Papa Françesku përshëndet kardinalin Miguel Angel Ayuso Guixot Papa Françesku përshëndet kardinalin Miguel Angel Ayuso Guixot

Papa kujton kardinalin Ayuso: punoi për vëllazërimin e popujve dhe të feve

Telegram ngushëllimi i Papës për kardinalin spanjoll, prefekt i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar, i cili u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare, në fund të një sëmundjeje të gjatë “duruar me shumë fe”. Françesku vlerëson shërbimin e tij në Kishë, "pa kursyer veten", si misionar në Egjipt dhe Sudan, si kryetar i Pisai-t dhe së fundi, në Kurien Romake: gjithmonë, duke “dëshmuar me butësi dhe urti"

R.SH. – Vatikan

“Në çdo vepër apostolike u frymëzua gjithmonë nga dëshira për të dëshmuar, me butësi dhe urti, dashurinë e Zotit për njeriun, duke punuar për vëllazërimin e popujve dhe të feve". Me këto fjalë, Papa Françesku kujton figurën e kardinalit Miguel Ángel Ayuso Guixot, prefekt i Dikasterit vatikanas për Dialogun Ndërfetar, i cili u nda nga jeta më 25 nëntor, në moshën 72-vjeçare. Kardinali spanjoll u shtrua në spital në Poliklinikën Gemelli në Romë dhe vdiq "në fund të një sëmundjeje të gjatë, duruar me shumë fe", shkruan Papa Françesku në një telegram ngushëllimi dërguar David Costa Domingues, vikar i përgjithshëm i Misionarëve Kombonianë të Zemrës së Krishtit, kongregata ku Ayuso pati hyrë në vitin 1973.

"Bir shpirtëror i Shën Daniel Kombonit", shkruan Papa për kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot, që në vitin 2019 e zgjodhi në krye të Dikasterit të Vatikanit për marrëdhëniet me fetë e tjera, duke e marrë me vete në udhëtime të shumta apostolike ndërkombëtare.

Shërbim "pa e kursyer veten"

“Me dashuri dhe admirim”, Papa vlerëson veprën e “këtij vëllai, që i shërbeu Ungjillit dhe Kishës me përkushtim dhe delikatesë shpirtërore shembullore”. Në veçanti, Françesku shpreh "mirënjohje" për shërbesën e kryer nga kardinali Ayuso "pa u kursyer, fillimisht si misionar i zellshëm në Egjipt dhe Sudan, pastaj si president i Institutit Papnor të Studimeve Arabe dhe Islame (Pisai) e, së fundi, në Kurien Romake, në Dikasterin për dialogun ndërfetar”. Më pas, Ati i Shenjtë siguron se do t'i lutet Zotit që, "me ndërmjetësimin e Virgjërës së Bekuar, ta mirëpresë këtë shërbëtor besnik në Jerusalemin qiellor".

Funerali

Në orët e fundit kanë mbërritur ngushëllime të shumta për vdekjen e kardinalit nga përfaqësues të feve të tjera, që nënvizojnë humanizmin e madh të Ayuso-s dhe punën e tij për promovimin e dialogut ndërfetar. Funerali kremtohet sot, në orën 14, në Bazilikën e Shën Pjetrit, nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit Kardinalor, së bashku me kardinaj, kryeipeshkvij dhe ipeshkvij të tjerë. Në fund të meshës, Papa Françesku do të kryesojë ritin e Ultima Commendatio dhe të Valedictio.

27 nëntor 2024, 12:19