Kërko

Papa: të ungjillëzojmë edhe me mjetet e komunikimit

Papa pret në audiencë rrjetin katolik El Sembrador - Nueva Evangelización dhe nënvizon se sot ka "një nevojë të madhe për dishepuj që vazhdojnë misionin e besuar nga Zoti". Falënderon ata që punojnë në shoqërinë apostolike të themeluar nga Noel Díaz, për shërbimin e kryer dhe afërsinë me migrantët në Amerikën Latine dhe inkurajimin për të ecur përpara "me bujari dhe kreativitet", "të bindur ndaj udhëzimeve të Kishës".

R.SH. – Vatikan

Në një atmosferë gazmore u mbajt audienca e Papës me përfaqësuesit e rrjetit katolik të radios dhe televizionit  El Sembrado – Nueva Evangelización, ESNE, pritur sot paradite, 28 nëntor, në Vatikan, me rastin e dyzetëvjetorit të themelimit të këtij fondacioni. Network El Sembrador - Nueva Evangelización, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës transmeton gjithashtu edhe në Meksikë e Spanjë, është një shoqëri apostullimi dhe ungjillëzimi jofitimprurëse e themeluar nga Noel Díaz, një laik meksikan, i cili, pas studimeve biblike dhe të historisë së Kishës, vendosi t’ia kushtojë jetën e tij në shërbim të Zotit dhe Kishës, duke i dhënë jetë, më pas, një sërë nismash veçanërisht në fushën e komunikimit shoqëror.

Takimi i parë me themeluesin

Dhe Papa iu drejtua pikërisht Noel Díaz, në spanjisht, duke kujtuar takimin me të gjatë udhëtimit apostolik në Meksikë, në shkurt 2016, gjatë fluturimit nga Roma në Kubë. "Unë po mbaroja vizitën time mes gazetarëve", tha Ati i Shenjtë, duke kujtuar që Noeli filloi t'i pastronte këpucët. “I kishte premtuar nënës së tij se do t’ia pastronte këpucët Papës”, ​​vazhdon Françesku, i cili, duke marrë frymëzim nga ky episod, u ndal “për një moment, duke kërkuar që secili prej jush të mendojë për nënën e vet. Disa e kanë të gjallë, të tjerë e kanë në Parajsë, por me një zemër mirënjohjeje për gjithçka që kanë marrë nga nëna e tyre. Atë trashëgimi që vetëm nënat mund ta japin”.

Shenjti mbrojtës i komunikimit: Trinia

Papa rrëfen se është goditur nga vështrimi i fesë dhe i përkushtimit të Noelit ndaj Provanisë së Zotit, i cili me ESNE i ka dhënë jetë një komuniteti komunikuesish.

A e dini se kush është mbrojtësi qiellor kryesor i komunikimit? Trinia e Shenjtë, sepse ata jetojnë duke komunikuar me njëri-tjetrin. Ata jetojnë duke komunikuar me njëri-tjetrin. Mendoni për këtë!

Vazhdoni misionin që Krishti u besoi dishepujve të tij

Më pas Papa Françesku shprehu falënderimet e tij ndaj atyre që punojnë në rrjetin radioteleviziv, "për të vazhduar të ungjillëzoni, besnikë ndaj thirrjes së Shën Gjon Palit II për ungjillëzimin e ri". Më pas përmendi "projektin Yo soy el 73, një përkushtim i veçantë ndaj Jezusit për të ndërtuar një komunitet ungjilltarësh të aftë për të komunikuar gëzimin e Ungjillit dhe mëshirën e Hyjit".

Sot kemi një nevojë të madhe për dishepuj që vazhdojnë misionin e besuar nga Zoti, duke ungjillëzuar nëpërmjet mjeteve të komunikimit. Faleminderit për punën që bëni.

Pranë emigrantëve

“Faleminderit sepse ju sillni zërin dhe mesazhin e Papës për shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vende të tjera spanjishtfolëse”, vazhdon Ati i Shenjtë Françesku, i cili falënderon edhe rrjetin katolik për ndihmën që u ofron “shumë vëllezërve dhe motrave të luten, për të ndjekur Meshën e shenjtë nga shtëpia, kur nuk mund të udhëtojnë, të marrin formimin e krishterë dhe lajmet kishtare”.

Ju falënderoj gjithashtu dhe mbi të gjitha sepse me punën tuaj jeni pranë shumë emigrantëve nga vende të ndryshme të Amerikës Latine, të cilët duhet të kenë pika referimi, mesazhe ngushëllimi në gjuhën e tyre amtare. Vazhdoni punën tuaj. Ju falënderoj gjithashtu për bashkëpunimin që keni mbajtur prej vitesh me mediat e Vatikanit të Dikasterit të Komunikimit.

Të ankoruar në shkëmbin e Pjetrit

Së fundi, inkurajimi i Papës është "të ecim përpara, pa pushuar, duke shikuar drejt Qiellit" dhe "ndaj më nevojtarëve". “Punoni me bujari dhe kreativitet, përfundon Ati i Shenjtë, duke rekomanduar që të qëndrojnë “përherë të ankoruar në shkëmbin e Pjetrit, gjithmonë të bindur ndaj udhëzimeve të Kishës”.

28 nëntor 2024, 14:58