Papa: nga martirët një dëshmi bindëse shprese

Në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve në konferencën e Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve me temë “Nuk ka dashuri më të madhe. Martirizimi dhe dhurimi i jetës”, Françesku sheh tek ata, që japin jetën për fenë, “tiparet e dishepullit të përsosur”. "Mohimi i tyre i vetvetes" për t'u shndërruar nga dashuria hyjnore i bën imitues të Krishtit dhe "dëshmitarë të jashtëzakonshëm" të "fuqisë shpëtimprurëse të Kryqit të tij"

R.SH. – Vatikan

“E kam quajtur atë të martirëve, dëshminë më bindëse të shpresës”.

Në fjalën drejtuar pjesëmarrësve në konferencën e Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, me temë “Nuk ka dashuri më të madhe. Martirizimi dhe dhurimi i jetës”, që përfundoi sot, më 14 nëntor, Papa Françesku – duke përdorur fjalën kyçe të takimit - përshkroi figurën e atyre, që patën guximin të “japin jetën për miqtë”, siç thuhet në Shkrimin Shenjt. Ati i Shenjtë e mbajti audiencën në Sallën Klementine, në Vatikan.

Tiparet e martirit janë ato të "dishepullit të përsosur", imituesit të Krishtit "në mohimin e vetvetes", në bartjen e "kryqit të tij", për ta lejuar Birin e Hyjit ta shndërrojë "me dashurinë e tij", në "dëshminë e jashtëzakonshme" për "pushtetin e tij shëlbues” dhe në “dhurimin pa masë".

Dashuria, që vjen nga Kryqi

"Vetëm dashuria", pohoi Françesku, mund ta shpjegojë kryqin, pasi vetëm ajo merr përsipër çdo mëkat, duke e falur; hyn në vuajtjen tonë dhe na jep forcën për ta duruar. Po ajo dashuri “hyn edhe në vdekje, për ta mposhtur e për të na shpëtuar”.

“Në Kryqin e Krishtit është gjithë dashuria e Zotit, është mëshira e tij e pamasë”.

"Ta lejojmë Zotin të na shndërrojë"

"Përpjekja njerëzore", ose "impenjimi personal për t’u sakrifikuar”, nuk është kërkesa e vetme për shenjtërimin, nënvizoi Papa, sipas të cilit duhet ta lejojmë dashurinë e Zotit të na shndërrojë, duke na bërë kështu “të aftë të duam edhe përtej asaj që mendonim". Françesku përmendi Koncilin II të Vatikanit, i cili në “Lumen Gentium”, flet për "vokacionin universal ndaj shenjtërisë" si "plotësi e jetës së krishterë" dhe "përsosmëri e bamirësisë", në gjendje të promovojë "një standard jetese më njerëzore në vetë shoqërinë tokësore". Kjo perspektivë duhet të orientojë edhe punën për çështjet e shenjtërimit, që Papa e quajti shërbim të çmuar për Kishën.

Elementet themelore të martirizimit

Duke vënë në dukje se në lashtësi, format e ndryshme të martirizimit çmoheshin e vlerësoheshin jashtëzakonisht, Papa nënvizoi “tre elemente themelore” të tij. Ata që japin jetën "për të mos e mohuar fenë, me vetëdije, pësojnë një vdekje të dhunshme dhe të parakohshme". Së dyti, martirizimi “kryhet nga një persekutues, i nxitur nga urrejtja kundër fesë, ose kundër ndonjë virtyti tjetër, që lidhet me të”. Elementi i tretë është "qëndrimi i papritur i dashurisë, durimit dhe butësisë, në imitim të Jezusit të kryqëzuar", që merr viktima.

“Në epoka të ndryshme, nuk ndryshon koncepti i martirizimit, por mënyrat konkrete të realizimit të tij, sipas kuadrit historik”.

Gjë, që shqiptarët mund ta dëshmojnë katërcipërisht, pas martirizimit të të krishterëve si gjatë pushtimit otoman, ashtu edhe gjatë komunizmit. Jo më larg se të shtunën, në Shkodër, pas lumnimit të 38 martirëve të komunizmit, do të lartohen në nderimet e altarit edhe dy martirë të tjerë jo të asaj epoke: Át Luigj Paliq (Palaj) dhe dom Gjon Gazulli.

Komisioni i ri, krijuar nga Papa

Në horizontin e Jubileut të ardhshëm, përqendruar mbi shpresën, Ati i Shenjtë vë në pah themelimin e Komisionit për Martirët e Rinj – Dëshmitarë të Fesë, në kuadër të Dikasterit vatikanas për Çështjet e Shenjtorëve. Detyra e tij do të jetë të mbledhë elemente nga historia e atyre që, edhe nga traditat e tjera të krishtera,  “kanë dhënë jetën për të mos tradhtuar Zotin”.

14 nëntor 2024, 12:41