2024.11.30 Delegazione ecumenica Koch 2024.11.30 Delegazione ecumenica Koch

Papa: të dëgjosh pa dënuar, rruga për unitetin e katolikëve me ortodoksët

Në mesazhin dërguar nga kardinali Koch për patrikun ekumenik Bartolomeu I me rastin e festës së Shën Andreut, Françesku vë në dukje ndarjet edhe sot të pranishme ndërmjet dy konfesioneve. Prandaj i nxit përpjekjet dhe lutjet e përbashkëta për të "pranuar dhuratën hyjnore të unitetit", duke ripërtërirë dëshirën për të festuar së bashku 1700° vjetorin e afërt të Koncilit I Ekumenik të Nikesë

R.SH. / Vatikan

Horizonti i një "bashkimi të plotë", i cili ende nuk është materializuar për shkak të "ndarjeve mijëravjeçare", bëhet nxitje për lutje dhe punë të përbashkët e për t'u përgatitur të "pranosh dhuratën hyjnore të unitetit". Në mesazhin e tij drejtuar Patriarkut ekumenik të Kostandinopojës Bartolomeu I me rastin e festës së Shën Andreut, Papa Françesku inkurajon dëgjimin, pa dënuar, si rrugë kryesore drejt harmonisë ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve. Lidhje, kjo, që Françesku shpreson se do të materializohet në kremtimin e përbashkët të 1700-vjetorit të afërt të Koncilit I Ekumenik të Nikesë, "dëshmi e bashkimit në rritje, që tashmë ekziston ndërmjet të gjithë atyre që u pagëzuan në emër të Atit dhe të Birit. dhe të Shpirtit Shenjt".

Shkëmbim i delegacioneve katolike dhe ortodokse

Mesazhi iu dorëzua Patrikut ekumenik nga Kardinali Kurt Koch, prefekt i Dikasterit për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, që u mbajt në kishën patriarkale të Shën Gjergjit, në Phanar të Stambollit. Prania e një delegacioni nga Selia e Shenjtë, përbërë nga eprorët e Dikasterit, sekretari imzot Flavio Pace dhe nënsekretari imzot Andrea Palmieri, së bashku me nunciun apostolik në Turqi, Kryeipeshkvin Marek Solczyński - është pjesë e shkëmbimit tradicional të delegacioneve katolike dhe ortodokse me rastin e festave përkatëse të Shenjtorëve Pajtorë.

Dialog "i frytshëm”, në lëvizjen ekumenike

Papa Françesku kujtoi gjashtëdhjetëvjetorin e fundit të shpalljes së dekretit Unitatis redintegratio, me të cilin Kisha Katolike hyri zyrtarisht në "lëvizjen ekumenike". Një “mënyrë dialogu”, veçanërisht “e frytshme” me ortodoksët, nën shenjën e një “vëllazërie të përtërirë” që sot jetohet “me intensitet të veçantë”.

"Ndarjet mijëvjeçare" të kapërcehen në "bashkim të plotë"

Megjithatë - vëren Françesku - "bashkimi i plotë i gjithë të krishterëve" që shpresohet nga dokumenti - nuk është bërë ende realitet. "E s’është për t'u habitur", nënvizon Papa, "pasi ndarjet mijëravjeçare nuk mund të kapërcehen në disa dekada". Harmonia e plotë nuk mund të shpërfillë "përmasën e saj eskatologjike, të pamohueshme në atë masë, që rruga drejt unitetit përkon me atë të shpëtimit, të dhuruar tashmë në Jezu Krishtin, në të cilin Kisha do të marrë pjesë plotësisht vetëm në fundin e kohëve".

 Lutja dhe përpjekjet e përbashkëta për bashkim

"Qëllimi përfundimtar" i bashkimit të të krishterëve dhe ortodoksëve nuk duhet harruar, sipas Françeskut, si dhe "besimi" në unitetin e tyre, që duhet të arrihet "gjatë rrjedhës së historisë dhe në kohë të arsyeshme”.

“Katolikët dhe ortodoksët duhet të luten pa pushim dhe të punojnë së bashku që të përgatiten për ta pranuar dhuratën hyjnore të unitetit”.

Dëgjim pa dënim: modeli i Sinodit

Angazhimi i Kishës Katolike në këtë drejtim ka marrë një shtysë të mëtejshme nga Sinodi i fundit - shkruan Papa - “Dëgjim, pa dënuar” është modeli i ndërmarrë nga Asambleja e Ipeshkvijve. Një shembull i cili, "në një botë të copëtuar nga kundërshtimi dhe polarizimi", Françesku shpreson se mund të përsëritet edhe në dialogun ndërmjet konfesioneve të ndryshme të krishtera. Në kornizën e Sinodit, Papa kujton edhe kontributin e Mitropolitit Job të Pisidisë, delegat i patriarkut ekumenik të Kostandinopojës.

Uniteti i të krishterëve, shenjë paqeje në kohë lufte

Përvjetori i ardhshëm i Koncilit I Ekumenik të Nikesë - kujton Papa - "do të forcojë lidhjet ekzistuese dhe do të inkurajojë të gjitha Kishat të japin dëshmi të përtërirë në botën e sotme". "Vëllazëria" ndërmjet konfesioneve të ndryshme do të jetë shembull për një botë "të goditur nga lufta e nga dhuna". Në këtë kuptim, Françesku përfundon duke përtërirë thirrjen “për paqe në Ukrainë, Palestinë, Izrael dhe Liban, si dhe në të gjitha ato rajone ku po zhvillohet ajo që Ati i Shenjtë e cilëson shpesh si luftë botërore pjesë-pjesë”.

30 nëntor 2024, 18:14