Papa: të punojmë për paqen, pa u shkurajuar, edhe përballë dështimeve
R.SH. – Vatikan
Është Pajtori i alpinistëve, udhëtarëve dhe banorëve të Alpeve e jeta e tij u karakterizua nga kumtimi e promovimi i paqes. Papa u thellua sot në këto tipare të Shën Bernardit të Aostës, ndërsa priti në audiencë delegacionet e dioqezës së Aostës dhe të Kongregatës së Kanonikëve të Shën Bernardit të Madh, në fund të Viti Jubilar kushtuar 100-vjetorit të shpalljes së titujve me të cilat njihet, në 900-vjetorin e kanonizimit dhe në mijëvjeçarin e parë të lindjes së shenjtit.
Në veçanti, Papa Françesku u përqendrua në veprën e Shën Bernardit si promovues i paqes, duke kujtuar "udhëtimin e tij në Pavia, megjithëse ishte i sëmurë, në përpjekjen për të bindur perandorin Henriku IV të hiqte dorë nga synimi për t'i shpallur luftë Papës Gregori VII". Ky rrugëtim, i cili nuk pati përfundim pozitiv, i kushtoi jetën. Në fakt, vdiq menjëherë pas kthimit, kujtoi Papa, i cili nënvizoi se ai impenjim e bën shenjtorin “edhe më fisnik në sytë tanë”.
“Promovimi i paqes, pa u shkurajuar, edhe përballë dështimeve: sa nevojë kemi edhe sot për këtë guxim”.
Një program bamirësie të gjithanshme, materiale dhe shpirtërore
Më pas, Françesku nënvizoi se shën Bernardi "ishte predikatar, që prekte edhe zemrat më të ngurta”, duke e shpallur Ungjillin e Krishtit me zell e përkushtim deri në vdekjen e tij më 1081, në Novara. Ishte i njohur për kujdesin e tij shpirtëror për “të gjithë shtegtarët dhe udhëtarët që kalonin shtigjet alpine pranë Mont Blanc” për të shkuar “në Itali nga Franca e Zvicra dhe anasjelltas”, me rrezikun “për të humbur, për t'u sulmuar dhe për të vdekur në akull". Në këto vende, shën Bernardi ngriti dy bujtina, me praninë e kanonikëve, që edhe sot i përkushtohen këtij shërbimi, me moton: “Hic Christus adorator et pascitur” (Këtu Krishti adhurohet dhe ushqehet).
“Është një program bamirësie e gjithanshme, materiale dhe shpirtërore, që ka në qendër Eukaristinë dhe nga lutja të çon në mikpritjen e kujtdo, që troket në derë. Një model i vërtetë edhe për sot: mikpritja dhe kujdesi për këdo që kërkon ndihmë, në trup e shpirt, pa dallime dhe pa u mbyllur në vetvete”, përfundoi Papa Françesku.