Papa: kultura është mision dashurie, universitetet janë shtëpia e zemrës
R.SH. - Vatikan
"Ashtu si Kisha, universiteti duhet të jetë një harmoni zërash. Universiteti duhet të jetë shtëpia e zemrës, kultura është mision dashurie”. Kështu foli sot Papa Françesku në Universitetin Gregorian të Romës, që administrohet nga jezuitët, me rastin e Dies Academicus. Kujtojmë se Universiteti – që atëherë quhej Kolegji Romak – u themelua nga Shën Injaci i Lojolës, më 23 shkurt 1551. "Çdo njeri ka veçoritë e veta – vijoi Ati i Shenjtë – të cilat duhet të hyjnë në simfoninë e duhur të Kishës, që krijohet nga Shpirti Shenjt. Ne nuk duhet ta prishim. Shpesh, mbizotëron stili i tiranëve, me pretendimin se vetëm mendimi personal është i drejtë, por kjo është ideologji. Kujdes nga ideologjia”, bëri thirrje Bergoglio.
Edhe sot, denoncoi Papa, pavarësisht se jo gjithnjë si dikur, arsimi është ende privilegj. Më pas, duke iu referuar Inteligjencës Artificiale, u kujtoi studentëve: “Asnjë algoritëm nuk mund ta zëvendësojë poezinë, ironinë, dashurinë dhe fuqinë e imagjinatës”, shtoi ai, por “fatkeqësisht ka shumë dishepuj të ‘Coca Cola-s shpirtërore’”. Në mësimdhënie dhe në punën kërkimore, njeriu, personi, duhet të jetë ylli udhëheqës. “Duhet të dini se ku po shkoni”, nënvizoi Ati i Shenjtë gjatë vizitës në Universitetin Gregorian, përndryshe shkojmë drejt asaj, që ai e quajti “koka-kolizimi i punës kërkimore dhe i mësimdhënies, i përshpirtërisë”.
Më pak katedra e më shumë tryeza pa hierarki
"Më pak katedra e më shumë tryeza pa hierarki; të gjithë lypsarë të dijes", këshilloi Françesku, duke vënë në dukje se në këtë botë të përflakur nga luftërat kemi më shumë nevojë të dëgjojmë ata, që e mendojnë ndryshe. Sipas Papës, në universitete duhen studiuar më shumë traditat lindore e në përgjithësi, Orienti.
Një universitet si ai Gregorian, vazhdoi Papa, duhet t'i kushtojë vëmendje zgjedhjes së pedagogëve dhe drejtuesve akademikë, për t'iu përgjigjur thirrjes së tij origjinale, "duhet të sigurohet se po formon" në frymën e sinodalitetit pa "pretendimin se mendimi personal është më i drejti, ndërsa në të vërtetë nuk kemi të bëjmë me mendim, por, ndoshta, me ideologji”.
Autokritikë për ata, që tjetër kanë mësuar e tjetër zbatojnë
Gjithashtu, është e nevojshme një "autokritikë e sinqertë" përballë faktit që shumë ish-studentë, pasi "kanë arritur në poste qeverisjeje" tregojnë ndjeshmëri "të ndryshme nga ajo që parashikonte projekti i formimit" dhe nuk duket se e "kanë asimiluar frymën" e asaj, që kanë mësuar.
Fjalimi i Papës, i cili mbërriti në Gregoriana rreth 30 minuta përpara orarit të parashikuar, zgjati gati një orë. Bergoglio lexoi një tekst të gjatë, plot citate nga "Demonët" e Dostojevskit dhe nga veprat e Shekspirit. “Sa e trishtueshme është kur shohim se besojmë sidomos te mjetet njerëzore dhe ia lëmë gjithçka në dorë administratorit të radhës”, nënvizoi ai.
“Mos harroni sensin e humorit”, kërkoi së fundi Ati i Shenjtë, duke kujtuar se nganjëherë, kur nuk e merr veten tepër seriozisht, gjen çelësin për punën kërkimore dhe për përparimin e dijes: “nuk është dija e pafarë që e ngop shpirtin, por ndjesia dhe shija e gjërave". Pra, të vazhdohet “duke shmangur labirintet intelektualiste dhe akumulimin e nocioneve e duke vijuar me shijen e ironisë”.
Át Arturo Sosa: universiteti, mjet bashkëpunimi me planin e Zotit
Para se të fliste Papa, Át Arturo Sosa, eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit dhe zv.kancelar i Universitetit Papnor Gregorian, e përshëndeti, duke nënvizuar se misioni i universitetit është të bëhet “mjet i fytshëm bashkëpunimi në misionin që Zoti ia ka besuar Kishës së tij”.
“Përmes mësimit – theksoi ai - ne kontribuojmë në arsimimin e gjithanshëm të njerëzve të formuar mirë intelektualisht, të hapur ndaj misterit të Zotit të pranishëm në realitetin e ndërlikuar të botës dhe të aftë për të reflektuar mbi dhuratën e fesë, që ua ndez zemrat”. Sipas At Sosa-s, "kërkimet shkencore në fusha të ndryshme të shkencës, filozofisë dhe teologjisë çojnë në një kuptim më të thellë të Krijimit dhe kontribuojnë në hapjen e shtigjeve të reja për fenë, e cila impenjohet në shndërrimin e shoqërisë njerëzore, për ta bërë atë më të drejtë, më solidare dhe me më tepër respekt për Krijimin e Hyjit”.
Takimi privat me një grup jezuitësh
Në fund të takimit, Papa Françesku dha çmime akademike për disa studentë. Para se të largohej, takoi privatisht një grup jezuitësh, në Sallën e Tezave.