Papa, dhuruesve të gjakut: gjest i çinteresuar dhe anonim, që shemb muret
R.SH. - Vatikan
Gjesti juaj i painteresuar e i paemër është shenjë, që kapërcen indiferencën dhe vetminë, kapërcen kufijtë dhe shemb muret. Me rastin e 65-vjetorit të themelimit të Federatës Italiane të Shoqatave të Dhuruesve të Gjakut (Fidas), Papa Françesku priti sot në mëngjes, e shtunë, 9 nëntor, një delegacion në Sallën Pali VI. Reflektimi i tij preku tre aspekte kryesore: gëzimin, dëshminë dhe solidaritetin.
"Dhurimi me dashuri sjell gëzim"
I pari është element i shpeshtë në mjediset vullnetare "e, në përgjithësi, mes njerëzve të përkushtuar për të mirën e të tjerëve":
“Të japësh me dashuri, sjell gëzim. Vetë Jezusi e ka thënë: 'Është më e bekuar të japësh sesa të marrësh'”.
“U krijuam për të dhuruar dashuri"
Në themel të kësaj lumturie qëndron fakti se ne "jemi bërë për të dhuruar dashuri, për ta bërë dashurinë frymëzim të të gjitha veprimtarive tona" - shpjegoi Françesku, duke cituar Benediktin XVI. Gjatë dhuratës "e gjithë jeta jonë ndryshon dhe lulëzon ndërsa hyjmë në dinamikën ndriçuese të Ungjillit, në të cilën gjithçka gjen kuptimin dhe plotëninë e saj në mëshirë":
Ju lirisht u jepni të tjerëve një pjesë të rëndësishme të vetes tuaj, gjakun tuaj dhe sigurisht e njihni lumturinë, që vjen nga ndarja.
Gjaku nuk e shikon ngjyrën e lëkurës
Aspekti i dytë, theksuar nga Papa, është dëshmia. Françesku vëren se ata që dhurojnë, nuk e dinë se për kë është menduar gjaku i tyre. Po kështu, ata që marrin transfuzion, në përgjithësi e dinë identitetin e bamirësit të tyre.
Dhe vetë gjaku, në funksionet e tij jetësore, është simbol elokuent: ai nuk shikon ngjyrën e lëkurës, as përkatësinë etnike ose fetare të personit që e merr, por me përvujtëri hyn ku mundet, duke u përpjekur të arrijë, me vrap përmes venave, në çdo pjesë të organizmit, për të çuar energji në të. Kështu funksionon dashuria.
Zgjate krahun, si Jezusi
Duke kujtuar aktin e zgjatjes së krahut në çastin e thithjes së gjakut, Papa bën një paralele me gjestin "e bërë nga Jezusi gjatë mundimeve, kur e shtriu vullnetarisht trupin e tij në kryq". Një akt “që flet për Zotin”, shton Françesku, duke huazuar fjalët e Gjon Palit II në lidhje me “misionin ungjillëzues të Kishës”, që “kalon përmes bamirësisë”.
Të arrish drejt e në zemër
Aspekti i tretë dhe i fundit i përmendur nga Papa, është solidariteti. Gjaku arrin në zemër, i përcaktuar, në enciklikën e tij Dilexit nos, si "qendra unifikuese e personit", ku konvergojnë "përmirësimi i vetvetes dhe hapja ndaj të tjerëve". Françesku i nxit të pranishmit që ta jetojnë dhurimin si "rrugë të rritjes shpirtërore", e, duke rikujtuar edhe një herë konceptet e Gjon Palit II, "si një dhuratë për Zotin e Mëshirës, i cili identifikohet me ata që vuajnë":
“Mos e harroni këtë, nxit Françesku, ‘gjaku arrin në zemër. Ndiqeni gjakun për të arritur në zemër’. Kjo do të thotë, përqafoni gjithnjë e më shumë çdo burrë dhe grua që takoni, të gjithë, në një bamirësi të vetme".