Papa: të studiohet historia, që ka kujtesën e së kaluarës, për të ndërtuar një të ardhme vëllazërore
R.SH. – Vatikan
Historia e Kishës duhet dashur si nëna dhe duhet studiuar “ashtu siç është". Edhe pse në të ka “emra problematikë”, ajo duhet treguar pa harresa, lëshime a thjeshtime, për të mos u dorëzuar para çdo lloj ideologjie, që përpiqet të shkatërrojë gjithçka, që i duket ndryshe. Papa Françesku publikon sot, më 21 nëntor, një letër për rinovimin e studimit të historisë së Kishës, për t’i ndihmuar meshtarët “ta interpretojnë më mirë realitetin shoqëror", sidomos më të rinjtë, që ende po formohen. Është fjala për studim, nënvizon Ati i Shenjtë, e jo për “llafe”, ose për “sinteza në Internet”, duke shpresuar që përmes këtij studimi të arrihet në "vendime të guximshme dhe dinamike", të cilat, "të ushqyera nga puna kërkimore, dija dhe shkëmbimi", t’u përgjigjen “refreneve paralizuese të konsumizmit kulturor”.
Të forcohet lidhja me brezat e mëparshëm
Duke pranuar se meshtarët i kushtojnë vëmendje studimit të historisë së Kishës, Françesku i nxit sidomos studentët e rinj të teologjisë të kultivojnë një "ndjeshmëri të vërtetë historike". Pra, një “familjaritet të qartë me përmasën historike të qenies njerëzore”.
“Askush nuk mund ta dijë me të vërtetë se kush është dhe çfarë synon të jetë nesër, pa e ushqyer lidhjen me brezat që i paraprijnë”, shkruan Papa.
Përgjegjësi etike, shkëmbim dhe solidaritet
Studimi, sipas vizionit të Papës, mban të gjallë “flakën e ndërgjegjes kolektive”, duke u shkëputur nga kujtimet individuale të lidhura “me interesin apo emocionet personale, pa një lidhje të vërtetë me bashkësinë njerëzore dhe kishtare në të cilën jetojmë”.
“Kështu, është e mundur të krijohet një marrëdhënie me realitetin, që kërkon përgjegjësi etike, shkëmbim dhe solidaritet”.
Kisha, nënë që duhet dashur ashtu siç është
Ati i Shenjtë përmend një teolog francez, i cili pohonte se studimi i historisë "na mbron nga monofizizmi ekleziologjik", domethënë nga një vizion "tepër engjëllor" i Kishës, që i shpërfill "njollat dhe rrudhat e saj".
“E Kisha, ashtu si nëna, duhet dashur ashtu siç është, përndryshe, nuk e duam aspak, ose duam vetëm një fantazmë të imagjinatës sonë”.
Ajo mëson nga gabimet e saj dhe e njeh vetveten “edhe në çastet më të errëta”, duke i shëruar plagët e veta dhe të botës, në të cilën jeton.
Ideologji, që shkatërrojnë ata që janë të ndryshëm
Nxitja apostolike post-sinodale “Christus vivit” përmbante një ftesë për të pasur kujdes me ata, që propozojnë të mos merret parasysh e kaluara dhe "të mos vlerësohet si thesar përvoja e të moshuarve".
“Njerëz të tillë – shkruan Papa, duke iu drejtuar sidomos meshtarëve të rinj - kanë nevojë që ju të jeni të zbrazët, të çrrënjosur, mosbesues ndaj gjithçkaje, në mënyrë që t'u besoni vetëm premtimeve të tyre dhe t'u nënshtroheni planeve të tyre. Kështu funksionojnë ideologjitë me ngjyra të llojllojshme, të cilat shkatërrojnë (ose dekonstruktojnë) gjithçka që është e ndryshme dhe në këtë mënyrë mund të dominojnë pa kundërshtime”.
Rreziku i kujtimeve “ad hoc”
Çelësi për interpretimin e së tashmes është "diakronia", e cila refuzon rrafshimin në një "sinkroni" me çdo kusht. Kjo perspektivë është urgjente, vëren Papa, për t'iu kundërvënë "zhdukjes së të kaluarës dhe të historisë apo të narrativave të njëanshme historike". Problemi bëhet edhe më serioz “nëse mendojmë për histori të parafabrikuara me kujdes dhe fshehurazi, që shërbejnë për të ndërtuar memorie ‘ad hoc’, memorie identitare dhe memorie përjashtuese”.
Kur gjykimi u besohet ekskluzivisht mediave sociale
Studimi i realitetit, qoftë i shkuar, qoftë i tashëm, nuk duhet t'u nënshtrohet "thjeshtimeve naive dhe të rrezikshme", vijon Papa. Nëse gjykimi i "momenteve të tmerrshme" dhe "njerëzve tejet të errët" u delegohet "mediave, rrjeteve sociale, ose interesave politike, mbetemi gjithmonë të ekspozuar ndaj shtysës irracionale të zemërimit, ose emocionit".
Në fund, siç thuhet, “diçka jashtë kontekstit shërben vetëm si pretekst”.
Historia e Kishës, ndërmjet së vërtetës dhe emrave “problematikë”
Françesku përmend gjenealogjinë e Jezusit, treguar në Ungjillin sipas Mateut, "histori e vërtetë, ku ka disa emra që janë jo pak problematikë". Po kështu, Kisha nuk e anashkalon faktin se në mesin e anëtarëve të saj, klerikëve dhe laikëve, “nuk kanë munguar ata, që nuk kanë qenë besnikë ndaj Shpirtit të Zotit”.
“Çfarëdo gjykimi, që jep historia për këto mungesa, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për to dhe t'i luftojmë me forcë, në mënyrë që të mos dëmtohet përhapja e Ungjillit”.
Të kujtojmë, për të ecur përpara
Papa bën thirrje të mos “ftohen njerëzit të harrojnë”. Ngjarje të tilla si Shoah, bombardimet atomike në Hiroshima e Nagasaki, si edhe shumë plagë të tjera "na bëjnë të turpërohemi që jemi njerëz". Memorie për t'u kujtuar pa anestezi, pa rënë në tundimin për t'i lënë mënjanë, sepse "ka kaluar shumë kohë" dhe "duhet të shohim përpara".
“Jo, për dashni të Zotit! Pa kujtesë nuk ecim kurrë përpara, nuk mund të zhvillohemi pa një kujtesë të plotë dhe të ndritshme”.
Pasion dhe seriozitet në studim
Studimi i historisë së Kishës, vëren më tej Papa, nuk duhet të bëhet thjesht kronologjikisht, ose duke e reduktuar aq sa të mos jetë në gjendje të dialogojë "me realitetin e gjallë". Françesku nënvizon rëndësinë e edukimit të studentëve që të dinë ku të kërkojnë, duke e parë mësimin me pasion dhe seriozitet. Duhet dëshmuar për ata, që nuk kanë qenë në gjendje ta ngrenë zërin gjatë historisë. Ndër ta, Papa fton të dalin në dritë përvojat e martirizimit.
“Pikërisht aty ku Kisha nuk ka triumfuar për sytë e botës, aty ka arritur bukurinë e saj më të madhe”.
"Detyra e madhe"
“Po flasim për studim”, përfundon Françesku, “jo për llafe të kota, për lexim sipërfaqësor, për prerje dhe ngjitje të sintezave nga interneti”. Ai është më se i nevojshëm për të bërë pyetjet e duhura, që synojnë gjetjen e "kuptimit të jetës", pa rënë në "banalitet".
“Ja, detyra juaj e madhe: t'u përgjigjeni refreneve paralizuese të konsumizmit kulturor me vendime dinamike dhe të forta, me punë kërkimore, dije dhe shkëmbim njohurish”.