesim veten sot, përballë kësaj skene nga Ungjilli: si janë njerëzit në zemrat tona? Si i kujtojmë ata që kalojnë pranë nesh gjatë ngjarjeve të jetës? I gjykojmë? I largojmë? Apo i mirëpresim?”.

A mund të shresojmë për shpëtim?

Të dashur vëllezër, duke iu drejtur zemrës së Zotit, njerëzit e sotëm e edhe njerëzit e të gjitha kohërave mund të shpresojnë për shpëtim, edhe nëse "në sytë e budallenjve dukej se ata po vdisnin" (Dit. 3,2). Ndërsa kujtimi i Zotit ruan të gjithë historinë. Kujtesa është kujdestari:

“Ai është gjykatësi përdëllyes dhe i pasur me mëshirë: Zoti është pranë nesh si gjykatës; është fare pranë, i ndjeshëm dhe i mëshirshëm. Këto janë tre qëndrimet e Zotit. A jam i afërt me njerëzit? A kam një zemër të dhembshur? A jam i mëshirshëm?”.

Duke kujtuar kardinajtë e vdekur

Me këtë besim, lutemi për kardinajtë dhe ipeshkvijtë që kanë vdekur në dymbëdhjetë muajt e fundit. Sot lutemi për këta vëllezërit tanë.

Anëtarë të zgjedhur të popullit të Zotit, ata u pagëzuan në vdekjen e Krishtit (krh. Rom 6,3), për t'u ringjallur me Të. Ishin barinj dhe modele për grigjen e Zotit (krh. 1 Pt 5:3) e mund të ulen tani në tryezën e tij, pasi kanë thyer në tokë Bukën e jetës. Ata e donin Kishën, secili në mënyrën e vet, por të gjithë e donin Kishën: ne lutemi që ata të gëzojnë shoqërinë e shenjtorëve përgjithmonë. E presim, me shpresë të patundur, të gëzohemi me ta në Parriz.

Kjo, homelia  e Atit të Shenjtë në Meshën për shpirtin e kardinajve dhe ipeshkvijve të vdekur gjatë këtij viti, që përfundoi me një ftesë të Papës, për ne të gjithë:

“E unë ju ftoj të thoni tri herë me mua: ‘Jezus, na kujto!’. Të gjithë: ‘Jezus na kujto!’, ‘Jezus na kujto!’, ‘Jezus na kujto!’".

04 nëntor 2024, 13:56