Papa: të lutemi për Ukrainën, do të jetë dimër i ashpër. E, për paqe në Tokën Shenjte
R.SH. / Vatikan
Në Ukrainë, ku popullsia do të jetojë "një dimër të ashpër", e në Tokën Shenjte, ku njerëzit vijojnë “të vuajnë kaq shumë” - pikërisht ndër këto dy troje të vadituara me gjakun e popujve të tyre, provohet “dështimi i njerëzimit”, kujtoi gjatë audiencës së sotme të përgjithshme Papa Françesku.
Në fund të audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti të gjithë besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan: të rinj, murgesha, meshtarë, çifte, grupe shtegtarësh. Fytyra e tij e qeshur, errësohet kur, përpara bekimit përfundimtar, kujton Ukrainën, që përgatitet të jetojë një dimër të ashpër për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe paralizimit të rrjetit elektrik nga bastisjet ruse. Mijëra njerëz, pra, pa energji elektrike e pa ngrohje, ndërsa reshjet e para të borës e kanë mbuluar me “bukurinë që vret” kryeqytetin Kiev dhe qytete të tjera, njëheresh me valët e vazhdueshme të motit të keq.
Një lutje për fëmijët dhe të rinjtë ukrainas
Papa Françesku u drejtohet fëmijëve të ulur pranë tij gjatë gjithë kohës së audiencës së përgjithshme. Janë nxënës të Kolegjit Saint Michel des Batignolles në Paris, nga 12 deri në 13 vjeç dhe po përgatiten për sakramentin e Krezmimit. “Ju fëmijë e të rinj, mendoni për fëmijët dhe të rinjtë ukrainas që po vuajnë: pa ngrohje, në një dimër shumë të ashpër”- u kujton Papa atyre që ka pranë dhe të gjithë të rinjve të pranishëm në shesh, ose të lidhur përmes transmetimit.
Lutuni për fëmijët ukrainas, apo jo? A do të luteni? Të gjithë ju, mos harroni!
Paqe në Tokën e Shenjte
Me të njëjtin shqetësim, e me të njëjtën vëmendje, Papa Bergoglio kërkon lutje për Tokën Shenjte, prej nga vijnë iskra shprese pas shpalljes së armëpushimit të Izraelit me Hezbollahun, në Liban. Edhe pse në sytë e shumë njerëzve ky nuk duket se është hap drejt paqes, as prelud për armëpushim në Gaza. Kjo është arsyeja pse Papa këmbëngul në kërkimin e lutjes së pandërprerë, që paqja të kthehet në Tokën e Krishtit.
Të lutemi edhe ne për paqe në Tokën Shenjte, në Nazaret, Palestinë, Izrael, që të ketë paqe, të ketë paqe... Njerëzit vuajnë shumë. Të lutemi për paqe, të gjithë së bashku.
Gëzimi i Ungjillit, në një botë të zhytur në trishtim
Edhe në përshëndetjen drejtuar polakëve, Papa u drejtoi një ftesë të gjithë besimtarëve, që të jenë “bamirës dhe paqësorë dhe t’i mbështesin të sëmurët e ata, që vuajnë nga luftërat, veçanërisht ukrainasit, të cilët duhet të përballojnë edhe dimrin. Do të jetë dimër i keq për Ukrainën” - kujtoi me shqetësim Ati i Shenjtë.
Ftesë, kjo, e shprehur edhe në përshëndetjen drejtuar besimtarëve francezë:
“Në botën tonë të zhytur në trishtimin e luftërave dhe krizave të shumta, ne shpallim gëzimin e Ungjillit përmes jetës sonë të shndërruar nga prania e Zotit”.
Përkthim në gjuhën kineze i katekizmit të audiencës së përgjithshme
Me gëzim të dukshëm, Papa njoftoi se nga java e ardhshme, para Ardhjes, në audiencën e përgjithshme do të arrijë diçka e re: për herë të parë katekizmi do të përkthehet në gjuhën kineze. Një mënyrë për ta bërë fjalën e Ipeshkvit të Romës të arrijë tek besimtarët e atyre trojeve të pafundme, që Françesku i ka quajtur gjithnjë "Vend fisnik".