Papa: pranë të vuajturve, me një gjest të lirë a vetëm një vështrim të sinqertë

Papa pret në audiencë vullnetarët dhe njerëzit e pastrehë të grupit Begegnung im Zentrum të Vjenës dhe kujton se ndihmë është edhe "një buzëqeshje e thjeshtë, një gjest miqësie, një vështrim vëllazëror, një dëgjim i sinqertë, një shërbim falas"

“Ne jemi vëllezër e motra, jemi bij të një Ati, e kjo na bashkon të gjithëve”. Këtë ua theksoi së pari Françesku vullnetarëve dhe të pastrehëve të grupit Begegnung im Zentrum, të cilët erdhën nga Vjena për ta takuar dhe u pritën në audiencë në sallën e Papëve të Pallatit Apostolik. Një bashkësi njerëzish të kombësive dhe besimeve të ndryshme fetare, të cilët takohen dhe bashkohen për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të ndarë "atë që mund ta ndajë secili". Një realitet për të cilin Papa gëzohet, duke theksuar se sa shumë pasurohen njerëzit kur janë së bashku:

Nuk është e vërtetë se disa japin, e të tjerë vetëm marrin: ne të gjithë jemi dhurues dhe marrës - të gjithë - kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe jemi thirrur ta pasurojmë njëri-tjetrin. E, të kujtojmë se kjo nuk ndodh vetëm përmes dhuratave materiale, por edhe përmes “një buzëqeshjeje të thjeshtë, një gjesti miqësie, një vështrimi vëllazëror, një dëgjimi të sinqertë, një shërbimi falas”.

Françesku duke folur me grupin e vullnetarëve nga Vjena
Françesku duke folur me grupin e vullnetarëve nga Vjena

Të bëhesh dhuratë për të tjerët

Në përshëndetjen e tij të shkurtër, Françesku na nxit “ta duam njëri-tjetrin, siç na deshi e na do Zoti” dhe ta falënderojmë Atë “për dhuratën e dashurisë, e cila na vjen edhe nëpërmjet njerëzve të mirë, që na rrethojnë”.

 Zoti na do përtej çdo kufiri dhe vështirësie. Secili prej nesh është unik në sytë e Tij dhe Ai nuk na harron kurrë.

E, para se të largohet, Papa u drejton të gjithëve një ftesë të mëtejshme, atë të pjekjes gjithmonë, “si vëllezër e motra”, për ta bërë jetën “dhuratë për të tjerët”.

08 nëntor 2024, 12:17