Papa seminaristëve të Toledos: nxisni afrimin me popullin e Zotit
R.SH. – Vatikan
Afërsia me Zotin, me ipeshkvijtë, me meshtarët dhe me popullin e Zotit. Këto janë "katër afërsitë që nuk duhen harruar" të cilat u nënvizuan nga Papa Françesku në fjalën drejtuar rreth 120 seminaristëve të Toledos, Spanjë, në audiencën e sotme mbajtur paradite në Vatikan.
Pranë Zotit, ipeshkvijve, meshtarëve dhe popullit të Zotit
Meshtarët "duhet të nxisin afërsinë", tha Papa Françesku, duke folur jashtë tekstit zyrtar: së pari, afërsinë me Zotin, "në mënyrë që në jetën tonë të ekzistojë gjithmonë kjo aftësi për të takuar Zotin, për të qenë pranë Zotit"; e dyta, është “afërsia me ipeshkvijtë” dhe nga ana e ipeshkvijve “afërsia me meshtarët”, sepse nëse një prift “nuk është afër ipeshkvit të tij është i “çalë”, diçka i mungon”. Së treti, sipas Papës është "afërsia mes jush meshtarëve, që fillon qysh tashmë në seminar dhe së katërti, afërsia me popullin e shenjtë, besnik të Zotit".
Ati i Shenjtë Françesku tha se ishte "i lumtur" që priste një grup të ri meshtarësh të ardhshëm, të cilët - si ‘bashkëvëllazëritë’ në qytetet e Spanjës - shkojnë në procesion drejt "Kishës nënë" për të "bërë një ndalesë pendestare". Një analogji të cilën Papa e shpjegoi duke iu referuar procesionit që bëhet me rastin e festës "Reservado", një "traditë e lashtë" e cila kremtohet çdo nëntor përkujtimin e herës së parë që i Shenjtueshmit Sakrament i Eukaristisë u "reservado", ose u ruajt, në tabernakullin e kapelës së Seminarit të Selisë së Primatit të Spanjës.
Pasuria e spiritualitetit të popullit
“Është gjithmonë mirë të shikosh popullin e shenjtë të Zotit në spiritualitetin e tij të thjeshtë”, nënvizon Papa, duke kujtuar tre momentet e parashikuara nga përkujtimi: kremtimi i Eukaristisë, ekspozimi i Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë gjatë gjithë ditës dhe së fundi procesioni me të Shenjtueshmin Sakrament të Eukaristisë.
Jezusi thith jetën dhe zemrën
Këto faza kujtojnë "elementet themelore të meshtarisë për çka po përgatiteni", u tha Ati i Shenjtë Françesku studentëve. Me kremtimin Eukaristik "Jezusi vjen në jetën tonë për të na dhënë prova të dashurisë më të madhe" dhe "na thërret, si Kishë, të jemi të pranishëm në meshtari dhe në popull, në sakrament dhe në Fjalë: në mënyrë Ai në tokë mund të depërtojë e thithë jetën dhe zemrën tuaj”, u tha Papa studentëve të rinj.
Një takim që transformon jetën
Më pas, kur Zoti qëndron i ekspozuar në ‘ostensorium’ gjithë ditën, është koha, vëren Ati i Shenjtë Bergoglio, "të qëndrojmë vetëm me Të, të dëgjojmë zërin e Tij në heshtje, të jemi në dëgjim të Fjalës së tij, në dëshminë e fesë së atyre" që luten pranë nesh”.
Vetëm takimi'kokë më kokë' , një takim dashurie me Jezusin mund të ndriçojë, mbajë dhe mbështesë rrjedhën e ditës sonë tokësore. Qoftë ky takim me të vërtetë një impuls efektiv që shndërrimin e jetës tuaj.
Së fundi, përmes të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë Krishti Zot mbartet në procesion, "sepse ne e pranojmë atë në jetë për ta bartur". Shërbesa jonë, përfundon Ati i Shenjtë, është pikërisht kjo: “ta shoqërojmë Krishtin drejt popullit të tij dhe njerëzit drejt Krishtit”. Nga këtu ftesa “të mësojmë të ecim së bashku, me shpresën e takimit”, pa “i hequr sytë nga Ai që na prin në rrugën e së vërtetës e të dritës!”.