Kërko

Il Papa con alcuni fedeli (foto d'archivio) Il Papa con alcuni fedeli (foto d'archivio)

Papa: "Jepni ngushëllim dhe ndihmë atyre që kanë vuajtur"

Mesazhi i Papës pjesëmarrësve në Konferencën për mbrojtjen e Kishës Katolike në Evropë, nxitur nga Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve. Aktiviteti fillon sot, për të vijuar deri më 15 nëntor, me pjesëmarrjen e mbi 100 ekspertëve nga 25 vende evropiane. Françesku e inkurajon ngjarjen: "Angazhimi juaj në këtë kauzë është shenjë e përpjekjeve të vazhdueshme të Kishës për të mbrojtur të pambrojturit".

R.SH. / Vatikan

“Të ngushëllohen dhe të ndihmohen ata që vuajtën e që vuajnë, si shenjë e shqetësimit të Kishës për drejtësinë, shërimin dhe pajtimin”. Ky, inkurajimi i Papës Françesku për pjesëmarrësit në Konferencën kushtuar mbrojtjes së Kishën Katolike në Evropë, e cila fillon sot, e mërkurë 13 nëntor, e vijon deri të premten, 15, në Romë, në Palazzo Maffei Marescotti, selia e Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve.

Përpjekje të vazhdueshme

Është pikërisht organizmi papnor që e organizon ngjarjen me rreth njëqind pjesëmarrës: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, laikë, disa viktima dhe të mbijetuar, të ardhur nga 25 vende evropiane. Në një mesazh të përhapur sot, Papa nënvizon se sa "jetik" është misioni i mbrojtjes së fëmijëve dhe të rriturve të pambrojtur brenda Kishës: "Përkushtimi juaj për këtë kauzë është shenjë e përpjekjeve të vazhdueshme të Kishës për të mbrojtur më të pambrojturit mes nesh", u shkruan pjesëmarrësve të samitit.

Shenjë uniteti dhe solidariteti

Françesku nuk i harron as ngjarjet aktuale dhe vëren se disa nga vendet e origjinës së pjesëmarrësve "po përballojnë sfidat e luftës dhe të konfliktit": "Më kujtohet - nënvizon - thirrja jonë e krishterë për të qenë ndërtues të paqes dhe për të pasur kujdes për vëllezërit dhe motrat tona në vështirësi. Prania juaj, prandaj, është dëshmi e dukshme e unitetit dhe solidaritetit që i kapërcen të gjithë kufijtë”.

Rrjeti i njerëzve dhe praktikat e mira

Së bashku me këtë, Konferenca - nënvizon Papa - është sigurisht mundësi për "mirëkuptim më të plotë" dhe "angazhim më të thellë" në mbrojtjen e të miturve dhe të pambrojturve. "Besoj se përpjekjet tuaja për të krijuar një rrjet njerëzish dhe praktikash të mira do të ofrojnë një forum të domosdoshëm për të ndarë njohuritë, për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të siguruar që programet e mbrojtjes të jenë efektive dhe të qëndrueshme". Me këto fjalë plot optimizëm mbyllet mesazhi për të ardhmen e atyre që vijojnë të vuajnë.  

13 nëntor 2024, 13:18