Kërko

 Françesku me pjesëmarrësit në kolokiumin, organizuar nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar Françesku me pjesëmarrësit në kolokiumin, organizuar nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar  (Vatican Media)

Papa: në botën nën kërcënimin bërthamor, besimtarët të punojnë për paqen

Sot, para audiencës së përgjithshme, Françesku u takua me pjesëmarrësit në bisedën XII të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar me "Qendrën për Dialogun Ndërfetar dhe Ndërkulturor" të Teheranit, me temë "Edukimi i të rinjve, veçanërisht në familje: sfidë për të krishterët dhe myslimanët”. Gjatë këtij takimi nënvizoi se angazhimi për paqen i atyre që besojnë në "Zotin e dashurisë së plotfuqishme" na bën "të besueshëm në sytë e botës dhe të brezave të rinj".

R. SH. - Vatikan

Impenjimi se së bashku, "ne, besimtarët në Zotin e paqes", "Zotin e dashurisë së plotfuqishme", mund të "demonstrojmë për paqen, na bën të besueshëm në sytë e botës e, në veçanti, të brezave të rinj". E aktualiteti i kësaj bote "të ndarë dhe të copëtuar nga urrejtja, tensionet, luftërat dhe kërcënimet e konfliktit bërthamor" na shtyn "të lutemi dhe të punojmë për dialogun, pajtimin, paqen, sigurinë dhe zhvillimin integral të mbarë njerëzimit". Këtë theksoi Papa Françesku, duke pritur sot në mëngjes, në Sallëzën Pali VI, para audiencës së përgjithshme, pjesëmarrësit në Kolokiumin XII të Dikasterit për Dialogun Ndërfetar me "Qendrën për Dialogun Ndërfetar dhe Ndërkulturor" të Teheranit, që po mbahet në Vatikan.

Kontributi arsimor i gjyshërve, element i përbashkët

Pasi u gëzua për bashkëpunimin e gjatë të dy organeve, "në favor të  kulturës së dialogut, temë themelore, e dashur për Atin e Shenjtë", Papa i përgëzoi të pranishmit për zgjedhjen e temës "shumë të bukur" të Kolokiumit: “Edukimi i të rinjve, veçanërisht në familje: sfidë për të krishterët dhe myslimanët”. E përsëriti se familja, “djepi i jetës, është vendi primordial i edukimit”, ku “ndërmerr hapat e parë dhe mëson të dëgjosh, të njohësh të tjerët, t'i respektosh, t'i ndihmosh dhe të jetosh me ta”.

Një element i përbashkët i traditave tona të ndryshme fetare mund të gjendet në kontributin arsimor të dhënë nga të moshuarit, për të rinjtë. Do të them diçka që e kam shumë për zemër - vijoi Papa - gjyshërit, me mençurinë e tyre, sigurojnë edukimin fetar për nipërit e mbesat, duke vepruar si lidhje vendimtare në marrëdhëniet familjare ndërmjet brezave.

Dialogu ndërmjet besimtarëve nxit takimet në familjen njerëzore

Feja, e transmetuar pa formalitet, edhe me dëshminë e jetës, sipas Françeskut, duhet konsideruar "me vlerë të madhe për rritjen e të rinjve". Është "sfidë e zakonshme arsimore" për të krishterët dhe myslimanët, në situatat e reja komplekse të martesave "të përziera", në të cilat, siç shkruante në Nxitjen Amoris laetitia pas-sinodit, "mund të njihet si vend i privilegjuar i dialogut ndërfetar". Edhe familja e cila, ndonëse e prekur nga ligështimi i "fesë dhe i praktikës fetare në disa shoqëri", sot është e thirrur të përballet me sfida të shumta dhe të kryejë sa më mirë misionin e saj arsimor që, sipas Papës, "ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve, përfshirë atë të shtetit, të shkollës, të bashkësisë fetare dhe të institucioneve të tjera”.

Ndër detyrat e ndryshme të familjes është edhe ajo e të mësuarit se si të "jetosh" përtej kufijve të shtëpisë. Dialogu ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme bën pikërisht këtë, na lejon të shkëputemi nga modelet e strukturuara, për t'u takuar me familjen e madhe universale njerëzore.

Bashkëpunimi vëllazëror dhe dinjiteti i çdo njeriu

Një dialog që, për të qenë i frytshëm, për Papën Françesku, "duhet të jetë i sinqertë, i respektueshëm, miqësor, konkret", në mënyrë që "të jetë edhe i besueshëm në sytë e bashkësisë si dhe para bashkëbiseduesve e komuniteteve të tyre, pa harruar asnjëherë se do t'i përgjigjemi Zotit për çdo gjë që mendojmë, që themi apo që bëjmë". Së fundi, për Papën edukimi i të rinjve "arrihet nëpërmjet bashkëpunimit vëllazëror në rrugën e kërkimit të Zotit".

Në këtë kërkim nuk duhet të lodhemi kurrë duke folur dhe duke punuar në favor të dinjitetit dhe të drejtave të çdo njeriu, të çdo bashkësie dhe të çdo populli. Mbroni gjithmonë të drejtat e individit, të bashkësisë dhe të popullit. Liria e ndërgjegjes dhe liria e fesë janë gurthemeli i ndërtesës së të drejtave të njeriut.

Sepse liria fetare - e këtu Françesku citoi Koncilin II të Vatikanit - "nuk kufizohet në ushtrimin e kultit të dikujt, por e lejon dikë që të jetë plotësisht i lirë për të vendosur në fushën e fesë dhe të praktikës fetare".

Pranë grigjës së vogël të katolikëve në Iran

Në fillim të fjalimit, Papa kujtoi se në Koncistorin e 7 dhjetorit do të krijojë kardinal kryeipeshkvin e Teheran-Isfahanit, Dominique Joseph Mathieu. Një zgjedhje, shtoi, "që shpreh afërsinë dhe shqetësimin për Kishën në Iran", dhe që "pasqyrohet në favor të të gjithë vendit", duke nënvizuar se e ka shumë për zemër fatin e "grigjës së vogël" të Kishës në Iran, që thirret për të dëshmuar Krishtin dhe "për të dhënë kontributin e saj, të matur, por domethënës, për të mirën e të gjithë shoqërisë, pa diskriminim fetar, etnik as politik".

20 nëntor 2024, 11:27