Kërko

Viaggio Apostolico in Lituania Lettonia Estonia 2018.09.23 Viaggio Apostolico in Lituania Lettonia Estonia 2018.09.23

Papa katolikëve të Estonisë: lufta është burim ankthi, na kujton kohët e errëta të historisë

Françesku i dërgon një letër ipeshkvit të Talinit, Imzot Philippe Jourdan, për njëqindvjetorin e krijimit të Administratës Apostolike të Estonisë: "Ky përvjetor përkujton shpresën dhe besimin e palëkundur te Zoti gjatë dekadave vuajtjesh, okupimi, shtypjeje". Papa kujton Kryeipeshkvin jezuit Profittlich, viktimë e persekutimit sovjetik: forca e tij shpirtërore duke qëndruar pranë grigjës, deri në derdhjen e gjakut, mbolli fara që japin fryte edhe sot.

R.SH. / Vatikan

Duke kujtuar udhëtimin e tij apostolik në vitin 2018, por me një sy mbi ngjarjet aktuale dhe "luftën e sotme në Evropë", e cila është "burim i ankthit të thellë dhe i bën jehonë tragjikisht çasteve më të errëta të së kaluarës", Papa Françesku u bën thirrje katolikëve të Estonisë "të ndërtojnë një shoqëri të rrënjosur në paqe, drejtësi, solidaritet dhe dinjitet të çdo njeriu". Njëkohësisht i nxit për të bashkëpunuar "gjithnjë e më shumë me burrat dhe gratë e konfesioneve të tjera të krishtera, që të japin dëshmi të përbashkët për premtimet e Perëndisë". Është mandat për të gjithë besimtarët në vendin e Evropës Lindore, kjo letër drejtuar ipeshkvit të Talinit, Imzot Philippe Jourdan, me rastin e njëqindvjetorit të krijimit të Administratës Apostolike të Estonisë, ngritur së fundmi në gradën e Dioqezës.

Besnikëria ndaj fesë

Një përvjetor i cili është "piketë" në historinë e vendit dhe që, nënvizon Françesku, "shënon një shekull besnikërie të patundur ndaj fesë katolike, që e lejoi këtë kishë të vogël, por të gjallë, të jetë burim dhembshurie dhe ushqimi shpirtëror për burra e gra të panumërta në mbarë vendin”. Në të njëjtën kohë, përvjetori "përkujton shpresën dhe besimin e palëkundur në Zotin gjatë dekadave të vuajtjes, pushtimit dhe shtypjes", thekson Papa.

Dëshmia e Kryeipeshkvit Profittlich

Duke reflektuar pikërisht për shekullin e kaluar, ipeshkvi i Romës shpreh mirënjohjen "për shembullin e besimit" të ofruar nga "paraardhësit e guximshëm dhe rezistues, vendimtarë në ushqimin dhe mbështetjen e bashkësisë katolike në Estoni". Në veçanti, Papa citon shërbëtorin e Zotit Eduard Profittlich, jezuit dhe kryeipeshkëv gjerman katolik estonez i natyralizuar, administrator apostolik i Estonisë dhe viktimë e persekutimit sovjetik. Dëshmia e tij dhe “forca e tij shpirtërore për të qëndruar pranë grigjës, deri në derdhjen e gjakut, mbollën farë, që po japin fryte edhe sot”, nënvizon Françesku në letër. “Dëshmia e tij le të jetë gjithmonë  burim frymëzimi për ju dhe ju kujtoftë se edhe bima më e vogël, gjesti më i vogël dhe oferta më e përulur mund të rriten shumë përtej origjinës së tyre modeste, për të dhënë korrje të begatë.”

Zelli për ungjillëzimin, ndërmjet të rinjve

Papa Françesku thekson, më pas, besimin që ka "nga kjo trashëgimi e admirueshme bamirësie, e cila karakterizon këtë dioqezë e që do të inkurajojë brezin aktual të priftërinjve, rregulltarëve dhe besimtarëve laikë që të vazhdojnë të rriten në dishepullim misionar të gëzueshëm, me sytë e ngulur në të ardhmen".

Shpreson se njëqindvjetori do të jetë - siç shkruan - "rast për ripërtëritje shpirtërore në tokën tuaj, duke ndezur një ndjenjë të përtërirë zelli për ungjillizimin, veçanërisht ndërmjet të rinjve", në mënyrë që t'i bëjë "më të gatshëm për të shpallur mesazhin e Dashurisë, mëshirës dhe pajtimit me Zotin, duke sjellë kështu dritën e Jezusit dhe fuqinë çliruese të Ungjillit për shumë burra dhe gra të sotme, që nuk besojnë në Zotin".

T’u zgjatet dora refugjatëve

“Shpirti Shenjt - shkruan Papa në përfundim të letrës – mund t'ju udhëzojë që të jeni shenjë elokuente e besimit të vazhdueshëm në provaninë e Zotit dhe t'i udhëhiqni të krishterët estonezë, së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë, t’ua zgjasin dorën e miqësisë refugjatëve dhe më të pambrojturve nga vëllezërit dhe motrat tona”.

Prej këndej, lutja e Papës që Zoti “të vazhdojë t'i shoqërojë, priftërinj, rregulltarë  dhe besimtarë laikë të Kishës në Estoni, në ndërmarrjen e kapitullit të ardhshëm të rrugëtimit tuaj plot besim, shpresë dhe dashuri”.

03 nëntor 2024, 16:04