Papa: puna e artizanëve “e zbukuron botën”, jo e atyre që prodhojnë armë
R.SH. – Vatikan
Jetojmë në "kohë lufte dhe dhune", të cilat minojnë besimin në aftësitë e qenieve njerëzore, por "vështrimi mbi veprimtaritë tuaja na ngushëllon dhe na jep shpresë", sepse "puna juaj e zbukuron botën" dhe bën hapa të reja drejt paqes. Kështu iu drejtua Papa Françesku rreth 300 përfaqësuesve të Konfederatës Italiane të Artizanatit dhe të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme, gjatë audiencës së sotme në Vatikan.
“Enciklika “Fratelli tutti” – u tha Ati i Shenjtë - i përcakton ndërtuesit e paqes si artizanë të aftë për të nisur procese rimëkëmbjeje dhe takimi, me zgjuarsi dhe guxim. Të njëjtën zgjuarsi dhe të njëjtin guxim, që përdorni për të krijuar veprat e shumta të destinuara për ta pasuruar botën”.
Në duar, një talent në shërbim të jetës
Papa Françesku vuri në dukje se Ati Qiellor dëshiron që njerëzit të punojnë për paqen “në mënyrë artizanale, si Ai", me duar, pavarësisht se ka nga ata, që impenjohen për të nxitur luftën. Denoncoi se “investimet, që prodhojnë më shumë të ardhura sot në Itali janë fabrikat e armëve. Kjo nuk e zbukuron botën”, përkundrazi e shëmton atë. Zoti na i jep talentet për të kontribuar në "projektin e tij të paqes", në shërbim të jetës e jo të vdekjes, që sjell lufta, e nxitur nga armiku i Hyjit, vërejti Papa. Artizanët, nënvizoi, janë bashkëpunëtorë në veprën krijuese të Zotit, prandaj, punën e duarve të tyre duhet ta vënë në shërbim të së mirës së përbashkët. Vetëm kështu, Hyji do ta ndihmojë secilin, “duke e marrë për dore dhe duke e udhëhequr”, përmes Provanisë së tij Hyjnore, për të krijuar bukuri në botë.
“Puna artizanale mund t'i shprehë mirë të gjitha këto, nëse shoqërohet dita-ditës me vetëdijen se Zoti nuk na braktis kurrë, se jemi kryevepra të duarve të tij dhe, për këtë arsye, jemi të aftë të realizojmë vepra origjinale”, përfundoi Papa Françesku.