Kërko

G20-a në Brazil G20-a në Brazil

Papa Françesku për G20-ën: "Të destinohen fondet e armatimeve për luftën kundër urisë"

Papa i dërgoi G20-ës, që po zhvillohet në Rio de Zhaneiro të Brazilit, një mesazh të lexuar nga kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit

R.SH. – Vatikan

“Në kontekstin e një bote të globalizuar, që përballet me një mori sfidash të ndërlidhura, është themelore të njihen presionet e rëndësishme, ushtruar aktualisht mbi sistemin ndërkombëtar. Këto presione shfaqen në forma të ndryshme, ndër të cilat, intensifikimi i luftërave dhe i konflikteve, veprimtaritë terroriste, politikat e jashtme të papërgjegjshme dhe aktet e agresionit, si edhe vazhdimi i padrejtësive. Prandaj, ka rëndësi të madhe që Grupi i 20-shes të gjejë mënyra të reja për të arritur paqen e qëndrueshme në të gjitha zonat e konfliktit, me synimin për t’u ridhënë dinjtet njerëzve të përfshirë në to”. Kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për Takimin e G20-ës, që po mbahet në Rio de Zhaneiro të Brazilit, lexuar mbrëmë (18 nëntor) nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

Konfliktet kontribuojnë në shtimin e urisë

“Konfliktet e armatosura, që po shohim aktualisht – denoncon Françesku – nuk janë vetëm përgjegjëse për një numër të konsiderueshëm vdekjesh, zhvendosjesh masive dhe degradim mjedisor, por kontribuojnë edhe në shtimin e urisë e të varfërisë, si drejtpërdrejt në zonat e prekura, ashtu edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, në vende me qindra apo mijëra kilometra larg zonave të konfliktit, veçanërisht përmes ndërprerjes së furnizimit me ushqime. Luftërat vazhdojnë të ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi ekonomitë kombëtare, sidomos, për shkak të sasisë së tepruar të parave të shpenzuara për armë dhe armatime”.

Kardinali Pietro Parolin në G20
Kardinali Pietro Parolin në G20

Uria nuk është vetëm çështje e mungesës së ushqimit

Pastaj Papa trajton temën e urisë. “Pranimi i heshtur i urisë nga shoqëria njerëzore është një padrejtësi shkandulluese. Ata, që shkaktojnë urinë dhe vdekjen e vëllezërve dhe motrave të tyre në familjen njerëzore, në mënyrë indirekte, kryejnë vrasje, për të cilën u duhet kërkuar llogari. Nuk duhet kursyer asnjë përpjekje për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria dhe uria. Ka rëndësi të mbahet parasysh se problemi i urisë nuk është vetëm çështje e mungesës së ushqimit; është më shumë pasojë e padrejtësive më të mëdha shoqërore dhe ekonomike. Varfëria, në veçanti, është faktor, që kontribuon rëndë mbi urinë, duke e bërë të vazhdueshëm ciklin e pabarazive ekonomike dhe shoqërore të përhapura në shoqërinë tonë globale. Uria dhe varfëria janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Prandaj, është e qartë se duhet të ndërmerren veprime të menjëhershme dhe vendimtare për ta çrrënjosur plagën e urisë dhe të varfërisë”.

Fondet për armët të përdoren për luftën kundër urisë

Së fundi, Papa Françesku ripohoi edhe një herë kërkesën e tij që "fondet e destinuara aktualisht për armët dhe shpenzimet e tjera ushtarake të mblidhen në një fond global, me synimin për t’i bërë ballë urisë dhe për të promovuar zhvillimin në vendet më të varfëra. Kjo qasje do t’i ndihmonte qytetarët e këtyre vendeve të mos detyrohen të përdorin zgjidhje të dhunshme, ose iluzore, ose të largohen nga vendet e tyre në kërkim të një jete më dinjitoze”.

19 nëntor 2024, 09:34