Kërko

Papa u dërgon letër pjesëmarrësve në konferencën për mbrojtjen e më të ligshtëve

Më se 20 vende evropiane janë mbledhur në Romë për të marrë pjesë në një konferencë kushtuar përpjekjeve të vazhdueshme të Kishës për të mbrojtur më të ligshtët

R.SH. – Vatikan

Rreth 25 vende nga e gjithë Evropa janë mbledhur në Romë për të marrë pjesë në një konferencë kushtuar përpjekjeve të vazhdueshme të Kishës për të mbrojtur më të ligshtët. Nga data 13 deri më 15 nëntor, Komisioni Papnor për Mbrojtjen e të Miturve ka organizuar konferencën “Mbrojtja në Kishën Katolike në Evropë”. Qëllimi i tij: të çojë më tej punën e Rrjetit Evropian, që filloi në Varshavë të Polonisë, më 2021.

Mesazhi papnor për bashkim

Në hapje të konferencës treditore, Papa Françesku u dërgoi një letër pjesëmarrësve, duke shprehur kënaqësinë për praninë e kaq shumë vendeve, disa prej të cilave edhe në mes të luftës e konfliktit. U kujtoi thirrjen e përbashkët që të punojnë për paqen në botë dhe e quajti pjesëmarrjen e tyre "dëshmi e qartë e unitetit dhe e solidaritetit, që kapërcen të gjitha kufijtë".

Konferenca në Romë
Konferenca në Romë

Papa uroi që konferenca të krijojë një rrjet “njerëzish dhe praktikash të mira”, të cilat synojnë shkëmbimin e informacionit dhe mbështetjen e njëri-tjetrit, në përpjekjen për të ofruar programe të frytshme dhe të qëndrueshme sidomos për mbrojtjen e të miturve. Ai i inkurajoi pjesëmarrësit të organizojnë nisma, që “sigurojnë ngushëllim dhe ndihmë për ata që kanë vuajtur, si shenjë e shqetësimit të Kishës për drejtësinë, shërimin dhe pajtimin”.

Larmia e Evropës ofron mjete shërimi

Konferenca ka mbledhur këto ditë në Romë rreth 100 përfaqësues të Kishave në Evropë – ipeshkvij, meshtarë, laikë, përfshirë viktimat dhe të mbijetuarit e abuzimeve - nga 25 vende evropiane. Konferenca filloi zyrtarisht me një videomesazh të kardinalit Seán O’Malley, kryeipeshkëv i Bostonit dhe kryetar i Komisionit Papnor për Mbrojtjen e të Miturve.

Pjesëmarrës në konferencë
Pjesëmarrës në konferencë

Në shtator 2021, ky Komision mbajti një konferencë në Varshavë me temën "Misioni ynë i përbashkët për të mbrojtur bijtë e Zotit”. Duke e kujtuar, kardinali thekson në mesazh larminë e Evropës, e cila "na jep urtinë e kulturave, gjuhëve, etnive dhe feve". Ai uron që këto dallime të ndihmojnë në kujdesin për fëmijët, tashmë të rritur, që pësuan abuzime në Kishën Katolike. Ai vë në dukje nevojën për dhembshuri, por edhe këmbënguljen në verifikimin e akuzave dhe në përndjekjen e fajtorëve. Qëllimi i konferencës aktuale është të përforcojë lidhjet ndërmjet Kishave evropiane për të pasur një protokoll të përbashkët e për të ndihmuar njëra-tjetrën në trajtimin e çështjeve të abuzimit, sidomos në dëmshpërblimin dhe në përkujdesjen për të abuzuarit.

14 nëntor 2024, 10:46