Papa: ndalojeni prodhimin dhe përdorimin e minave kundër njeriut
R.SH. / Vatikan
Shtetet që nuk e kanë bërë ende, duhet të bashkohen me Konventën Ndërkombëtare për ndalimin e përdorimit, magazinimit, prodhimit e shitjes së minave kundër njeriut dhe shkatërrimin e tyre, si dhe të ndërpresin menjëherë prodhimin dhe përdorimin e minave tokësore. Me këtë kërkesë të fortë Papa Françesku përshëndet pjesëmarrësit në Konferencën V të Rishikimit të vetë Konventës, e cila u hap sot dhe do të vijojë deri më 29 nëntor, në Siem Reap, Kamboxhia.
Në një mesazh, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, lexuar nga Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, Françesku mbron traktatin si "shembull konkret që tregon se si multilateralizmi mund të jetë i suksesshëm dhe i përshtatshëm për qëllimin”, pasi është i rrënjosur fort “në jetën e njeriut dhe në kuptimin e përgjegjësisë së përbashkët”.
Dhimbje per viktimat e pafajshme
Papa thekson, me keqardhje, se 25 vjet pas hyrjes në fuqi të dokumentit, më 1 mars 1999, “vazhdojnë të përdoren minat kundër njeriut e bombat shpërthyese të aktivizuara nga viktimat”, dhe se “konfliktet janë dështim i përpjekjes së njerëzimit për të jetuar si një familje e vetme”. Me trishtim të thellë, Papa Françesku flet për realitetin dramatik dhe kujton se si "edhe shumë vite pas përfundimit të armiqësive, këto pajisje tinzare vazhdojnë të shkaktojnë vuajtje të tmerrshme për civilët, veçanërisht për fëmijët, duke krijuar ndjenja të mëtejshme frike, që prishin jetesën dhe pengojnë pajtimin, paqen dhe zhvillimin integral”, duke shkaktuar kështu një numër viktimash, vitet e fundit në rritje. Pyetja që Papa u bën të pranishmëve në Konferencë dhe bashkësisë ndërkombëtare në tërësi, është se sa të pafajshëm të tjerë "do të detyrohen të mbartin plagët e konfliktit". Jetë njerëzore, që janë të shenjta, zhdukja e të cilave shkakton humbje për mbarë njerëzimin.
Ndalojeni prodhimin dhe përdorimin e bombave
Prej këndej, kërkesa drejtuar të gjitha shteteve që t'i përmbahen Konventës, që prodhimi dhe përdorimi i pajisjeve të tilla të ndërpritet dhe të ndërmerren hapa për "zbatimin e plotë të saj, për të respektuar angazhimet e ndërmarra me urgjencë dhe këmbëngulje dhe për të forcuar bashkëpunimin dhe solidaritetin ndërkombëtar”, përndryshe, “çdo vonesë apo pengesë do të rrisë në mënyrë të pashmangshme koston njerëzore”.
Roli i Kishës Katolike
Në mesazh, prandaj, shprehet mirënjohja e Papës për të gjithë ata që punojnë me rrezik jete për çminimin, për OJQ-të dhe organizatat qeveritare, që u ofrojnë ndihmë viktimave dhe atyre që janë pranë tyre. Ndërmjet këtyre organizatave, shpjegon më tej Françesku, "ekziston një numër i konsiderueshëm shoqatash me frymëzim fetar: pa rrjetet e tyre të solidaritetit, njerëzit në shumë vende do të ishin lënë në mëshirën e vetvetes". Kisha Katolike, pra, siguron Papa, "vijon vendosmërisht punën për t’i ndihmuar viktimat dhe për të kontribuar për paqen globale". E shpresa është që Konferenca "e frymëzuar nga objektivat fisnike të Konventës, të jetë hap i rëndësishëm drejt një bote pa mina dhe të garantojë ndihmë të plotë dhe përtëritëse për viktimat".