Papa: mbrojtja e jetës duhet të jetë “integrale”, të mbrojë njerëzit, jo parimet
R.SH. / Vatikan
E mira e përbashkët është para së gjithash "praktikë", e krijuar nga "mirëpritja vëllazërore" dhe "kërkimi i përbashkët" për të vërtetën dhe drejtësinë. E ka "rëndësi të madhe" ta kujtojmë këtë gur themeli të doktrinës shoqërore të Kishës në një botë, të sotmen, "të prekur nga shumë konflikte dhe kontraste", frut i paaftësisë për t’i "ngulur sytë përtej interesave të veçanta". Këto, fjalët që Papa Françesku ua besoi, në një mesazh, pjesëmarrësve në takimin “E mira e përbashkët: teori dhe praktikë”, organizuar nga Akademia Papnore për Jetën, që nisi pasditen e djeshme, 14 nëntor, në Pallatin e Shën Kalistit, në Vatikan.
Debati bioetik në kontekstin social e kulturor
Një takim që, sipas Papës, është "veçanërisht domethënës" për disa arsye. Para së gjithash, “nëse vërtet duam të ruajmë jetën e njeriut në çdo rrethanë e situatë” - shpjegon - “nuk mund të mos i vendosim temat e jetës, madje as ato më klasiket e debatit bioetik, në kontekstin social dhe kulturor, ku ndodhin këto dukuri”. Për Françeskun, mbrojtja e jetës që kufizohet "vetëm në disa aspekte ose momente" dhe që nuk ka parasysh "në mënyrë integrale" të gjitha përmasat ekzistenciale, sociale dhe kulturore, "rrezikon të jetë joefektive dhe mund të tundohet nga një ideologji, që mbron më shumë parimet abstrakte, sesa njerëzit konkretë”.
Kërkimi i të mirës së përbashkët dhe i drejtësisë, janë aspekte kryesore dhe themelore të mbrojtjes së çdo jete njerëzore, veçanërisht më të brishtës dhe më të pambrojturës, duke respektuar të gjithë ekosistemin në të cilin banojmë.
Bashkëpunoni për të ardhmen e njerëzimit falë njohurive të ndryshme
Së dyti, Papa nënvizon praninë, në konferencë, të grave me përgjegjësi dhe prejardhje të ndryshme: “Kemi nevojë, si në shoqëri ashtu edhe në Kishë, të dëgjojmë zërat femërore" - thekson Papa - e edhe për njohuri të ndryshme, që të mundemi të bashkëpunojmë në zhvillimin e një reflektimi “të gjerë dhe të mençur” për të ardhmen e njerëzimit. Kur të gjitha kulturat e botës të mund të ofrojnë kontributin e tyre dhe të shprehin nevojat dhe burimet, atëherë “do të mund të mendojmë dhe të lindim një botë “me dyer të hapura", siç lexojmë në enciklikën Fratelli tutti.
E mira e përbashkët kujtohet shumë, e praktikohet pak
Papa Françesku, në mesazhin e tij, nënvizon se "vëllazëria universale është, në një farë mase, mënyrë 'personale' e ngrohtë për të kuptuar të mirën e përbashkët. Jo thjesht ide, projekt politik dhe social, por - rithekson - bashkësi fytyrash, historish, njerëzish”.
Së fundi, Papa uron të zhvillohen "teori të forta ekonomike", që marrin dhe zhvillojnë temën e së mirës së përbashkët, në mënyrë që ajo të mund të bëhet "parim frymëzues efektiv i zgjedhjeve politike" dhe jo thjesht "kategori që kujtohet shumë shpesh me fjalë, ndërsa shpërfillet edhe më shpesh me fakte”.