Kërko

Papa, kalasancianëve: shërbejuni të varfërve, mos flisni kurrë për "karrierë kishtare"

Françesku takohet me rregulltarë e laikë të bashkuar nga karizma e Shën Jozef Kalasancit, themeluesit të Shkollave të Përshpirtshme dhe të Urdhrit të Etërve Skolopë, në 75-vjetorin e tyre. I fton ta ruajnë thirrjen për t’u kujdesur për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, në një botë, që i nxit të rinjtë drejt individualizmit. Papa kërkon marrëdhënie "normale", jo "virtuale"

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në audiencë rregulltarët dhe laikët e Familjes Kalasanciane, që jo më larg se dje, 27 nëntor, kremtoi 75-vjetorin e themelimit. Pikërisht karizmën e shën Jozef Kalasancit u tha ta ruajnë si në Shkollat e Përshpirtshme, ashtu edhe në Urdhrin e Etërve Skolopë, themeluar prej tij. Ati i Shenjtë Bergoglio i ftoi të kujdesen për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, në një botë, që i nxit të rinjtë drejt individualizmit. Në katër kontinente, kujtoi Françesku, Familja bashkohet "në karizmën edukative të Pajtorit universal të të gjitha shkollave popullore të krishtera në botë, Shën Jozef Kalasancit” dhe së shpejti do të kremtojë, në vitin 2025, 100-vjetorin e vdekjes së dy prej themeluesve të tjerë, Shën Faustino Míguez dhe e Lumja Celestina Donati.

Bindja e guximshme para Provanisë Hyjnore

Duke përmendur thirrjen e tyre për edukimin e rinisë, Papa u kërkoi kalasancianëve të bartin edhe në të ardhmen dy aspekte të rëndësishme të saj: bindjen e guximshme para Provanisë Hyjnore dhe kujdesin për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut. Duke folur për aspektin e parë, Ati i Shenjtë nënvizoi se Shën Jozefi, "nga një familje e pasur", ishte "ndoshta i destinuar për karrierë kishtare". Një term, që më sëmur, ngriti zërin Papa, duke theksuar se çdo kalasancian duhet të largohet prej karrierizmit, siç bëri shenjti, i cili hoqi dorë nga çdo gjë tjetër, për t’iu kushtuar fëmijëve të rrugës, për të cilët themeloi shkollat, që u shërbejnë të rinjve edhe sot e kësaj dite.

“Mos kini frikë të hyni në shtigje të ndryshme nga ato të ndjekura në të kaluarën, për t'iu përgjigjur nevojave të të varfërve, edhe me koston e rishikimit të skemave dhe të ridimensionimit të pritshmërive. Në këtë braktisje plot besim në duart e Provanisë i keni rrënjët tuaja dhe duke u qëndruar besnikë atyre, do ta mbani gjallë karizmën”.

Kujdesi për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut

Duke folur për aspektin e dytë - “kujdesi për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut” - Papa kërkoi që studentët e kalasancianëve të jenë në gjendje të bashkojnë tri inteligjencat, atë të mendjes, atë të zemrës e atë të duarve.

“Sot është shumë urgjente t’i ndihmojmë të rinjtë për ta bërë këtë lloj sinteze, këtë unitet harmonik të tri inteligjencave, për të "krijuar unitet" brenda vetes dhe me të tjerët, në një botë që i shtyn ata gjithnjë e më shumë në drejtim të fragmentimit të ndjenjave dhe të njohurive, si edhe në individualizëm në marrëdhënie”.

Papa, siç bën shpesh, nguli këmbë të edukohen të rinjtë që të krijojnë marrëdhënie normale, ta takojnë njëri-tjetrin e të shihen në sy e jo të komunikojnë përmes telefonit. Së fundi, u kërkoi gjithë anëtarëve të Familjes së madhe Kalasanciane të ecin së bashku në shërbimin e tyre në shoqëri. “Është stili i Jezu Krishtit, që është edhe stili i Kishës”, përfundoi Ati i Shenjtë.

28 nëntor 2024, 11:43