2024.11.23 Partecipanti al Corpo promosso dal Tribunale della Rota Romana 2024.11.23 Partecipanti al Corpo promosso dal Tribunale della Rota Romana

Papa, Rotës Romake: bamirësia e mëshira nuk e zhdukin drejtësinë

Françesku, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në kursin e formimit të Gjykatës së zakonshme të Selisë së Shenjtë, nënvizoi se rregullat aktuale për gjykimet martesore nuk mund të interpretohen sikur, në kërkim të afërsisë dhe shpejtësisë, do të dëmtonin të drejtat.

R.SH. / Vatikan

“Jeni të thirrur ta doni drejtësinë, bamirësinë dhe të vërtetën e të angazhoheni çdo ditë për t'i zbatuar në punën tuaj si juristë kanunorë si dhe në të gjitha detyrat që kryeni në shërbim të besimtarëve”. Papa Françesku, duke kujtuar enciklikën Caritas in veritate të Benediktit XVI, flet për këtë drejtim të trefishtë gjatë takimit me pjesëmarrësit në kursin e formimit me  temë "Ministerium Iustitiae et Caritatis in Veritate"("Shërbimi i Drejtësisë dhe i Bamirësisë në të Vërtetën"). Veprimtaria e Gjykatës së Rotës Romake u nda në ditë studimi dhe reflektimi, që krijuan mundësinë "të shqyrtohen sfidat juridiko-baritore lidhur me martesën dhe familjen".

Nuk ka drejtësi, pa bamirësi.

Nuk ka drejtësi, pa bamirësi. As bamirësi, pa drejtësi - nënvizoi Papa. “Besimtarët dhe të drejtat e vetë Kishës” e kërkojnë këtë. Megjithatë, në asnjë bashkësi njerëzore, e aq më pak në Kishë - shton Papa Françesku - "nuk mjafton të respektojmë të drejtat: duhet të shkojmë më tej, me shtytjen e bamirësisë, duke kërkuar të mirën e të tjerëve përmes dhurimit bujar të jetës sonë". Është e nevojshme ta "jetosh shërbimin e dashurisë" pasi drejtësia "mund të kuptohet vetëm në dritën e dashurisë". Njerëzit, edhe në kryerjen e detyrave ligjore, duhet të trajtohen, pra, jo vetëm me drejtësi, por edhe “mbi të gjitha, me bamirësi”. Fytyra që duhet pasur parasysh është ajo e Kishës Nënë "e cila i do të gjithë bijtë e saj butësisht". Prandaj duhet ta shmangim - kujtoi Papa, “drejtësinë e ftohtë, pa shkuar përtej saj, pra pa mëshirë”.  

Nuk ka as bamirësi, pa drejtësi

Papa nxit për ta kapërcyer frikën e drejtësisë, si të ishte e ngarkuar për t’iu kundërvënë mëshirës. Një frikë që "vjen nga konceptimi i gabuar i drejtësisë, i menduar si pretendim egoist dhe potencialisht konfliktual". Thelbi i drejtësisë, vëren Papa, është të jetë "virtyt jashtëzakonisht altruist, që lëviz për të mirën e të tjerëve". Detyrë shumë e rëndësishme është të kontribuojmë “për të njohur cilat janë të drejtat dhe detyrat e besimtarëve dhe si duhet të punojmë për t'i mbrojtur”. Françesku shton se “nuk mund të kesh frikë nga bamirësia dhe nga mëshira, si shprehje karakteristike e saj”. Bamirësia “nuk e zhdukë drejtësinë, as nuk i relativizon të drejtat”.

Ta jetosh drejtësinë me mëshirë

Në emër të dashurisë - shpjegoi në vijim Papa Françesku - "nuk mund të lëmë pas dore atë që është detyrë e drejtësisë".

“Për shembull, rregullat aktuale për gjykimet martesore nuk mund të interpretohen sikur, në kërkimin e nevojshëm për afërsinë dhe shpejtësinë, të nënkuptojnë dobësimin e kërkesave të drejtësisë. Nga ana e saj, mëshira nuk e zhduk drejtësinë, përkundrazi, na shtyn ta jetojmë atë me delikatesë, si fryt i dhembshurisë përballë vuajtjeve të të tjerëve. E nuk duhet harruar se “arkitrau, që mbështet jetën e Kishës, është mëshira, ky është arkitrau”. E gjithë veprimi baritor duhet të përshkohet nga butësia, me të cilën u drejtohemi besimtarëve; me tre qëndrimet e Zotit, apo jo? Afërsi, mëshirë dhe butësi. Zoti është afër, është i mëshirshëm, është i dhembshur. Asgjë në kumtin dhe dëshminë e Tij për botën nuk mund të jetë pa mëshirë. Besueshmëria e Kishës kalon nëpër rrugën e dashurisë së mëshirshme dhe të dhembshur”.

 Së fundi, Papa shpreson se klima e punës së veprimtarëve të drejtësisë "do të jetë ajo e shpresës", në qendër të Vitit të Shenjtë. “Forca e shpresës – përfundon Françesku - e mbushtë të tashmen tonë, ndërsa presim me besim kthimin e Zotit Jezu Krisht me lavdi e lumni tash e përgjithmonë e jetës”.

23 nëntor 2024, 14:46