Papa në audiencë me anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar Teologjik Papa në audiencë me anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar Teologjik

Papa: në një botë me dhunë dashuria e Krishtit është thirrje për vëllazëri

Në takim me Komisionin Ndërkombëtar Teologjik, Papa nënvizon se "në një botë komplekse e të polarizuar", dashuria e Hyjit në Krishtin na thërret të jemi "ndërtues të paqes dhe drejtësisë" dhe na mëson vëllazërinë e vërtetë, një "detyrë themelore etike". Nxitja për një "teologji të sinodalitetit" që përfshin të gjithë përbërësit e Kishës. U ripohua dëshira për të shkuar në Nikea në 2025 për 1700-vjetorin e Koncilit të parë Ekumenik.

R.SH. – Vatikan

Rivendosja e Krishtit në qendër dhe zhvillimi i një teologjie të sinodalitetit: këto janë dy pikat kryesore në të cilat Papa Françesku u përqendrua në takimin me rreth tridhjetë anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar Teologjik, të pritur sot paradite në audiencë, në 28 nëntor. Komisioni Ndërkombëtar Teologjik- i themeluar nga Papa Pali VI në vitin 1969 dhe sot drejtohet nga kardinali Victor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit të Selis së Shenjtë për Doktrinën e Fesë - u mblodh ditët e fundit në një seancë plenare kushtuar Koncilit Kishtar të Nikesë. Kujtojmë se gjatë Jubileut të vitit 2025, bie 1700vjetori i Koncilit të parë Ekumenik në historinë e Kishës, organizuar në vitin 325, në Niké. Një përkujtim ky të cilin Papa synon ta përjetojë në vetë Nikea: “Mendoj të shkoj atje”, tha sot Ati i Shenjtë Bergoglio.

Vëllazëria, një detyrë themelore etike

Kjo ngjarje, shpjegon Françesku, përfaqëson "një moment historik në udhëtimin e Kishës dhe të gjithë njerëzimit, sepse pohon se "në Jezusin ne mund të njohim fytyrën e Zotit dhe, në të njëjtën kohë, edhe fytyrën e njeriut". Kjo do të thotë, me një fjalë, "vëllazëri".

Një vëllazëri, ajo e rrënjosur në Krishtin, e cila bëhet një detyrë themelore etike për ne.

Një paradigmë e re kulturore dhe sociale e frymëzuar nga njerëzimi i Krishtit

Dhe duke filluar nga kjo pikë, Komisioni inkurajohet nga Papa të "ofrojë ide dhe reflektime të dobishme për një paradigmë të re kulturore dhe sociale, të frymëzuar pikërisht nga njerëzimi i Krishtit".

Sot, në fakt, në një botë komplekse dhe shpesh të polarizuar, të shënuar tragjikisht nga konfliktet dhe dhuna, dashuria e Zotit që zbulohet në Krishtin dhe na është dhënë në Shpirtin Shenjt bëhet një thirrje drejtuar të gjithëve, në mënyrë që të mësojmë të ecim në udhën e vëllazërisë dhe të jemi ndërtues të drejtësisë e paqes. Vetëm kështu mund të përhapim farat e shpresës atje ku jetojmë. Të rivendosësh Krishtin në qendër do të thotë të ringjallësh këtë shpresë.

Të bëjmë një hap të guximshëm

Inkurajimi i dytë i Papës Françesku drejtuar të pranishmëve ka, si kornizë, Asamblenë e fundit të XVI të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, kushtuar temës së sinodalitetit të Kishës. Një temë e nisur gjashtëdhjetë vjet më parë nga Papa Montini, vazhdon Ati i Shenjtë Bergoglio dhe sot ajo është tashmë e “pjekur”. Prandaj theksoi:

Unë do të thosha se ka ardhur koha për të hedhur një hap të guximshëm: për të zhvilluar një teologji sinodaliteti, një reflektim teologjik që ndihmon, inkurajon dhe shoqëron procesin sinodal, për një fazë të re misionare, më krijuese dhe më të guximshme, e cila frymëzohet nga kerygma dhe që përfshin të gjithë përbërësit e Kishës.

“E mbështetur në zemrën e Jezusit – përfundon Papa Françesku – teologjia do të ushqehet nga burimi dhe do të japë fryte në Kishë dhe në botë”, pa lënë pas dore “dimensionin e gëzimit dhe humorit” me ndihmën e Shpirtit Shenjt.

28 nëntor 2024, 11:03