Papa: nuk ka të krishterë "të klasit të dytë", të gjithë kanë një karizëm, për të gjithë

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme, Papa shpjegoi cilat janë dhuratat e Shpirtit Shenjt. Ftoi edhe për t'i rizbuluar, sepse "kjo siguron që përparimi i laikëve, e veçanërisht i grave", të kuptohet "në përmasën e vet biblike e shpirtërore".

R.SH. - Vatikan

Karizmat janë "diamantet", a stolitë, që Shpirti Shenjt i shpërndan për ta bërë të bukur Nusen e Krishtit. Gjatë katekizmit të katërmbëdhjetë, mbajtur në audiencën e sotme të përgjithshme, në ciklin “Shpirti dhe nusja”, Papa Françesku përdori një metaforë të thjeshtë, për të shpjeguar "veprimin karizmatik". Një mënyrë tjetër, me të cilën Shpirti Shenjt vepron në Kishë dhe e udhëzon popullin e Zotit për të takuar Jezusin, shpresën tonë, kushtuar "Dhuratave të Nuses”.

“Karizmat, dhuratat e Shpirtit për të mirën e përbashkët": për këto foli sot Papa në një shesh të zymtë, nën qiellin me re - pas tri të mërkurave të mëparshme, kushtuar "veprës shenjtëruese të Shpirtit Shenjt që kryhet ndër sakramente, në lutje dhe në ndjekjen e shembullit të Nënës së Zotit". U ndalua tek "hiret e veçanta", të ndryshme, që Shpirti Shenjt ia shpërndan "njërit" ose "disave" për nevojat e Kishës, domethënë për "dhuratat vetjake që i njëjti  Shpirt i jep secilit prej nesh".

Laikët, në misionin e Kishës

Duke cituar disa herë Lumen gentium dhe Shën Palin, Papa Françesku i nxiti të gjithë t’i rizbulojmë karizmat, pasi "kjo siguron që nxitja e laikëve, dhe veçanërisht e grave, të kuptohet jo vetëm si fakt institucional dhe sociologjik, por edhe biblik, në përmasën e dimensionit biblik e shpirtëror”.

Laikët nuk janë një lloj bashkëpunëtorë i jashtëm apo trupa ndihmëse e klerit, jo, ata kanë karizmat dhe dhantitë e tyre me të cilat mund të kontribuojnë në misionin e Kishës.

Dhurata për nevojat e përbashkëta

E karizmat - saktëson Papa - janë dhurata që jepen "për të mirën e përbashkët" dhe "jo të gjithëve në të njëjtën mënyrë", prandaj ato nuk synohen "parimisht dhe zakonisht për shenjtërimin e personit", por më tepër për shërbimin' e bashkësisë. Kjo është arsyeja pse dallohen "nga hiri shenjtërues, nga virtytet teologjike dhe nga sakramentet, të njëjta dhe të përbashkëta për të gjithë".

Karizma është për njeriun ose bashkësinë e veçantë. Dhuratë, që ta jep vetë Zoti

Dhurata “të zakonshme”, të dhëna për dashuri

Për më tepër, karizmat nuk janë "dhurata dhe aftësi spektakolare e të jashtëzakonshme", por "dhurata të zakonshme" - secili ka të vetën - e fitojnë vlerë të jashtëzakonshme nëse frymëzohen nga Shpirti Shenjt dhe mishërohen në situatat e jetës me dashuri.

Shumë të krishterë, duke dëgjuar të flitet për karizma, trishtohen dhe zhgënjehen, pasi janë të bindur se nuk kanë asnjë dhe ndihen të përjashtuar, ose të krishterë të dorës së dytë.

 Jo, nuk ka të krishterë të dorës së dytë, secili ka karizmën e tij personale e edhe të përbashkët. Këtyre u përgjigjej Shën Augustini në kohën e tij, me një krahasim shumë kuptimplotë: "Nëse doni - u thoshte njerëzve të tij - nëse doni, nuk është e paktë ajo që zotëroni. Nëse doni unitetin, gjithçka është në të, është e dikujt, ndaj e zotëroni edhe ju".

Në dashuri, karizma e njërit, është karizma e të gjithëve

Prandaj dashuria, bamirësia, është - siç e përkufizoi Apostulli i Popujve - "mënyra më e mirë nga të gjitha", sepse "më bën ta dua Kishën, ose më bën të dua bashkësinë, në të cilin jetoj" - sqaroi Françesku - e, në unitet, të gjitha karizmat, jo vetëm disa, janë 'të miat', ashtu si karizmat 'e mia', edhe nëse duken si një gjë e vogël, në praktikë, "i përkasin të gjithëve e janë për të mirën e të gjithëve".

Shkurt, përfundoi Papa,“bamirësia i shumëfishon karizmat; e bën karizmën e njërit, karizmën e një njeriu të vetëm, karizmën e të gjithëve”.

20 nëntor 2024, 12:38

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >