Papa: Jubileu, mundësi për të reflektuar mbi shpresën, në këto kohë lufte
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku
Jubileu i vitit 2025, Viti i Shenjtë që desha t'i kushtohej temës "Shtegtarët e Shpresës", është mundësi e favorshme për të reflektuar mbi këtë virtyt të krishterë: themelor dhe vendimtar. Sidomos në kohë si këto që po jetojmë, në të cilat lufta e tretë botërore pjesë-pjesë që po shpaloset para syve tanë mund të na shtyjë të mbajmë qëndrime dëshpërimi të errët dhe cinizmi të fshehur keqas.
Megjithatë, shpresa është dhuratë dhe detyrë për çdo të krishterë. Është dhuratë, sepse na e ofron vetë Zoti. Të shpresosh, nuk është thjesht akt optimizmi, si atëhere kur shpresojmë të kalojmë një provim në universitet ("Le të shpresojmë se mund ta bëjmë") ose shpresojmë mot të mirë për një udhëtim jashtë qytetit në një të diel pranvere. ("Le të shpresojmë se është mot i mirë"). Jo, shpresa është në pritje për diçka që tashmë na është dhënë: shpëtimin në dashurinë e përjetshme dhe të pafundme të Zotit, atë shpëtim, që i jep shije jetës sonë dhe që përbën menteshën mbi të cilën bota qëndron në këmbë, pavarësisht nga të gjitha: nga ligësia dhe mizoritë e shkaktuara nga mëkatet tona si burra dhe gra. Të shpresosh, pra, do të thotë ta mirëpresim këtë dhuratë që Perëndia na ofron çdo ditë. Të shpresosh, do të thotë të shijosh mrekullinë që të jesh i dashur, i kërkuar, i dëshiruar nga një Zot, që nuk u fsheh në qiejt e tij të padepërtueshëm, por u bë mish e gjak, histori dhe ditë, për të ndarë fatin e Tij me tonin.
Shpresa është gjithashtu detyrë, që të krishterët duhet ta kultivojnë dhe ta përdorin për të mirën e të gjithë vëllezërve dhe motrave të tyre. Detyra është të qëndrojmë besnikë ndaj dhuratës, siç theksohet me të drejtë nga Madeleine Delbrêl, grua franceze e shekullit të njëzetë, e aftë për ta çuar Ungjillin në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale të Parisit në mesin e shekullit të kaluar, të shënuar nga de-kristianizimi. Madeleine Delbrêl shkruante: «Shpresa e krishterë na cakton atë vijë të ngushtë kurrizore, atë kufi, ku thirrja jonë kërkon që të zgjedhim, çdo ditë dhe çdo orë, për të qenë besnikë ndaj besnikërisë që ka për ne Perëndia”. Zoti është besnik ndaj nesh, detyra jonë është t'i përgjigjemi kësaj besnikërie. Por, kujdes: nuk jemi ne ata që e lindim këtë besnikëri, është dhuratë nga Zoti që vepron në ne, nëse lejojmë të formohemi nga forca e tij e dashurisë, nga Shpirti Shenjt, që vepron si afsh frymëzimi në zemrën tonë. Prandaj, është detyra jonë ta kërkojmë këtë dhuratë: "O Zot, ma jep dhuratën të jem besnik ndaj teje në shpresë!".
Thashë se shpresa është dhuratë nga Zoti e edhe detyrë për të krishterët.
E për ta jetuar shpresën duhet "misticizëm me sy të hapur", siç e quante teologu i madh Joseph-Baptist Metz: të dish të shohësh kudo prova të shpresës, shpërthimin e së mundurës në të pamundurën; hirin, ku do të dukej se mëkati ka gërryer çdo besim. Pak kohë më parë pata rastin të dialogoja me dy dëshmitarë të jashtëzakonshëm të shpresës, dy baballarë: një izraelit, Rami; një palestinez, Bassam. Të dy humbën bijat e tyre në konfliktin që vijon ta përgjakë Tokën Shenjte prej shumë dekadash. Por megjithatë, në emër të dhimbjes së tyre, të vuajtjes së provuar nga vdekja e dy vajzave të tyre të vogla - Smadar dhe Abir - ata u bënë miq, ose më mirë, vëllezër: faljen dhe pajtimin e jetojnë si gjest konkret, profetik dhe autentik. Takimi me ta më dha aq, aq shumë shpresë. Miqësia dhe vëllazëria e tyre më mësuan se urrejtja, në praktikë, mund të mos e ketë fjalën e fundit. Pajtimi që ata po e jetojnë si individë, është profeci e një pajtimi më të madh dhe më të gjerë: përbën një shenjë të pathyeshme shprese. E shpresa na hap horizonte të papërfytyrueshme.
Ftoj çdo lexues të këtij teksti të bëjë një gjest të thjeshtë, por konkret: në mbrëmje, para se të shkoni në shtrat, duke ripërsëritur ngjarjet që keni përjetuar dhe takimet që keni pasur, shkoni në kërkim të një shenje shprese në ditën që sapo ka perënduar. Një buzëqeshje nga dikush që nuk e prisje, një akt bujarie, që vërehet në shkollë; një dashamirësi, që gjendet në vendin e punës; një gjest ndihme, ndoshta edhe i vogël: shpresa është me të vërtetë "virtyt foshnjor", shkroi Charles Péguy. Dhe ne duhet të bëhemi rishtas fëmijë, me sytë e tyre të mrekulluar mbi botën, që ta takojmë, ta njohim dhe ta vlerësojmë. Le të stërvitemi për të njohur shpresën. Atëherë do të jemi në gjendje të habitemi se sa shumë e mira ekziston në botë. Dhe zemra jonë do të ndriçojë nga shpresa. Kështu, ne mund të jemi fenerët e së ardhmes, për ata që na rrethojnë.
Qyteti i Vatikanit, 2 tetor 2024