Papa, të rinjve: vazhdoni të ëndërroni, mos u bëni “pensionistë të jetës”
R.SH. / Vatikan
“Ju lutem, mos e humbisni aftësinë për të ëndërruar: kur një i ri e humb këtë aftësi, nuk them se plaket, jo, sepse edhe të moshuarit ëndërrojnë. Bëhen "pensionist të jetës". Është shumë keq. Ju lutem, të rinj, mos u bëni “pensionistë të jetës” dhe mos lejoni t’juarrëmbejnë shpresat! Kurrë! Shpresa nuk të zhgënjen kurrë!”.
Është thirrje e përzemërt dhe prekëse kjo e Papës Françesku drejtuar anëtarëve të Këshillit Kombëtar Rinor, organ konsultativ i thirrur për t'i përfaqësuar të rinjtë në diskutimet me institucionet, pritur sot, e shtunë, 16 nëntor, në Sallën e Koncistorit për të festuar njëzet vjetorin e themelimit.
Papa i nxiti brezat e rinj të jenë mbartës të "bukurisë dhe të risisë së jetës", duke i shndërruar dallimet në "aftësi dëgjimi" dhe duke aspiruar për ideale më të larta se "shpejtësia e armiqësisë". “E keqja, pesimizmi, skepticizmi nuk do ta kenë fjalën e fundit”, i siguroi Françesku.
Të rinjtë njihen në shpresë
"Shpresa nuk zhgënjen!". Fjalët me të cilat Papa Françesku shpalli Jubileun e ardhshëm, bëjnë pjesë në programin e Këshillit, për të cilin "shpresa është sjellja, që të rinjtë italianë e njohin sot më shumë se kurrë". Një kontrast, vëren Papa, krahasuar me shumë "njerëz që janë të zhgënjyer sepse e shohin të ardhmen me skepticizëm dhe pesimizëm".
Pjesëmarrje aktive së bashku me institucionet
Ndjenjë, që Françesku u kërkon të rinjve ta promovojnë përmes “pjesëmarrjes aktive” në dialog me institucionet, “rrjetëzimit” – “por edhe zhurmës. Është shumë e rëndësishme” – mes realiteteve të ndryshme të frymëzuara nga “solidariteti” dhe “përfshirja”:
Në këtë detyrë ju ftoj të jeni zëri i të gjithëve, veçanërisht atyre që nuk kanë zë. Edhe sot ka shumë njerëz që nuk kanë zë, shumë të përjashtuar, jo vetëm shoqërisht, për shkak të problemeve të varfërisë, mungesës së arsimit, diktaturës së drogës... por edhe pse nuk dinë të ëndërrojnë. Bëhuni “rrjet” për të ëndërruar dhe mos e humbisni këtë aftësi. Ëndërrimin.
Konteksti i ndërlikuar i sotëm
Një mision që është çdo gjë tjetër, përveçse i lehtë për t'u realizuar, nisur nga sfidat që paraqet "lajmi i këtyre ditëve". Papa rendit disa prej tyre: “dinjiteti i punës, i familjes, arsimit, angazhimit qytetar, kujdesit për krijimin dhe teknologjitë e reja”. Çështje të cilat, të acaruara, ndikojnë në "rritje të akteve të dhunës dhe të vetëlëndimit, deri në gjestin më ekstrem të vetëvrasjes". “Ju e dini që”, shton Françesku, “në botë, vetëvrasjet e të rinjve nuk publikohen të gjitha, fshihen”.
Krijoni marrëdhënie në larmi
Në kohët e shënuara "jo vetëm nga metamorfoza kulturore, por edhe antropologjike", Papa rikujton nevojën për të krijuar një "fshat arsimor", i cili, "në larmi", "angazhohet për të krijuar një rrjet marrëdhëniesh njerëzore, të përgjithshme".
“Na duhet një pakt, një aleancë, ndërmjet atyre që dëshirojnë të vënë në qendër njeriun dhe, në të njëjtën kohë, janë të gatshëm të investojnë energji të reja për formimin e atyre, që do të jenë në shërbim të bashkësisë”.
Kontributi më i mirë
"Ka një bukuri që shkon përtej pamjes", shpjegon Papa, mishëruar në "çdo burrë dhe grua" të aftë për ta jetuar "me dashuri" "thirrjen e tyre personale, në shërbim të painteresuar ndaj komunitetit, në punë bujare për lumturinë e njerëzve", në angazhimin e lirë për të rritur miqësinë shoqërore”. Ta lavdërosh "do të thotë të vendosësh themelet e solidaritetit shoqëror dhe të kulturës së takimit":
Shërbimi juaj vetëmohues për të vërtetën dhe lirinë, për drejtësinë dhe paqen, për familjen dhe politikën është kontributi më i bukur dhe më i nevojshëm që mund t'i ofroni institucioneve për ndërtimin e një shoqërie të re.
Pyetjet e Papës
Më pas, Papa u drejton të pranishmëve dy pyetje: "A dini të luani me fëmijët? A jeni në gjendje të humbisni kohën për të luajtur me fëmijët tuaj apo me nipërit tuaj?" Dhe pastaj, e dyta: "A je i aftë të përkëdhelësh një të moshuar?" Pyetje që Françesku i konsideron të nevojshme në “kulturë”, në të sotmen, kur “fëmijët lihen të rriten vetëm, pa butësi dhe të moshuarit dërgohen në shtëpitë e të moshuarve, për të vdekur”:
Ne duhet të ndryshojmë: të luajmë me fëmijët dhe të përkëdhelim të vjetrit. E kjo do të sigurojë që rinia juaj të jetë e frytshme. Mos harroni këtë: fëmijët dhe të moshuarit.
E keqja nuk do ta ketë fjalën e fundit
Pastaj ka një të vërtetë, "më e rëndësishmja". Një “njoftim”, të cilin sipas Françeskut “duhet ta dëgjojmë gjithmonë sërisht”.
"Zoti të do", "Krishti të shpëton", "Ai jeton!". Nëse Ai jeton, atëherë shpresa nuk është e kotë. E keqja, pesimizmi, skepticizmi nuk do ta kenë fjalën e fundit”.
Jezus, emri dhe fytyra e shpresës
Është "takimi me një Vetje", më shumë se "një vendim etik apo një ide e madhe" që i jep "jetë horizontit të ri" të jetës së krishterë, shpjegon Papa "Një emër dhe një fytyrë", sintezë e kësaj shprese në të cilën të rinjtë italianë e njohin veten: Jezusi.
Të synohet lart
Françesku nuk i fsheh vështirësitë që do të hasin të rinjtë në rrugëtimin e tyre. “Mos ki frikë!” - inkurajimi i tij. “Mos kini frikë të kaloni edhe konfliktet,” shton, duke kërkuar që të ketë durim për t'i parë ato të transformuara në “njohjen e tjetrit” dhe “rritjen reciproke”. Dallimet krahasohen me një labirint, nga i cili për të shpëtuar duhet të jemi “në shoqërinë e një tjetri, që na ndihmon” dhe gjithmonë “nga lart”, “që jeta të mos jetë një xhiro labirinti, i cili vret rininë”. Papa nuk e fsheh as trishtimin që i ngjall vështrimi i të rinjve, të cilët “jetojnë në sipërfaqe të jetës”, duke shmangur “kalimin e konflikteve”.
"Përpjekja për t'i kapërcyer ato është shenjë se synojmë më lart, më lart se interesat tona të veçanta, për të shpëtuar nga rëra e gjallë e armiqësisë".
Besimi përfundimtar, të Lumit Pier Giorgio Frassati
“Kërkojeni, ruajeni dhe çojeni zërin dhe shpresën e të rinjve italianë në mjediset institucionale” - ishte kërkesa e fundit e Papës për të rinjtë, që ia besoi në lutje të Lumit Pier Giorgio Frassati. "A e njihni?" “Si fëmijë kisha dëgjuar për të, sepse babai im ishte anëtar i Veprimit Katolik. Është një i ri, si ju, që ka dëshmuar me jetën e tij gëzimin e Ungjillit. Ju ftoj ta njihni dhe të imitoni qëndresën dhe guximin e tij”.