Kërko

2024.11.30 Partecipanti alla Conferenza Interreligiosa promossa dalla "Sree Narayana Dharma Sanghom Trust" 2024.11.30 Partecipanti alla Conferenza Interreligiosa promossa dalla "Sree Narayana Dharma Sanghom Trust"

Françesku: mosrespektimi i vlerave fetare sjell intolerancë në botë

Në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve në takimin ndërfetar titulluar “Konferenca e të gjitha feve”, Françesku thekson vlerën e dialogut në kontekstin global, karakterizuar nga “intoleranca dhe urrejtja”. Diskriminimi "i bazuar në dallime", i kthyer në një "përvojë të përditshme" për shumë, nënvizon ai, trajtohet përmes "të vërtetave shpirtërore" dhe "vlerave" të përbashkëta ndërmjet rrëfimeve të ndryshme.

R.SH. / Vatikan

“Mungesa e respektit ndaj mësimeve fisnike të feve, është një nga shkaqet e situatës së trazuar në të cilën ndodhet bota sot”. Papa Françesku nxit dialogun ndërfetar, përmes "të vërtetave shpirtërore" dhe "vlerave" të përbashkëta. Në fjalimin e tij sot, 30 nëntor, drejtuar pjesëmarrësve në takimin organizuar me rastin e njëqindvjetorit të "Konferencës I të të gjitha feve", organizuar nga "Sree Narayana Dharma Sanghom Trust", Papa kujtoi figurën e organizatorit të saj të parë, Sree Narayana.

Reforma sociale e Sree Narayana Guru Hindu

"Prijës shpirtëror" dhe "reformator shoqëror", ia kushtoi jetën e tij "shëlbimit social dhe fetar". Duke luftuar sistemin e kastës, u bë mbartës i mesazhit, sipas të cilit "të gjithë njerëzit, pavarësisht nga përkatësia etnike apo traditat e tyre fetare dhe kulturore, janë anëtarë të një familjeje të vetme njerëzore":

Këmbënguli se nuk duhet të ketë diskriminim ndaj askujt, në asnjë mënyrë dhe në asnjë nivel.

 "Fetë së bashku, për një njerëzim më të mirë"  

Një mesazh që, njëqind vjet më vonë, jehon në “konferencën e të gjitha feve” organizuar me mbështetjen e Dikasterit për Dialogun Ndërfetar. Tema e asamblesë "Fetë së bashku, për një njerëzim më të mirë" u zgjodh nga Papa, që e quajti "me të vërtetë shumë aktuale dhe shumë të rëndësishme për kohët tona".

Diskriminimi dhe dhuna, “përvojë e përditshme” për shumëkënd

“Bota e sotme” - nënvizon Françesku - është skena e “rasteve në rritje të intolerancës dhe urrejtjes ndërmjet popujve dhe kombeve”. Dukuritë e “diskriminimit dhe përjashtimit, tensioneve e dhunës” mbi bazën e “dallimeve me origjinë etnike apo sociale, si raca, ngjyra, gjuha dhe feja” bëhen “përvojë e përditshme për shumë njerëz dhe bashkësi”.

Sidomos për të varfrit, të pambrojturit, për ata që nuk kanë zë.

Papa me pjesëmarrësit në konferencën ndërfetare me temë "Fetë së bashku për një njerëzim më të mirë"

 Njerëzit, "të barabartë" dhe "vëllezër"

Papa kujton Dokumentin mbi vëllazërinë njerëzore për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët, nënshkruar me rastin e Shtegtimit Apostolik të shkurtit 2019 në Emiratet e Bashkuara Arabe, me Imamin e Madh të Al-Azhar Ahmad Al-Tayyeb. Në të shkruhet se Zoti i “krijoi të gjithë njerëzit të barabartë në të drejta, detyra dhe dinjitet dhe i thirri të jetojnë së bashku si vëllezër”.

“Duajeni e nderojeni njëri-tjetrit”, e vërteta e përbashkët e feve

Një "e vërtetë themelore" e përbashkët për "të gjitha fetë", nënvizon Françesku. Ata mësojnë se, "si bij të një Zoti, ne duhet ta duam dhe ta nderojmë njëri-tjetrin, të respektojmë larminë dhe dallimet në frymën e vëllazërisë dhe të përfshirjes, duke u kujdesur për njëri-tjetrin, si dhe për tokën, shtëpinë tonë të përbashkët".

Të kultivohet harmonia “ndërmjet larmive”

Nëse shpërfillja e këtyre mësimeve është shkaku i trazirave në botë, rizbulimi i tyre do të jetë i mundur "vetëm nëse të gjithë përpiqemi t'i jetojmë ato dhe të kultivojmë marrëdhënie vëllazërore e miqësore me të gjithë, me një qëllim të vetëm: të forcojmë unitetin në larmi, duke siguruar bashkëjetesën harmonike, dallimet dhe luftën për paqe, pavarësisht vështirësive dhe sfidave me të cilat përballemi”, shpjegon Papa. Bashkëpunim kundër individualizmit

Françesku shton urimin për bashkëpunim ndërmjet gjithë "njerëzve vullnemirë" për të krijuar një kulturë "respekti, dinjiteti, dhembshurie, pajtimi dhe solidariteti vëllazëror". Mesazh, tashmë i përfshirë në Deklaratën e Përbashkët të Istiqlalit shtatorin e kaluar, si kundërhelm ndaj vlerave të "individualizmit, përjashtimit, indiferencës dhe dhunës".

Së bashku, "të rrënjosur" në fetë tona

“Duke u mbështetur” në tiparet e tyre të përbashkëta - përfundon Papa - përfaqësuesit e feve të ndryshme mund “të ecin dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar një njerëzim më të mirë”, secili duke mbetur “vendosmërisht” i rrënjosur në “fetë” dhe “bindjet” e veta fetare.

30 nëntor 2024, 12:13