Papa: ata që kanë prona, t'ua ofrojnë atyre që jetojnë në kushte të pasigurta
R.SH. / Vatikan
Një gjest "guximtar", por mbi të gjitha "dashurie" që Papa kërkon për Jubileun e ardhshëm 2025 nga të gjitha subjektet kishtare të Dioqezës së Romës, të cilët zotërojnë prona, për të ofruar hapësirat në dispozicion, "veçanërisht atyre që kanë objekte ose apartamente të lira”, për të mirëpritur njerëzit në vështirësi, për të “frenuar urgjencën e strehimit” dhe për të “ringjallur shpresën” e mijëra banorëve të kryeqytetit që “jetojnë në një situatë të pasigurt strehimi”.
Shenjat e shpresës, për ata që jetojnë në vështirësi
Papa Françesku e nxit këtë akt bamirësie në një letër drejtuar meshtarëve, rregulltarëve dhe klerit sot, më 15 nëntor. Në Bulën që shpalli Vitin Shenjt Spes non Confundit, Ipeshkvi i Romës i nxiste të gjithë të jenë "shenja të prekshme shprese për shumë vëllezër dhe motra që jetojnë në kushte të vështira". “Zoti don gjithmonë nëpërmjet dikujt”, nënvizon sot në letër, duke cituar frazën e paharrueshme të të Lumit Atë Pino Puglisi, meshtarit sicilian të vrarë nga mafia, që e pagoi me jetën e tij vëmendjen dhe përkushtimin ndaj të tjerëve.
Bamirësi, në heshtje
Në letër, Papa falenderon shumë famullitë kishtare, bashkësitë rregulltare, shoqatat, lëvizjet kishtare dhe familjet e shpërndara në të gjithë qytetin, të cilët tashmë bëjnë kaq shumë "për të përcjellë dashurinë e Zotit, nëpërmjet gjesteve konkrete të bamirësisë (shpesh në heshtje)". “Kështu e mira e përbashkët - nënvizon Jorge Mario Bergoglio - në bazë të mendimit social të Kishës, përmbledh në vetvete të gjitha kushtet që garantojnë dinjitetin njerëzor i cili, siç e ka sqaruar vazhdimisht, merr formën e tri të drejtave të pacenueshme: tokës, shtëpisë dhe punës”.
Format e mbrojtjes, për ata që janë të pastrehë ose rrezikojnë të humbasin shtëpinë e tyre
Në funksion të Jubileut, Papa Françesku i kërkon dioqezës së tij "t'i kushtojë një shenjë të prekshme vëmendjeje problemeve të strehimit", në mënyrë që "krahas mirëseardhjes që u bëhet të gjithë shtegtarëve të cilët vijnë, të aktivizohen edhe format e mbrojtjes për ata që nuk kanë shtëpi, ose rrezikojnë ta humbasin".
“Në këtë këndvështrim – lexojmë në letër të Papës – uroj që të gjitha subjektet dioqezane, të cilat zotërojnë prona, të ofrojnë kontributin e tyre për të frenuar urgjencën e strehimit me shenja bamirësie dhe solidariteti e për të lindur shpresë tek mijëra njerëz, që jetojnë në qytetin e Romës në kushtet e pasigurisë së strehimit”.
Bashkëpunim me institucione e shoqëri
Institucionet dhe administratat e niveleve të ndryshme, së bashku me shoqatat dhe lëvizjet popullore, po organizohen për të "forcuar reagimin e mirëseardhjes dhe solidaritetit ndaj këtyre vëllezërve dhe motrave, duke punuar në bashkëpunim me institucionet dhe shoqëritë civile", shpjegon Papa. “Kisha është gjithashtu e thirrur të kontribuojë”.
Institucionet dhe shërbimet sociale i ndjekin njerëzit për t'i mirëpritur, ndërsa shoqatat dhe lëvizjet popullore do të ofrojnë shërbime personale, aktivitete përkujdesjeje dhe marrëdhënie të mira me ta, për ta "bërë mirëseardhjen të denjë" dhe për të "krijuar vëllazëri".
Faleminderit për bujarinë tuaj
Kushdo që vihet në dispozicion për t'iu përgjigjur thirrjes, mund t’i drejtohet Vikarit të Përgjithshëm të Dioqezës së Romës, Kardinalit Baldassare Reina, shkruan Papa, i cili i falënderon paraprakisht për "bujarinë" dhe "për gjithçka që do të bëjnë, duke përçuar dashurinë e Zotit dhe duke krijuar shpresë në jetën e të gjithëve, veçanërisht, atyre që kanë më shumë nevojë për të”.