Kërko

2024.11.24 Santa Messa nella Solennita' di Cristo Re 2024.11.24 Santa Messa nella Solennita' di Cristo Re

Papa: jeta gjen dritë dhe kuptim vetëm në dashurinë e Zotit

Në homelinë e Meshës së sotme, Papa refuzon çdo logjikë të fuqisë e pohon çdo logjikë të Zotit. Jemi në fund të viti liturgjik “Herët a vonë kritikat dhe akuzat e rreme largohen dhe vlerat sipërfaqësore, që i mbështesin, zbulohen e duket qartë se janë iluzione. Jezusi sillet në këtë mënyrë sepse refuzon çdo logjikë të fuqisë (shih Mk 10,42-45). Ai është i lirë nga e gjithë kjo!”. Ato që mbeten, siç na mëson Krishti, janë vepra dashurie, që e bëjnë jetën të bukur! Pjesa tjetër nuk ka rëndësi

R.SH. / Vatikan

Në fund të vitit liturgjik, këtë të diele të 34-të gjatë vitit liturgjik, Kisha katolike kremton Solemnitetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë dhe na fton të shohim tek Ai, Zoti, zanafillën dhe përmbushjen e të gjitha sendeve (shih Kol 1,16-17),  e "mbretërinë e Tij, që nuk do të ketë kurrë mbarim " (Dn 7,14).

Pyetje të vështira, por të rëndësishme

 Soditje që larton dhe emocionon - vijoi Papa - Megjithatë, nëse më pas shikojmë përreth, ajo që shohim duket ndryshe, ndaj mund të lindin pyetje shqetësuese brenda nesh. Çfarë të thuash për luftërat, dhunën, fatkeqësitë ekologjike? Dhe çfarë të mendosh për problemet me të cilat ju, të dashur të rinj, duhet të përballeni, duke parë të nesërmen: pasigurinë e punës, pasigurinë ekonomike e më gjerë, ndarjet dhe pabarazitë që polarizojnë shoqërinë? Pse ndodh e gjithë kjo? Dhe çfarë mund të bëjmë për të mos u dërrmuar prej saj? Këto janë pyetje të vështira, por të rëndësishme.

Për këtë arsye sot, ndërsa kremtojmë Ditën Botërore të Rinisë në të gjitha Kishat, dëshiroj t'ju propozoj veçanërisht juve të rinjve, në dritën e Fjalës së Zotit, të reflektoni mbi tre aspekte, të cilat mund të na ndihmojnë të vazhdojmë me guxim rrugëtimin tonë, përmes sfidave që hasim. Ato janë: akuzatkonsensusi dhe e vërteta.

Aspekti i parë, akuzat

 Së pari - vijoi Papa - akuzat. Ungjilli i sotëm nga Gjoni na paraqet Jezusin në rolin e të akuzuarit (Gjn 18,33-37). Ai është - siç thonë - “në bankën e të akuzuarve”, në gjykatë. E pyet Pilati, përfaqësuesi i Perandorisë Romake, në të cilin mund të shohim të pasqyruara të gjitha fuqitë që në histori shtypin njerëzit me forcën e armëve. Pilati nuk është i interesuar për Jezusin. Por ai e di se njerëzia e ndjekin, duke e konsideruar  udhërrëfyes, mjeshtër, Mesi dhe Prokurori nuk mund të lejojnë që ndokush të krijojë pështjellime e trazira në “paqen e militarizuar” të zonës së tij. Prandaj ai i kënaq armiqtë e fuqishëm të këtij profeti të pambrojtur: e nxjerr në gjyq dhe e kërcënon se do ta dënojë me vdekje:

E Ai, që gjithmonë ka predikuar vetëm drejtësinë, mëshirën dhe faljen, nuk ka frikë, nuk e lë veten të frikësohet, as rebelohet: i qëndron besnik të vërtetës që ka shpallur, madje edhe flijimit të jetës. 

Thirrje, të rinjve!

Të dashur të rinj, ndoshta ndonjëherë mund t'ju ndodhë të viheni "nën akuzë" për ndjekjen e Jezusit. Në shkollë, ndërmjet miqve, në mjediset që frekuentoni mund të jetë edhe ndonjë që dëshiron t’jua mbushë mendjen se keni gabuar duke i qëndruar besnikë Ungjillit dhe vlerave të tij. E pse të mos përputhesh, të mos përkulesh, të bësh si gjithë të tjerët? Sidoqoftë, mos kini frikë nga "dënimet", mos u shqetësoni:

“Herët a vonë kritikat dhe akuzat e rreme largohen dhe vlerat sipërfaqësore që i mbështesin zbulohen e duket qartë se janë iluzione. Ato që mbeten, siç na mëson Krishti, janë diçka tjetër: janë vepra dashurie. Kjo mbetet, kjo që e bën jetën të bukur! Pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Prandaj, e përsëris: mos kini frikë nga "dënimet" e botës. Vazhdoni të dashuroni!”.

Ndiqeni shembullin e Jezusit

Vijmë te pika e dytë: pëlqimi! Jezusi pohon: "Mbretëria ime nuk është e kësaj bote" (Gjn 18:36). Çfarë do të thotë? Pse nuk bën asgjë për të garantuar suksesin e tij, për t'u kënaqur me të fuqishmit, për të gjetur mbështetje për programin? Si mund të mendojë t’i ndryshojë gjërat, si "i mundur"?

“Në të vërtetë Jezusi sillet në këtë mënyrë sepse refuzon çdo logjikë të fuqisë (shih Mk 10,42-45). Ai është i lirë nga e gjithë kjo!”

E edhe ju do t’ju bëjë mirë të ndiqni shembullin e tij – u kujtoi Papa të rinjve -  duke mos lejuar të infektoheni nga dëshira - kaq e përhapur sot - për t’u dukur, për t’u miratuar, për t’u lëvduar. Kush e lejon veten të kapet nga këto fiksime, përfundon duke jetuar në telashe. Shet idealet, për t’u dukur në sytë e botës!

Zoti ju do kështu siç jeni

Por Zoti ju do kështu siç jeni: para Tij ëndrrat tuaja të pastra vlejnë më shumë se suksesi dhe fama, e sinqeriteti i qëllimeve tuaja vlen më shumë se konsensusi. Mos lejoni të mashtroheni nga ata që, duke ju joshur me premtime të kota, duan vetëm t'ju shfrytëzojnë, të ndikojnë mbi ju dhe t'ju përdorin për interesat e tyre. Mos u kënaqni nëse bëheni "yje për një ditë", në rrjetet sociale apo në ndonjë kontekst tjetër - ishte porosia e Papës, që më pas përshkroi qiellin e Zotit.

Qielli, në të cilin jeni thirrur të shkëlqeni, është më i madh: është qielli i Zotit, në të cilin dashuria e pafundme e Atit reflektohet në dritat tona të vogla të panumërta: në dashurinë besnike të bashkëshortëve, në gëzimin e pafajshëm të fëmijëve, në entuziazmin e të rinjve, në kujdesin ndaj të moshuarve, në bujarinë e të shuguruarve, në bamirësinë ndaj të varfërve, në ndershmërinë e punës:

“Kjo është kupa qiellore e vërtetë, në të cilën do të shkëlqeni si yje në botë (shih Fil 2,15): mos dëgjoni askënd që ju gënjen dhe ju thotë të kundërtën! Nuk është konsensusi ai që e shpëton botën, as që na bën të lumtur, por  dashuria falas”.

E kështu vijmë te pika e tretë: e treta e vërteta. Krishti erdhi në botë "për të dëshmuar të vërtetën" (Gjn 18,37), dhe e bëri këtë duke na mësuar të duam Perëndinë dhe vëllezërit tanë (shih Mt 22,34-40; 1 Gjn 4,6-7). Vetëm atje, në dashuri, jeta jonë gjen dritë dhe kuptim (shih 1 Gjn 2:9-11). Përndryshe, ne mbetemi skllevër të një gënjeshtre të madhe: asaj të "Un-it" të vetë-mjaftueshëm, rrënjë e çdo padrejtësie dhe pakënaqësie.

Krishti, i cili është rruga, e vërteta dhe jeta (shih Gjn 14,6) - vijoi të shpjegojë Papa - duke u zhveshur nga gjishçka e duke vdekur lakuriq në kryq për shpëtimin tonë, na mëson se vetëm në dashuri mund të jetojmë, të rritemi dhe të lulëzojmë me dinjitet të plotë (krh. Ef 4,15-16). Përndryshe, siç i shkruante i Lumi Pier Giorgio Frassati një miku - një i ri i tillë - nuk jeton më, por “gjallon në zgrip të jetës” (shih Letër Isidoro Boninit, 27 shkurt 1925). Ne duam të jetojmë, jo t'ia dalim mbanë, dhe për këtë arsye përpiqemi të dëshmojmë për të vërtetën me dashuri hyjnore, duke e dashur njëri-tjetrin, siç na deshi Jezusi (shih Gjn 15,12).

Vëllezër e motra - vijoi Papa - nuk është e vërtetë, siç mendojnë disa, se ngjarjet e botës i kanë “shpëtuar” nga duart Zotit. Nuk është e vërtetë se historinë e bëjnë dhunuesit dhe ngacmuesit. Shumë të këqija që na mundojnë janë vepër e njeriut, mashtrim i të ligut, por gjithçka i nënshtrohet, në fund, gjykimit të Krishtit, Mbretit të drejtë dhe të mëshirshëm (shih Mt 25,31-46). Ai na lë të lirë, por nuk na lë të qetë: edhe pse na korrigjon kur rrëzohemi, vijon të na dojë dhe, nëse e duam, të na ngrejë përsëri në këmbë, që të mund të rifillojmë me gëzim shtegtimin tonë.

Në fund të kësaj Eukaristie - kujtoi Papa - të rinjtë portugezë do t'u besojnë të rinjve koreanë simbolet e Ditës Botërore të Rinisë: Kryqin dhe figuren e Marisë Virgjër Salus Populi Romani:

“Edhe kjo është shenjë: ftesë, për të gjithë ne, që ta jetojmë dhe ta çojmë Ungjillin në katër anët të tokës, pa u ndalur dhe pa e humbur guximin, duke u ngritur - pas çdo rënieje dhe duke mos pushuar së shpresuari, siç thotë mesazhi i kësaj Dite: “Ata që shpresojnë te Zoti, ecin pa u lodhur” (shih Is 40,31)”.

T'i mbajmë, prandaj, sytë ngulur te Jezusi, te Kryqi i tij, te Maria, Nëna jonë: kështu, edhe në vështirësi, do të gjejmë forcën për të ecur përpara, pa frikë nga akuzat, pa nevojë për të na pëlqyer, të lumtur që jemi për të gjithë, në dashuri, dëshmitarë të së vërtetës.

24 nëntor 2024, 12:11