Papa: të krishterët e Lindjes së Mesme, dëshmitarë në tokat e martirizuara nga lufta

Françesku pret patriarkun asirian Mar Awa tridhjetë vjet pas nënshkrimit të "Deklaratës së Përbashkët Kristologjike" të Gjon Palit II dhe Mar Dinkha-s IV, që i dha fund polemikave doktrinore 1500 vjeçare ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Lindore: “Të ecim dhe të punojmë së bashku drejt bashkimit të plotë. Dialogu i së vërtetës nuk duhet të ndahet kurrë nga dialogu i bamirësisë dhe i jetës”. Të pranishëm në audiencë, anëtarët e Komisionit të Dialogut Teologjik

R.SH. - Vatikan

"Të lutemi së bashku", me një mendim për vëllezërit dhe motrat e shumta të krishtera të Lindjes së Mesme, në mënyrë që ata "ta dëshmojnë Krishtin në trojet e martirizuara nga lufta". Prandaj, "të ecim së bashku" e "të punojmë së bashku" me sytë ngulur mbi të njëjtin objektiv, si paraardhësit  Gjon Pali II dhe Mar Dinkha IV kur, në vitin '94, nënshkruan Deklaratën e përbashkët Kristologjike "Unitet i plotë". Kjo do të thotë shpresë për të arritur "ditën e bekuar, në të cilën do të jemi në gjendje të kremtojmë së bashku në të njëjtin altar dhe të marrim kungimin e të njëjtit Korp e Gjak të Shëlbuesit".

Papa e Patriarku asir Mar Awa III kremtojnë 30-vjetorin e deklaratës së përbashkët

Papa Françesku pret Mar Awa-në III, patriark katolik i Kishës Asiriane të Lindjes, në Vatikan, me rastin e tridhjetë vjetorit të nënshkrimit të dokumentit që sanksiononte "një hap themelor në rrugën drejt bashkimit të plotë" e, mbi të gjitha, u jepte fund mijëvjeçarëve të polemikave ndërmjet bashkësisë katolike dhe asaj lindore. Të pranishëm në audiencë, në Pallatin Apostolik - i cili gjithashtu përkujton 40-vjetorin e vizitës së parë në Romë nga një patriark asirian - janë anëtarët e Komisionit të përzier për Dialogun Teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishës Asiriane të Lindjes, që e ka nisur punën në vitin 1984, sërish me nxitjen e Vojtilës dhe Mar Dhinkës, e që tani ka nisur një fazë të re dialogu për liturgjinë.

Për rrugë drejt unitetit të plotë

Papa Françesku i priti të gjithë duke cituar fjalët e Unitatis redintegratio, dekretit konciliar mbi ekumenizmin, në nëntor, në përvjetorin e tij të gjashtëdhjetë: "Zoti i shekujve në kohët e fundit ka filluar të dikojë me begati të madhe në të krishterët e ndarë nga njëri-tjetri, pendimin dhe dëshirën për bashkim”. Më pas, Papa citon “të madhin” dhe “të mirin” Ioannis Zizioulas, teologun ortodoks, metropolitin madhor të Pergamonit, që ndërroi jetë në vitin 2023, i njohur gjithnjë si “pionier i ekumenizmit”.

“Thoshte: ‘E di datën e bashkimit, e di”. Cilën? “Një ditë pas gjyqit të mbram. Së pari nuk do të ketë bashkim, por ndërkohë duhet të ecim së bashku, të lutemi së bashku dhe të punojmë së bashku’”.

Audienca tek Papa e Mar Awa dhe anëtarëve të Komisionit të Përzier për Dialogun Teologjik
Audienca tek Papa e Mar Awa dhe anëtarëve të Komisionit të Përzier për Dialogun Teologjik

Fund i më se një mijëvjeçari polemikash doktrinore

“Hap pas hapi, ngadalë…”, përsërit Papa, i udhëhequr gjithmonë në këtë rrugë nga “dëshira për unitet”, “hir që frymëzoi gjithnjë lëvizjen ekumenike, që në fillimet e saj dhe që ne duhet ta kultivojmë vazhdimisht”. Një "dëshirë" e lashtë dhe gjithnjë e re, kjo për unitet, në qendër të Deklaratës së përbashkët Kristologjike ndërmjet dy Kishave, e cila, kujton Jorge Mario Bergoglio, "i dha fund polemikave doktrinore 1500 vjeçare në lidhje me Koncilin e Efesit", duke njohur “Legjitimitetin dhe saktësinë e shprehjeve të ndryshme të fesë sonë të përbashkët kristologjike”.

Dialog plotësisht njerëzor

Deklarata e Përbashkët Kristologjike hapi edhe rrugën për krijimin e një Komisioni të përzier të dialogut teologjik ndërmjet dy Kishave. Rezultatet e punës qenë "të jashtëzakonshme" - nënvizon Papa - duke kujtuar disa marrëveshje doktrinore dhe baritore, nënshkruar vitet e fundit. Prandaj  shpreh mirënjohjen për angazhimin e të gjithë teologëve, që përbëjnë Komisionin.

Dialogu teologjik është i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt bashkimit, pasi uniteti që dëshirojmë është unitet në fe, me kusht që dialogu i së vërtetës të mos ndahet kurrë nga dialogu i bamirësisë dhe dialogu i jetës, një dialog njerëzor, krejtësisht.

Përshëndetja e Papës me Patriarkun asirian
Përshëndetja e Papës me Patriarkun asirian

Shën Isaku i Ninives, në Martirologun Romak

“Ky unitet në fe është arritur tashmë nga shenjtorët e kishave tona. Ata janë udhërrëfyesit tanë më të mirë në rrugën drejt bashkimit të plotë” - shton Papa Françesku. E, i inkurajuar gjithashtu nga Sinodi i kohëve të fundit mbi sinodalitetin, njofton se "Isaku i madh i Ninives", një nga etërit më të nderuar të traditës lindore-siriane, i njohur si "mjeshtër dhe shenjtor i të gjitha traditave", do të përfshihet në Martirologun Romak.

Shpresa e kungimit eukaristik

Papa kërkon ndërmjetësimin e Shën Isakut për të krishterët në të gjithë Lindjen e Mesme që "miqësia mes kishave tona të vazhdojë të lulëzojë", deri në kungimin eukaristik.

“Të vazhdojmë të ecim së bashku, të lutemi së bashku dhe të punojmë së bashku dhe të shkojmë përpara në këtë rrugë drejt unitetit të plotë”.

Në fund të audiencës Papa i fton të gjithë të pranishmit të thonë së bashku Atynën: “Secili të lutet sipas traditës dhe gjuhës së vet, me gjysëm zëri”.

Foto e grupit në përfundim të audiencës
Foto e grupit në përfundim të audiencës
09 nëntor 2024, 11:08