Papa, misionarëve: të përtërihet fytyra e kësaj toke të plagosur nga padrejtësitë dhe vuajtjet
R.SH. / Vatikan
Kthehemi te “themeli i misionit”, që do të thotë “të pranojmë se jemi fëmijë, të prekur nga mëshira e Zotit” dhe nëpërmjet “gjuhës së dashurisë”, duke ndjekur shembullin e Marisë, ta çojmë Krishtin “në skajet e tokës". Një toke, fytyra e së cilës është “plagosur nga padrejtësitë dhe vuajtjet tona”. Me këtë ftesë, Papa Françesku u drejtohet në mesazhin e tij në spanjisht pjesëmarrësve në Kongresin e VI Misionar Amerikan (Cam 6) që po zhvillohet në Ponce të Porto Rikos, nga 19 deri më 24 nëntor.
Lajmëroni me fjalë dhe me vepra
Duke qenë se “nuk mund të japim atë, që nuk e kemi” dhe as “të shprehim atë, që nuk e kemi jetuar, atë që sytë tanë nuk e panë e duart tona nuk e prekën” - shpjegon Papa - themeli i misionit mbetet “përvoja e Zotit, takimi i dashur me Jezusin”, i cili na zbulon “Lajmin e Mirë” dhe na tregon Atin.
Shembull i kësaj “çudie” për Françeskun janë “misionarët e shumtë që e shpallën me fjalë e vepra”. Edhe Jezusi ishte "misionar", në "fjalët e shqiptuara përpara Zotit", "në lutjen intime që paraprinte çdo veprim të tij", si dhe në "veprat e kryera" për të dhënë "dëshminë e dashurisë më të madhe për popullin e vet".
Të shikojmë Zotin në vëllezërit
Ky është mesazhi, kujton, "që misionarët vazhduan ta përkthejnë në çdo epokë, në çdo vend, në çdo gjuhë", dhe kjo "thirrja e të pagëzuarit": të shohin Zotin, ta shohin atë në botë, në vëllanë e tyre, të ketë sy të “krishteruar” e, bashkë me ta “vështrim të dhembshur, mikpritës, të mëshirshëm”.
Në mesazh Papa ndalohet në pjesët më të spikatura të lutjes drejtuar Trinisë Shenjte, të thënë me rastin e Cam6 dhe nënvizon se Shpirti Shenjt na i frymëzon "fjalët që duhet t’i drejtojmë Zotit e njerëzve".
Kisha i flet të gjitha gjuhët e botës
Që nga agimi i Kishës thirret Shpirti Shenjt që, "përmes forcës së tij jetëdhënëse" të mund ta transmetojmë mesazhin në çdo gjuhë - "Kisha i flet të gjitha" - por, mbi të gjitha, flet gjithmonë me të njëjtën, me gjuhën e dashurisë "që është e kuptueshme për të gjithë njerëzit, pasi bën pjesë në thelbin e tyre, si shëmbëlltyrë e Zotit".
Në këtë mënyrë, gëzimi i Shpirtit nuk përfundon me ta, por zgjerohet, komunikon, duke na ftuar të ecim së bashku, si Popull besnik i Zotit, në sinodalitet dhe dëgjim reciprok.
Maria, modeli i ungjillëzimit
Kur "do të na duket se na mungon forca për të ecur", këshillon Papa, "ne nuk duhet ta braktisim lutjen tonë, duke i kërkuar pandërprerë Atit të na dhurojë dashurinë e tij, Shpirtin e tij jetëdhënës, në mënyrë që ta ripërtërijë fytyrën e kësaj toke të plagosur nga padrejtësitë tona dhe vuajtjet që shkaktuam”.
Në këtë kuptim, Maria, "Tabernakulli i parë që, duke mirëpritur Jezusin, niset në një udhëtim shërbimi", është "modeli i ungjillëzimit" që duhet ndjekur për t'ia "ofruar Krishtin mbarë njerëzimit". Duke imituar shembullin e saj të “përkushtimit” dhe të mbështetur nga “përkujdesja e saj amëtare plot me kujdes” - përfundon Papa - ne do të jemi dishepujt e saj misionarë “deri në skajet e dheut”.