Kërko

Il Papa con i membri del Foyer Notre-Dame des Sans-Abri e dell’Associazione Amis de Gabriel Rosset Il Papa con i membri del Foyer Notre-Dame des Sans-Abri e dell’Associazione Amis de Gabriel Rosset

Papa: të prekësh e të ndihmosh një të varfër, është "sakramentale" në Kishë

Në audiencën e sotme me anëtarët e Foyer Notre-Dame des Sans-Abri dhe Shoqatës Amis de Gabriel Rosset, Françesku nënvizoi vlerën e shoqërimit “të të varfërve më të varfër", duke i dhënë "fytyrë konkrete Ungjillit të Dashurisë". Nga Papa, ftesa për të qenë "artizanë të mëshirës", duke ndjekur shembullin e Marisë, domethënë, duke lejuar "të flakurit në rrugë të madhe" të rizbulojnë "dinjitetin dhe shpresën".

R.SH. / Vatikan

Afërsia, dhembshuria dhe përdëllimi: Papa Françesku para së gjithash u kujton këto "tri gjëra të Zotit" rreth shtatëdhjetë anëtarëve të Foyer Notre-Dame des Sans-Abri dhe të Shoqatës Amis de Gabriel Rosset, të pritur sot, 13 nëntor, në sallën e vogël pranë Sallës Pali VI,  në Vatikan, pak para audiencës së përgjithshme. Takimi u mbajt me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Rosset, themeluesit të dy organizatave kushtuar kujdesit për të pastrehët dhe të gjithë ata që jetojnë në skutat e skajet e shoqërisë: beqarë, të rinj në vështirësi, të moshuar, pa mbështetje. “Më të varfërit e të varfërve”, i quan Papa, klithma e të cilëve duhet dëgjuar dhe para të cilëve nuk duhet të kthejmë kokën mbrapa as të mbyllim sytë.

Ta prekësh një të varfër, ta ndihmosh një të varfër, është "sakramental" në Kishë. (…) Ju jeni zejtarë të mëshirës dhe të dhembshurisë së Zotit: duke shoqëruar njerëzit e pastrehë, i jepni fytyrë konkrete Ungjillit të dashurisë. Duke u ofruar atyre një strehim, një drekë, një buzëqeshje, duke u zgjatur duart pa frikë se mos i ndotni, ju ua ktheni dinjitetin, ndërsa angazhimi juaj prek zemrën e botës sonë, shpesh indiferente.

Mëshira dhe dhembshuria, shenjat e butësisë së Zotit

Më pas, duke i nxitur të pranishmit të "mësojnë në shkollën e Virgjërës Mari”, Asaj që "hap krahët për t’i mirëpritur të gjithë, sepse të gjithë kanë një vend pranë Krishtit", Papa Françesku ripohon:

“Mëshirë dhe dhembshuri, vëllazëri dhe çiltërsi, një dorë e shtrirë dhe refuzim i kulturës së flakjes: pikërisht në këto gjeste konkrete dashurie Kisha bëhet shenjë e gjallë e butësisë së Zotit për të gjithë bijtë e saj”.

T’u rikthehet dinjiteti dhe shpresa të braktisurve

“Grua e jetës shpirtërore... e gatshme për të papriturat e Zotit”, vijon Papa, Virgjëra Mari u përgjigjet, por mbi të gjitha “i parashikon” nevojat e vëllezërve dhe motrave të pambrojtura, pa pasur frikë se “po prek vuajtjet e botës”. Prej këndej, edhe inkurajimi i fundit që Françesku u drejtoi të pranishmëve, që ta kryejnë shërbimin e tyre “me forcën e dashurisë”.

13 nëntor 2024, 12:44