Papa me fëmijët nä audiencën e sotme të përgjithshme Papa me fëmijët nä audiencën e sotme të përgjithshme

Papa themelon Komitetin Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve

Organizmit të ri të Vatikanit, themeluar sot me një Kirograf, Françesku i jep detyrën e kujdesit për animacionin kishtar dhe organizimin baritor të ngjarjes vjetore kushtuar të vegjëlve. Atë Enzo Fortunato emërohet kryetar

R.SH. – Vatikan

 Dikur, në kohë të lashta, fëmijët, që konsideroheshin "ende jo burra", u jepnin bezdi të rriturve. Ndodhte kështu edhe në kohën e Krishtit, me rabinët që mezi i toleronin. Por, Jezu Krishti tregonte "simpati të madhe për ta" dhe "jo vetëm që nuk bezdisej, por i propozonte si modele dishepulli, pasi 'mbretëria e Hyjit u përket atyre që janë si ata'”.

Atë Fortunato, kryetar i organizmit papnor

Kështu fillon Kirografi me të cilin Papa, sot, më 20 nëntor, themelon Komitetin Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve, organizëm i ri i Vatikanit, që do të varet drejtpërdrejt nga Ati i Shenjtë. Detyra e tij do të jetë kujdesi për "animacionin kishtar dhe organizimi baritor i Ditës Botërore të Fëmijëve", siç përcaktohet në nenin e parë të Statutit. Në krye të Komitetit, Papa caktoi françeskanin, atë Enzo Fortunato, deri tani koordinator i Ditës Botërore.

Kisha, zëri dhe mbrojtësja e të drejtave të fëmijëve

Nëse "statusi shoqëror i fëmijëve, gjatë historisë së njerëzimit, ka qenë objekt i ripërpunimeve të shumta teorike dhe praktike", sot - shkruhet në Kirograf - "qenia njerëzore, që kur është fëmijë, është subjekt i të drejtave të patjetërsueshme, të pacënueshme dhe universale”. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është "përgjegjësi serioze e prindërve, e bashkësisë civile dhe e Kishës", e cila, nga ana e saj, e konsideron atë si "detyrë dhe si formën e parë të bamirësisë", duke u bërë, me “autoritetin” e saj, zëri i “të drejtave të ‘të pambrojturve’, siç janë ende sot shumë fëmijë”, veçanërisht “përballë përhapjes së dhunës dhe rreziqeve, që shkelin jetën dhe dinjitetin e fëmijërisë”.

"E drejta për të qenë i rrethuar me dashuri"

Duke përmendur shën Gjon Palin II, që shkruante se “njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri”, Papa Françesku nënvizon se fëmijët kanë nevojë për kujdesin e prindërve e të familjes, për sigurinë se rrethohen me dashuri, edhe kur nuk kanë prindër, pasi kështu mund të zbulojnë identitetin e tyre; kanë të drejtë të kenë një emër, një familje e një kombësi, të respektohen e të kenë kushte dinjitoze jetese e edukimi.

Dita Botërore e Fëmijëve, 5 pika

Në pjesën qendrore të Kirografit, Papa përmbledh në 5 pika qëllimet, që e shtynë të themelojë Ditën Botërore të Fëmijëve, e cila do të kremtohet si në nivelin e "Kishës universale", ashtu edhe në "Kishat e veçanta". Pika e parë është t'u jepet zë të drejtave të të vegjëlve, duke pasur "të njëjtën vëmendje, që kishte Jezusi ndaj tyre". Bashkësia e krishterë, kërkon Françesku në pikën e dytë, duhet të jetë “një komunitet edukativ, në gjendje të ungjillëzohet nga zëri i të vegjëlve". Së treti, Kisha universale, siç nënvizon Ati i Shenjtë, duhet "të vishet me ndjenjat e të vegjëlve", që të bëhet shtëpi mikpritëse dhe e banueshme për të gjithë, duke filluar nga fëmijët. Në pikën e katërt, Papa kërkon që fëmijët ta njohin dhe ta duan Jezusin "gjithë e më shumë", sipas trashëgimisë së fesë dhe traditave të Kishës dhe së fundi, "të vihet në dukje, si në përgatitjen katekistike ashtu edhe në kremtime, se Kisha është nënë".

20 nëntor 2024, 13:22