Kërko

Imzot Domenico Battaglia Imzot Domenico Battaglia

Papa u shton kardinajve të rinj kryeipeshkvin e Napolit: sjell zërin e Italisë së Jugut

“Don Mimmo”, siç njihet, i bashkohet listës së kardinajve, që do të marrin kësulën e kuqe më 7 dhjetor. Me origjinë kalabreze, ai kryeson kryedioqezën e Napolit që nga viti 2020 dhe njihet për impenjimin e tij social. Kështu, numri i kardinajve të rinj bëhet sërish 21, pas dorëheqjes së indonezianit Syukur, në tetor

R.SH. – Vatikan

Numri i kardinajve, që do të krijohen nga Papa Françesku në koncistorin e 7 dhjetorit bëhet sërish 21. Pasi, më 22 tetor, ipeshkvi indonezian, imzot Paskalis Bruno Syukur, dha dorëheqjen, sepse dëshironte t’i kushtohej krejtësisht shërbimit të tij meshtarak, Ati i Shenjtë vendosi të shtojë një emër të ri në listën e kardinajve të ardhshëm, atë të imzot Domenico Battaglia, kryeipeshkëv i Napolit që nga dhjetori 2020. Lajmi u njoftua nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni.

"Bart gëzimet dhe ankthin e jugut"

Një surprizë për gjithë kryedioqezën dhe për vetë kardinalin e zgjedhur, i cili, i kontaktuar nga mediat e Vatikanit, komentoi: “Emërimi me të cilin Papa Françesku më përfshiu në Kolegjin e Kardinajve më befasoi, duke më shkaktuar një reagim të dyfishtë. Nga njëra anë, ndiej peshën e kësaj përgjegjësie, me të cilën Papa më fton ta hap zemrën për ta ndihmuar në shërbimin e tij dhe për t’i bërë vend në të, shqetësimit të tij për Kishën universale dhe për mbarë botën. Nga ana tjetër, ndiej mirënjohje për Papën Françesku, jo aq për vëmendjen që më kushton, por sepse duke më thirrur në këtë shërbim, shikoi një bir të Italisë së Jugut, ipeshkëv i një Kishe Jugore, i këtij Jugu, që është njëkohësisht tokë mundimesh dhe shprese!"

I angazhuar ndër më të brishtët

Imzot Battaglia, ose më saktë "Don Mimmo", siç e quajnë në Napoli, është një figurë e shquar baritore, i njohur si meshtar, që jeton në rrugë, bashkë me të rinjtë në vështirësi e sidomos, me të droguarit, për të cilët është impenjuar veçanërisht, në mënyrë që të dalin nga ajo udhë. Vërtet, nga viti 1992 deri më 2016, ka qenë në krye të Qendrës Kalabreze të Solidaritetit, strukturë e lidhur me një bashkësi terapeutike kundër drogës. Vetë ipeshkvi është kalabrez me origjinë, 61 vjeçar, u zgjodh nga Papa Françesku më 2016 ipeshkëv në selinë e Cerreto Sannita -Telese- Sant’Agata de’ Goti. Motoja e tij ipeshkvnore është marrë nga fjalët e Jezusit për Bartimeun (të verbrin, që lypte në rrugë): “Guxim, çohu, të thërret!” Në Napoli vlerësohet shumë si nga kleri, ashtu edhe nga besimtarët. Papa e thirri edhe në dy sesionet e Sinodit për Sinodalitetin. Kryeipeshkvi aktual e kardinali i ardhshëm, thekson: "Mos më quani Hirësi, siç po bën ndokush që tani. Unë jam dhe do të mbetem gjithmonë don Mimmo".

05 nëntor 2024, 09:53