Papa: të lutemi për Valencien e Spanjën, që vuajnë nga përmbytjet

Para fillimit të audiencës së përgjithshme, Papa vendosi një lule para figures së "Virgen de los Desamparados", pajtore e qytetit spanjoll të shkatërruar nga stuhia Dana. Në fund, një thirrje e re për paqe, duke kujtuar 153 civilët e vrarë nga mitralozat në rrugë

R.SH. - Vatikan

“Desha të përshëndes Virgen de los Desamparados, Zojën që kujdeset për të varfërit, Pajtoren e Valencias. Valencias, e cila vuan shumë, e edhe pjesët e tjera të Spanjës”.

Më pas, shenja e Kryqit, bekimi, disa çaste soditjeje dhe një lule në altarin ku është vendosur shtatorja e “Virgen de los Desamparados”, Virgjërës së të braktisurve, dhuratë e popullsisë valenciane të prekur nga shkatërrimi i shkaktuar nga stuhia Dana. “Desha që të ishte këtu”, shpjegon Françesku, duke folur lirisht para se të niste katekizmin e audiencës së përgjithshme: “Sot, në një mënyrë të veçantë, lutemi për Valencia-n dhe për zona të tjera të Spanjës që vuajnë nga përmbytjet”.

Thirrje për paqe

Më pas Papa, së bashku me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, tha një Falemi Mari për popullatat iberike. Lutjes i parapriu një thirrje e re për paqe: "Të mos harrojmë Ukrainën e martirizuar, e cila vuan kaq shumë" - nxiti Françesku. “Të mos harrojmë Gazën dhe Izraelin. Një ditë më parë 153 civilë që ecnin përgjatë rrugës u qëlluan me mitraloz. Është shumë e trishtueshme”- theksoi - pasi e kishte kujtuar episodin në postimin e Engjëllit të 1 nëntorit. “Të mos harrojmë Mianmarin”, shtoi në fund Françesku.

Mendimet e Papës për Valencian

Çasti i reflektimit para Zojës pasoi thirrjen, të cilën Papa ia kushtoi popullsive të prekura nga përmbytja pas Engjëllit, të dielën, më 3 nëntor. “Çfarë bëj për njerëzit e Valencias? Ju lutem? A ofroj diçka? Mendoni për këtë pyetje”, ishte ftesa e Françeskut. Sipas të dhënave nga autoritetet vendase, 89 vetë u zhdukën në rajonin spanjoll, ndërsa bilanci i viktimave është 211.

06 nëntor 2024, 10:42