Papa: më 9 nëntor dioqezat të kujtojnë shenjtorët, të lumt dhe shërbëtorët e Zotit
R.SH. - Vatikan
Kishat e veçanta, duke filluar nga Jubileu i ardhshëm i vitit 2025, ftohen të kujtojnë dhe të nderojnë figurat e shenjtërisë që hapën rrugën e krishterë dhe atë shpirtërore vendase, çdo vit, më 9 nëntor, në festën e kushtimit të Bazilikës Laterane, në Romë. Ky është vendim i Papës Françesku, në një letër botuar të shtunën e kaluar, 16 nëntor 2024.
Një datë e vetme, në kujtim të Shenjtorëve, të Lumve, të Nderuarve dhe Shërbëtorëve të Zotit.
Duke ripohuar se shenjtëria, në vend që të jetë fryt i përpjekjes njerëzore, është hapësirë e veprimit të Zotit dhe thirrje universale, në qendër të mësimit të Vatikanit II, Papa mendon se është e rëndësishme që të gjitha Kishat vendore t’i kujtojnë në një datë të vetme shenjtorët dhe të lumt, si dhe të nderuarit e shërbëtorët e Zotit të trojeve të tyre përkatëse.
Nuk bëhet fjalë për të shënuar një kujtim të ri në kalendarin liturgjik, por për të nxitur nisma të përshtatshme jashtë liturgjisë, apo për të kujtuar brenda saj, për shembull, në predikim ose në një çast tjetër, që shikohet si i përshtatshëm, ato figura të cilat hapën rrugën e krishterë dhe shpirtërore në vende të ndryshme.
Konferencat Ipeshkvnore do të mund të hartojnë udhëzimet përkatëse
"Kjo do t’i ndihmojë bashkësitë dioqezane - shkruan Papa - ta rizbulojnë ose ta përjetësojnë kujtimin e dishepujve të jashtëzakonshëm të Krishtit, që lanë një shenjë të gjallë të pranisë së Zotit të Ngjallur dhe janë ende sot udhërrëfyes të sigurt në shtegtimin e përbashkët drejt Zotit, duke mbrojtur dhe duke mbështetur”.
Për këtë qëllim, këshillat dhe udhëzimet baritore mund të zhvillohen dhe të propozohen nga Konferencat Ipeshkvnore.
Shenjtëria javore
Në tekstin e Letrës, Papa nënvizon edhe një herë rëndësinë e asaj që e quan "shenjtëria e portës pranë" e cila nuk mungon për Kishën në mbarë botën, gjithmonë e pasur me shenjtorë. Na nxit të kultivojmë marrëdhënie të vazhdueshme dhe intime me ata që, me të drejtë, mund të konsiderohen "miqtë tanë, shoqërues të udhëtimit, të cilët na ndihmojnë të realizojmë plotësisht thirrjen e pagëzimit dhe të na tregojnë fytyrën më të bukur të Kishës, shenjte dhe nënë shenjtorësh”.
Duke mos harruar Martirët, Shërbëtorët e Zotit (kauza e lumnimit dhe kanonizimit të të cilëve është në zhvillim) dhe të Nderuarit (të cilëve u janë dalluar e pranuar virtytet heroike), Papa jep disa shembuj, që mund të gjurmohen në të përditshmen e secilit nesh:
Bashkëshortë, që e jetuan dashurinë e tyre besnikërisht, duke i dhuruar jetës jetë; burra e gra, që në profesione të ndryshme mbështetën familjet e tyre dhe bashkëpunuan në përhapjen e Mbretërisë së Zotit; adoleshentë dhe të rinj, që e ndoqën Jezusin me entuziazëm; barinj që, përmes shërbesës, derdhën dhuratat e hirit mbi popullin e shenjtë të Hyjit; rregulltarë e rregulltare që, duke i jetuar këshillat ungjillore, ishin figurë e gjallë e Jezu Krishtit. Nuk mund t’i harrojmë të varfërit, të sëmurët, të vuajturit që në dobësinë e tyre gjetën mbështetje në Mësuesin Hyjnor.