Papa: të luftojmë së bashku dhunën kundër grave

Si çdo 25 nëntor, sot kremtohet Dita Botërore për Eliminimin e Dhunës kundër Grave. Papa Françesku shkruan në plaftormën sociale X: "Të gjithë jemi të thirrur t’i themi ‘jo’ çdo dhune kundër grave e vajzave. Duhet të luftojmë së bashku që t’i njihen secilit të drejtat e njeriut dhe dinjiteti”

R.SH. - Vatikan

“Të gjithë jemi të thirrur t’i themi ‘jo’ çdo dhune kundër grave e vajzave. Duhet të luftojmë së bashku që t’i njihen secilit të drejtat e njeriut dhe dinjiteti”. Kështu shkruan sot Papa Françesku në plaftormën sociale X, në Ditën që bota ia kushton luftës kundër dhunës ndaj grave.

Las Mariposas

Dita Botërore për Eliminimin e Dhunës kundër Grave kremtohet çdo 25 nëntor. U themelua nga OKB-ja në vitin 1999, në kujtim të motrave Mirabal, vrarë nga agjentët e diktatorit domenikan Trujillo në vitin 1960. Historia e tyre pati pasoja të drejtpërdrejta si në Republikën Domenikane, pasi çoi në rënien e diktaturës Trujillo, ashtu edhe në nivel global, duke u bërë simbol i një lufte, që përkujtohet çdo vit.

Pse më 25 nëntor?

Është data 25 nëntor 1960, kur Patria, Minerva dhe Maria Teresa Mirabal u ndaluan nga policia, ndërsa ktheheshin nga vizita tek burrat e tyre të burgosur për arsye politike. Të tria ishin fytyra tejet të njohura për policinë, pasi bënin pjesë në grupin klandestin “Lëvizja e 14 qershorit” kundër diktaturës 30-vjeçare të Rafael Leonidas Trujillo, si edhe luftonin aktivisht për të drejtat e grave. Thonë se pak para vrasjes së tyre, Trujillo pati deklaruar se kishte dy probleme: Kishën dhe motrat Mirabal, të cilat edhe i njihte personalisht.

Kur policia i ndali, tri gratë, në atë kohë në moshën nga 25 deri në 36 vjeç, e dinin ç’i priste. Las Mariposas - emri me të cilin ato do të hynë në histori - rrihen me shkopinj, varen, hidhen në një luginë me xhipin e tyre, që vdekja të dukej si aksident. Sipas UNESCO-s: “Motrat Mirabal u vranë brutalisht, sepse ishin gra dhe aktiviste”. Vdekja e tyre, në fakt, çoi në fundin e diktaturës së Trujillo-s, i cili më pak se një vit më vonë ra në një pritë dhe u vra nga një grup disidentësh.

Më 25 nëntor 1981, vdekja e tre motrave u kremtua zyrtarisht në Takimin e parë Feminist të Amerikës Latine dhe Karaibeve mbajtur në Bogota, Kolumbi. Data e vrasjes së tyre u bë një ditë e rëndësishme për të kujtuar në gjithë Amerikën Latine luftën e grave kundër dhunës. Vetëm falë rezolutës 54/134 të datës 17 dhjetor 1999, Kombet e Bashkuara - duke njohur aktivizmin politik të Las Mariposas - caktuan 25 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës kundër Grave.

25 nëntor 2024, 14:54